Ndërlidhjet

Përpjekja e talibanëve për përmirësimin e marrëdhënieve diplomatike


Ambasada afgane në Uashington, e cila ende mban flamurin trengjyrësh zi-kuq-jeshile.
Ambasada afgane në Uashington, e cila ende mban flamurin trengjyrësh zi-kuq-jeshile.

Më shumë se 18 muaj pas përmbysjes së Qeverisë afgane të njohur ndërkombëtarisht, si dhe marrjes së pushtetit me forcë, pushteti i vendosur i talibanëve ende nuk njihet nga asnjë vend.

Udhëheqësit e talibanëve janë vendosur në listën e ndalimit të fluturimeve dhe organizata është mbyllur nga sistemi financiar ndërkombëtar. Për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe lidhjeve me organizatat ekstremiste, grupi militant i ka vendosur vetes hije të zezë.

Megjithatë, talibanët janë përpjekur të rrisin besueshmërinë e tyre duke marrë kontrollin e misioneve diplomatike afgane jashtë shtetit, shumë prej të cilave ende mbikëqyren nga diplomatë të emëruar nga administrata e mëparshme.

Organizata ekstremiste pohon se ka përfaqësim diplomatik në 14 vende, duke përfshirë të gjitha vendet fqinje, përveç Taxhikistanit. Gjithashtu, mendohet se ky grup mori përsipër misionet në Indonezi, Turqi, Kinë, Rusi dhe Kinë.

Talibanët morën kontrollin e Ambasadës afgane në Kinë në prill të vitit 2022.
Talibanët morën kontrollin e Ambasadës afgane në Kinë në prill të vitit 2022.

Sipas analistëve, disa vende fqinje kanë hapur lidhje diplomatike me regjimin taliban për shkak të frikës rreth terrorizmit dhe migrimit. Ekzistojnë marrëdhënie të ngushta midis talibanëve dhe vendeve të tjera, përfshirë Pakistanin dhe Iranin, ku grupi kryengritës ka dërguar ambasadorë.

Sipas një ambasadori afgan të vendosur në Evropë, i cili foli për Radion Evropa e Lirë në kushte anonimiteti, "kontrolli i misioneve diplomatike përgatit rrugën që talibanët të lobojnë për njohjen formale në ato vende. Talibanët shpresojnë që këto vende të heqin dorë me kalimin e kohës".

Talibanët nuk e kanë marrë kontrollin e asnjë misioni afgan në Perëndim. Ambasadat dhe konsullatat afgane në Evropë dhe Amerikën e Veriut ende mbajnë flamurin trengjyrësh zi-kuq-jeshil. Ato gjenerojnë të ardhura duke ofruar shërbime konsullore për afganët jashtë vendit dhe të huajt që kërkojnë të udhëtojnë në Afganistan. Si rezultat i mungesës së financimit, disa misione janë braktisur. Disa kanë zvogëluar koston ose janë zhvendosur për të kursyer para.

Vendet perëndimore e kanë kufizuar njohjen e talibanëve me kusht që të vendoset një administratë gjithëpërfshirëse, t’i mbrojnë të drejtat e grave, si dhe të shkëputen nga Al-Kaeda. Disa vëzhgues pohojnë se militantët kanë refuzuar të ndajnë pushtetin, kanë kufizuar ashpër të drejtat e grave dhe ende kanë lidhje me organizatat terroriste.

Një tjetër ambasador afgan i vendosur në Evropë, i cili gjithashtu foli për Radion Evropa e Lirë në kushte anonimiteti, pohoi se "talibanët dhe komuniteti ndërkombëtar, nuk janë aspak në një faqe të njëjtë".

Marrëdhënie "transaksionale"

Talibanët kanë shtuar përpjekjet e tyre për të marrë kontrollin e 65 misioneve të jashtme të Afganistanit në muajt e fundit.

Muajin e kaluar, talibanët morën kontrollin e Konsullatës afgane në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe të Ambasadës së Afganistanit në Turkmenistan. Ndërsa ambasada afgane në Teheran u mor nga talibanët në shkurt.

Rojet e sigurisë qëndrojnë jashtë Ambasadës afgane në Islamabad. (Fotografi nga arkivi)
Rojet e sigurisë qëndrojnë jashtë Ambasadës afgane në Islamabad. (Fotografi nga arkivi)

Taxhikistani, i vetmi vend fqinj që kundërshtoi publikisht kthimin e talibanëve në pushtet në Afganistan, duket të jetë objektivi i radhës i talibanëve. Dushanbe ka pritur disa nga udhëheqësit e Frontit të Rezistencës Kombëtare (NRF), një grup i rezistencës anti-talibane që përbëhet kryesisht nga taxhikë etnikë nga Afganistani.

Talibanët deklaruan muajin e kaluar se disa nga përfaqësuesit e tyre vizituan Konsullatën afgane në qytetin lindor të Khorog. Autoritetet e Taxhikistanit nuk kanë komentuar lidhur me këtë.

Mohammad Zahir Aghbar, ambasador afgan në Dushanbe, tha se ishte skeptik.

“Talibanët nuk i kanë vërtetuar pretendimet e tyre duke publikuar fotografi të vizitës apo takimeve të tyre”, tha ai për Shërbimin Taxhik të Radios Evropa e Lirë.

Por, një ish-diplomat afgan me bazë në Evropë, i cili është i lidhur me NRF-në tha se talibanët ishin të angazhuar në bisedime sekrete me Qeverinë Taxhikistan.

"Pas një viti, rezistenca nuk ka arritur shumë", tha diplomati, duke iu referuar shtypjes së opozitës së armatosur të NRF-së nga talibanët.

"Qeveria e Taxhikistanit po përpiqet të vendosë një ekuilibër midis zyrtarëve afganë dhe të rezistencës [udhëheqësisë] taxhike".

*EXPOSÉ nga arkivi: A ndryshojnë dot talibanët?

Aleanca Veriore anti-talibane ishte e suksesshme në parandalimin e administratës talibane që të merrte të gjithë vendin në vitet 1990. Opozita ishte e bazuar në Afganistanin verilindor, kishte bastione në Taxhikistan dhe mori mbështetje nga vendet fqinje.

Këtë herë, disa grupe të vogla të armatosura janë ngritur kundër kontrollit taliban në pjesë të ndryshme të vendit. Megjithatë, ekspertët pohuan se ata janë ende të dobët, të ndarë dhe pa asnjë mbrojtje apo ndihmë nga jashtë.

"Kjo heq mundësinë e alternativave ndaj regjimit taliban për të ardhmen e parashikueshme", tha Hameed Hakimi, një ekspert i Afganistanit në Qendrën e mendimit të Këshillit Atlantik me bazë në Uashington.

"Kjo, nga ana tjetër, siguron që talibanët mund të kenë marrëdhënie miqësore, ose të paktën një lloj transaksioni, me vendet në rajon".

Sipas Hakimit, rreziku i paraqitur nga organizatat ekstremiste me bazë në Afganistan, si Jamaat Ansarullah, Lëvizja Islamike e Uzbekistanit (IMU) dhe Shteti Islamik-Khorasan (IS-K), ka bërë që fqinjët e Afganistanit të krijojnë lidhje diplomatike me talibanët.

Militantët e IS-K kanë kryer sulme vdekjeprurëse kundër talibanëve, pakicave fetare dhe misioneve të huaja në Kabul.

"Mbajtja e talibanëve në marrëdhënie të mira është në avantazhin e vendeve rajonale dhe fqinje që shpresojnë se talibanët do të jenë të dobishëm kundër kërcënimit të terrorizmit", tha Hakimi.

Përgatiti: Albina Kastrati

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG