Ndërlidhjet

“Plotësisht fajtor”: Aktivisti rus që përballet me gjyq për “diskreditim” të ushtrisë


“Unë vërtet kam dashur t’i bëj burrat e Izhmas që të dyshojnë në domosdoshmërinë e pjesëmarrjes në luftë, dhe unë nuk i mohoj qëllimet e mia”, ka thënë aktivisti kundër luftës në Ukrainë, Aleksei Semyonov.
“Unë vërtet kam dashur t’i bëj burrat e Izhmas që të dyshojnë në domosdoshmërinë e pjesëmarrjes në luftë, dhe unë nuk i mohoj qëllimet e mia”, ka thënë aktivisti kundër luftës në Ukrainë, Aleksei Semyonov.

Në shtator të vitit 2022, vetëm disa ditë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar mobilizim të pjesshëm ushtarak, për luftën e nisur në Ukrainë, 55-vjeçari, Aleksei Semyonov, ka shkuar në Shtëpinë e Kulturës, në fshatin e tij Izhma, i cili gjendet në veri të Republikës Komi brenda Rusisë.

Në atë ndërtesë janë mbledhur 40 burrat e parë të fshatit pas urdhrit të Putinit.

Semyonov e ka lënë në hyrje një kosh me mbeturina me mbishkrimin “ZOO” (kopsht zoologjik) me ngjyrat e flamurit ukrainas – kaltër dhe verdhë – duke u tallur me simbolin “Z”, të cilin e përdor makineria e luftës së Rusisë dhe mbështetësit e saj.

Thesi me mbeturina me mbishkrimin ZOO.
Thesi me mbeturina me mbishkrimin ZOO.

Semyonov, pediatër i trajnuar dhe aktivist për ambientin, tani po përballet me tre vjet burgim, nën akuzat për “diskreditim të forcave të armatosura të Rusisë”.

Ndërkohë, ai e ka postuar edhe një fotografi në rrjetet sociale me përshkrimin “Izhma ushtron përshëndetjen Cargo 200”, një referencë për shprehjen ruse për ata që janë vrarë në aksion.

Data e gjykimit të Semyonovit në Gjykatën e rajonit Izhma, ende nuk dihet, mirëpo ai ka thënë se i ka refuzuar ofertat e mbështetësve për një avokat, pasi ka thënë se pajtohet me konkluzat e hetuesve për “motivet dhe metodat e tij”.

“Gjëja e vetme këtu është se unë konsideroj që statusi për çka jam duke u gjykuar, është i paligjshëm dhe i padrejtë”, ka thënë ai për Shërbimin e Kaukazit të Radios Evropa e Lirë.

“Prandaj, më gjykoni. Jam plotësisht fajtor, sipas këtij ligji absurd”.

Semyonov, të cilin grupi rus për të drejta të njeriut Memorial, e ka shpallur të burgosur politik, është në mesin e qindra rusëve, të cilët janë akuzuar për qëndrimet e tyre kundër luftës, për shkak të një morie veprimesh, të cilat konsiderohen kriminale, sipas një ligji të ri për ushtrinë.

Semyonov ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ka dashur të dërgojë mesazh për luftën e Rusisë në Ukrainë, te banorët e fshatit, të cilët ai i përshkruan si mbështetës të luftës së Putinit.

“Unë vërtet kam dashur t’i bëj burrat e Izhmas që të dyshojnë në domosdoshmërinë e pjesëmarrjes në luftë, dhe unë nuk i mohoj qëllimet e mia”, ka thënë ai.

‘Putini do të ekzekutohet’

Semyonov ka thënë se opozita e tij ndaj Putinit ka nxitur beteja personale dhe profesionale në jetën e tij, përfshirë konfliktet me nënën e tij, dhe së fundi, edhe me qendrën e riciklimit në Izhma, e cila ia ka ofruar një pagë të dinjitetshme.

Ai ka thënë se kolegët e tij në qendrën e riciklimit kanë refuzuar të punojnë me të për shkak të aktivizmit të tij kundër luftës, dhe pas thirrjeve të tij për bojkotim të urdhrit të Putinit për mobilizim.

Ndërkohë, partnerët e tij e kanë marrë përsipër biznesin, në mënyrë që “të mos diskreditohet gjithë qendra e riciklimit”.

Pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, Semyonov është arrestuar dy herë dhe është gjobitur, pasi është shpallur fajtor për “diskreditim” të forcave të armatosura ruse.

Ai i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ka refuzuar të paguajë gjobën prej 367 dollarëve, jo pse nuk ka pasur para, por sepse nuk ka dashur “të financojë luftën kriminale”.

Aktivisti Aleksey Semyonov i akuzuar për diskreditim të ushtrisë.
Aktivisti Aleksey Semyonov i akuzuar për diskreditim të ushtrisë.

Më 28 shtator 2022, ai është arrestuar, pas prishjes së një organizimi në Shtëpinë e njëjtë të Kulturës nga e cila janë nisur burrat për mobilizim.

Ai ka thënë të ketë bërtitur: "Putin do të ekzekutohet për dërgimin e banorëve të Izhmas në luftën vëllavrasëse”.

Semyonov është dërguar më pas në gjykatë, ku është i është shqiptuar dënimi prej pesë ditësh burgim për mospagim të gjobës për “diskreditim”.

Ai, po ashtu, është ngarkuar me akuza, të cilat janë të dënueshme me tri vjet burgim.

‘Pretendo se ke vdekur’

Semyonov ka thënë se shpreson që do t’i pezullohet rasti i tij penal për “diskreditim” – akuzë, e cila sipas mbrojtësve të të drejtave të njeriut, mëton të shtypë zërat kundërshtues për luftën e Kremlinit në Ukrainë.

Ai ka thënë për Radion Evropa e Lirë se nuk synon të ikë në Rusi, duke thënë se nuk do të mund të gjente punë diku tjetër, dhe se gruaja e tij refuzon të largohet.

Semyonov është, po ashtu, baba i tre djemve, për të cilët vlen urdhri i mobilizimit.

Njëri prej tyre tashmë është gjobitur pse ka marrë pjesë në protestën kundër luftës, dhe tani dëshiron të largohet nga Rusia.

Sipas Semyonovit, djemtë e tij po tentojnë t’i shmangen mobilizimit, si dhe u ikin vazhdimisht bastisjeve periodike.

“Unë u them: Nuk keni nevojë të shkoni askund. Nëse ata synojnë që me forcë t’ju mobilizojnë, pretendoni që keni vdekur”, ka thënë Semyonov.

“Qeverisë nuk i duhen njerëzit e vdekur”.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG