Ndërlidhjet

Gjykata në Moskë refuzon apelin e kritikut të Kremlinit


Kritiku i Kremlinit, Ilya Yashin në burg.
Kritiku i Kremlinit, Ilya Yashin në burg.

Gjykata e qytetit të Moskës ka refuzuar apelin e dorëzuar nga avokatët e politikanit të burgosur opozitar rus, Ilya Yashin, për dënimin prej tetë vjet e gjysmë burgim.

Ai u dënua në dhjetorin e vitit të kaluar për akuzat e përhapjes së informacioneve të rreme lidhur me ushtrinë ruse dhe për pushtimin rus të Ukrainës, që ende po vazhdon.

Yashin mori pjesë në seancën e 19 prillit përmes video-lidhjes nga një qendër paraburgimi në Moskë, pasi gjykata refuzoi kërkesën e tij që të ishte i pranishëm fizikisht në sallën e gjykatës.

“E kuptoj plotësisht se mënyra e vetme për mua që të lehtësoj dënimin është pendesa, të kërkoj mëshirë, ta quaj të zezën të bardhë dhe të dëshmoj kundër vetes dhe miqve të mi. Kjo nuk do të ndodhë kurrë”, tha Yashin para gjykatës, dhe shtoi se kishte ndërgjegjen e pastër dhe se me qetësi e pranon fatin e tij.

Yashin, 39 vjeç, një kritik i zëshëm i Kremlinit është një prej pak politikanëve opozitarë që ka qëndruar në Rusi pas një vale shtypjeje kundër mbështetësve të opozitarit të burgosur, Aleksei Navalny, dhe atyre që kanë folur kundër pushtimit të Ukrainës që Rusia nisi në shkurt të vitit 2022.

Dënimi ndaj Yashin ishte më i ashpri që është shqiptuar në rastet që kanë të bëjnë me diskreditimin e forcave ruse, pas hyrjes në fuqi të ligjeve të reja në Rusi, që ndëshkojnë ata që kundërshtojnë pushtimin e Ukrainës.

Rasti penal ndaj Yashin u iniciua në korrik të vitit të kaluar. Akuza ndaj tij u bë pas publikimeve që ai bëri në YouTube lidhur me krimet që supozohet se janë kryer nga ushtria ruse në qytetin ukrainas të Buçës.

Ky kritik i Kremlinit është arrestuar disa herë në të kaluarën për shkak të aktiviteteve të tij protestuese.

Yashin më herët ka thënë se autoritetet po tentonin që ta detyronin atë të largohej nga Rusia, por ai kishte refuzuar.

Pas largimit të forcave ruse nga Buça dhe Irpini, por edhe qyteza të tjera në periferi të Kievit, u zbuluan trupa të pajetë të civilëve në rrugët e Buçës. Rusia mohoi se kishte kryer këto krime dhe tha se pamjet e transmetuara nga Buça ishin inskenuar nga Ukraina.

Zyrtarët ukrainas vlerësojnë se rreth 400 civilë u gjetën të vrarë në Buça dhe në përgjithësi mbi 1.000 në mbarë rajonin përreth Kievit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG