Ndërlidhjet

FRONTEX zyrtarizon operacionet në Maqedoninë e Veriut


Oficerët e policisë nga Agjencia Evropiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare FRONTEX në Maqedoninë e Veriut
Oficerët e policisë nga Agjencia Evropiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare FRONTEX në Maqedoninë e Veriut

Në Maqedoninë e Veriut të enjten është zyrtarizuar operacioni i agjencisë kufitare të Bashkimit Evropian-FRONTEX, që do të ndihmojë autoritetet vendore në mbrojtjen e kufijve nga migrimi i paligjshëm.
Operacioni do të zgjasë deri në janar të vitit 2024, me mundësi të vazhdimit.

Gjatë kësaj periudhe është paraparë vendosja e më shumë se 100 policëve, automjeteve për patrullim dhe pajisjeve speciale në kufirin mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, që do të ndihmojnë dukshëm në zbulimin e aktiviteteve të paligjshme përgjatë kufirit.

Oficerët e FRONTEX-it do të vendosen në kufirin midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë.
Oficerët e FRONTEX-it do të vendosen në kufirin midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë.

Drejtori ekzekutiv i FRONTEX-it, Hans Leitens, tha se beson në rezultate të mira në terren në parandalimin e kalimeve ilegale, por edhe në evitimin e rreziqeve, pasi, sipas tij, migrantët shpesh janë objekt i bandave të ndryshme kriminale, të cilat vjedhin apo i keqtrajtojnë këta persona.

“Ne do të jemi më të pranishëm në terren dhe kjo do të ofrojë më shumë siguri dhe cilësi gjatë kontrolleve. Jam i bindur se kjo do të ndihmojë luftën kundër kriminalitetit, por edhe të tjerët që kanë nevojë për ndihmën tonë. Prania jonë [është] një shembull i mirë se FRONTEX-i dëshiron bashkëpunimin me të gjitha shtetet që kanë probleme me ‘rrugët e migrantëve’”, tha Leitens.

Duke theksuar rëndësinë e këtij bashkëpunimi, ai tha se nuk bëhet fjalë vetëm për luftimin e migrimit të paligjshëm, por edhe për luftimin e kriminalitetit, të trafikimit me qenie njerëzore, si një ndër veprat më të rënda penale.

“Ngjarja e sotme është një hap shumë i rëndësishëm për Maqedoninë e Veriut, për Qeverinë e saj, e cila tregon gatishmëri për bashkëpunim në përballje me këto sfida”, u shpreh drejtori ekzekutiv i FRONTEX-it, Hans Leitens.

Kufiri me Greqinë është edhe pjesa më e ndjeshme prej nga edhe futen migrantët në mënyrë të paligjshme, e që si destinacion kanë territorin e Serbisë, prej nga vazhdojnë drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Maqedonia e Veriut në vitin 2015 ishte vërshuar nga dhjetëra mijëra refugjatë nga vendet aziatike, që përdornin territorin e saj për të kaluar në vendet e BE-së, ndërkohë që ishin regjistruar edhe përplasje të ashpra mes policisë dhe migrantëve.

Fillimi zyrtar i operacionit të përbashkët të FRONTEX-it me Maqedoninë e Veriut - Shkup, 20 prill 2023.
Fillimi zyrtar i operacionit të përbashkët të FRONTEX-it me Maqedoninë e Veriut - Shkup, 20 prill 2023.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, pas manifestimit të mbajtur në Shkup për zyrtarizimin e operacionit me FRONTEX-in, tha se shifrat e kalimeve ilegale kanë shënuar rënie në krahasim me një vit më parë.

“Situata me kalimin e migrantëve është në kuadër të parashikimeve, por kjo gjithmonë varet nga kushtet atmosferike dhe me ngrohjen e motit edhe mund të ketë rritje të fluksit”, tha Spasovski.

Ai bëri të ditur se në vitin 2022 u regjistrua një rritje prej 30 për qind e kalimeve ilegale në krahasim me një vit më parë.

“Megjithatë, tani shifrat janë në kuadër të normales apo të ngjashme me ato të shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Në këtë ka ndikuar edhe rritja e efikasitetit të institucioneve dhe kjo e bën vendin tonë jo edhe aq atraktiv për migrantët. Besojmë se tani me FRONTEX-in rezultatet do të jenë edhe më të mira”, deklaroi Spasovski.

Por, ai mendon se problemi kërkon zgjidhje në vendet që e kanë burimin e migrimeve të paligjshme.

“Disa herë e kam thënë se kjo nuk është zgjidhje e problemit me migrantët. Ne vetëm po përballemi me këtë problem. Zgjidhja duhet të kërkohet pikërisht atje ku edhe ndodh problemi, atje ku është burimi i migrantëve. Shpresojmë se viteve në vijim do të krijohen kushte që ata njerëz të mos nisen në rrugë të gjata dhe të rrezikshme drejt BE-së”, u shpreh Spasovski.

Në qytetin e Gjevgjelisë, në pjesën jugore të Maqedonisë së Veriut, më 19 prill u regjistrua një incident i rëndë, me pasojë vrasjen e një migranti gjatë shkëmbimit të zjarrit ndërmjet policisë dhe trafikantëve të armatosur, të cilët kishin refuzuar urdhrin e policisë për t’u ndalur.

Marrëveshja për bashkëpunimin me FRONTEX është nënshkruar më 26 tetor 2022 në Shkup gjatë vizitës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe është e para e tillë ndërmjet KE-së dhe Maqedonisë së Veriut.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG