Presidenti i Irakit, Abdel Latif Rashid, ka dënuar Turqinë për bombardimet në zonën afër aeroportit Sulaimanijah, që gjendet në një rajon autonom kurd.
“Operacionet ushtarake turke kundër rajonit kurd po vazhdojnë dhe sulmet e fundit ishin [të premten, më 7 prill] kundër aeroportit civil Sulaimanijah”, tha Rashid përmes një deklarate.
Rashiq, që vetë është kurd nga Sulaimanijah, tha se veprimet e forcave turke “nuk kanë justifikim ligjor” dhe shërbejnë vetëm “për të terrorizuar civilët nën pretekstin se në Irak ka forca armiqësore”.
Ai iu referua Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit që janë prezentë në rajonin Kurdistan të Irakut dhe janë në listën e zezë si organizatë “terroriste” nga Turqia dhe aleatët e saj.
Turqia vazhdimisht ka tentuar që ta largojë këtë grup rebelë nga kjo zonë përmes operacioneve ajrore dhe tokësore.
Të hënën, më 3 prill, Turqia ndaloi fluturimet për dhe nga aeroporti Sulaimanijah deri të paktën 3 korrik, duke fajësuar aktivitetin në rritje nga Partia e Punëtorëve të Kurdistanit në dhe përreth aeroportit.
Ministria e Jashtme turke tha se aktivitetet e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit paraqesin “kërcënim” për sigurinë ajrore.
Në fillim të marsit, Turqia kreu sulme me dron në veri të Irakut duke vrarë dy luftëtarë jazidi, të lidhur me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, disa ditë pas sulmeve të ngjashme që vranë tre luftëtarë.
Partia e Punëtorëve të Kurdistanit ka kryer kryengritje në Turqi, që ka marrë jetën e dhjetëra mijëra personave, që nga viti 1984.