AFP
Kremlini tha se presidenti Vladimir Putin ka vizituar dy rajone që gjenden në vijat e frontit në Ukrainë, duke shkaktuar reagim të ashpër nga Kievi, i cili tha se Putini ka shikuar “krimet e shërbëtorëve të tij”.
Kremlini nuk bëri të ditur, më 18 prill, se kur Putini e vizitoi rajonin jugor të Hersonit dhe atë lindor të Luhanskut, të cilat rajone presidenti rus shtatorin e kaluar pretendoi se i ka aneksuar, pavarësisht se Rusia nuk i kontrollon plotësisht këto dy rajone.
Putin urdhëroi dërgimin e trupave të tij në Ukrainë shkurtin e vitit 2022, duke nxitur konfliktin më të gjatë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Forcat ukrainase kanë thënë se po përgatiten për një kundërofensivë në pranverë.
Mykhailo Podolyak, këshilltar i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, e përshkroi vizitën e Putinit si “‘turne të posaçëm’ të autorit të vrasjeve masive... për të shijuar për herë të fundit krimet e shërbëtorëve të tij”.
Pasi të martën u bë publike vizita e Putinit, zyrtarët ukrainas thanë se forcat ruse granatuan një treg në Herson, duke lënë të plagosur gjashtë persona.
Vitin e kaluar, Rusia pësoi humbje në rajonet veriore dhe jugore dhe forcat e Moskës arritën të bënin përparime të vogla vetëm në lindje të Ukrainës.
Shumica e luftimeve tani janë të përqendruara përreth qytetit lindor të Bahmutit, beteja për të cilin është shndërruar në një prej betejave më të gjata dhe më të përgjakshme që nga nisja e konfliktit.
Gjatë vizitës në Ukrainë, Putin u takua me komandantët ushtarakë rusë dhe bisedoi me ta për situatën në disa fronte, tha Kremlini.
Pamjet e publikuara nga Kremilini shfaqën Putinin duke zbritur nga një helikopter teksa ai vizitoi selitë qendrore të grupit ushtarak të Dnjepërit në rajonin e Hersonit.
Ai, po ashtu, vizitoi selinë e Gardës Kombëtare në rajonin lindor ukrainas të Luhanskut.
“Është e rëndësishme për mua që të dëgjoj mendimin tuaj për situatën, t’iu dëgjoj dhe të ndajmë informacione”, tha Putin, sipas videos, teksa ishte i rrethuar nga komandantë të lartë ushtarakë.
Lideri rus u uroi ushtarëve Pashkët, që të krishterët ortodoksë i festuan të dielën, tha Kremlini.
Vizita e Putinit në Herson dhe Luhansk pasoi njoftimin e Kremlinit në mars se lideri rus kishte realizuar një vizitë të paparalajmëruar në qytetin-port të Mariupolit. Këtë qytet, Moska e mori nën kontroll pranverën e kaluar, pasi për një kohë të gjatë e kishte mbajtur të rrethuar.
“Përparime të ngadalta”
Inteligjenca ushtarake britanike tha se “luftimet e ashpra” po vazhdojnë përgjatë vijës së frontit në Donbas, që përbëhet nga rajonet lindore të Donjeckut dhe Luhanskut.
“Megjithatë, ka mundësi reale që Rusia ka ulur numrin e trupave dhe ka ulur aktivitetin sulmues përreth Donjeckut dhe ka të ngjarë që Moska po i drejton burimet në sektorin e Bahmutit”, u tha në deklaratën e Britanisë.
Në deklaratë ndër tjerash thuhet se në Bahmut, forcat e rregullta ruse dhe mercenarët e Wagner-it po bëjnë “përparime të ngadalta”.
“Vija e frontit në qendër të qytetit gjendet në linjën e hekurudhës kryesore”, tha inteligjenca britanike.
Komandanti i forcave tokësore të Ukrainës, Oleksandr Syrskyi, tha se trupat ruse nuk kanë hequr dorë nga qëllimi i tyre për të marrë Bahmutin “me çdo kusht”, duke shtuar se ata po kryejnë sulme me artileri të rëndë dhe sulme ajrore.