Ndërlidhjet

Blinken: Rrjedhja e inteligjencës nuk ka ndikuar në bashkëpunimin me partnerë


Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë të shtunën se rrjedhja e dokumenteve ‘top sekret’ të inteligjencës, nuk ka ndikuar në bashkëpunimin e Uashingtonit me partnerë dhe aleatë.

Duke folur në një konferencë për media në kryeqytetin e Vietnamit, Hanoi, Blinken ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara me partnerët dhe aleatët në këtë çështje.

“Bazuar në bisedat që kemi pasur, nuk kam rastisur në diçka që do të ndikonte në bashkëpunimin tonë me partnerë dhe aleatë”, ka thënë Blinken, duke shtuar se ai dëgjuar vetëm “përgëzime” për hapat që ka marrë Uashingtoni.

Një 21-vjeçar, anëtar i Gardës Kombëtare të Forcave Ajrore të SHBA-së, i akuzuar për rrjedhje të informacioneve të inteligjencës, është akuzuar të premten për kopjim të paligjshëm dhe publikim të materialit të klasifikuar.

Jack Douglas Teixeira, nga Masaçusets, është arrestuar nga agjentët e Byrosë Federale të Hetimeve, të enjten në shtëpinë e tij.

Kjo rrjedhje e informacioneve besohet se është më seriozja për SHBA-në prej publikimit të më shumë se 700.000 dokumenteve dhe incizimeve në ueb-faqen WikiLeaks më 2010.

Pentagoni e ka konsideruar rrjedhjen e fundit si “të qëllimshme, akt kriminal”.

Për këtë rrjedhje nuk është ditur derisa ka raportuar New York Times më herët gjatë këtij muaji, ndonëse dokumentet janë publikuar në një rrjet social javë më parë.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka urdhëruar të premten që hetuesit të kuptojnë pse i akuzuari ka publikuar të dhënat e klasifikuara, në disa prej të cilave është turpëruar Uashingtoni, për shkak se janë bërë publike spiunimet që kryen edhe te aleatët.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG