Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) pret vetëm rritje të ngadalshme ekonomike në vitet në vijim, pavarësisht tregjeve të punës, ka thënë shefja e kësaj organizate, Kristalina Georgieva.
“Rritja vazhdon të jetë e ngadalshme, në nivele historike, tani, dhe në periudhë afatmesme”, ka thënë Georgieva, duke shtuar se India dhe Kina kanë kontribuuar në gjysmën e rritjes ekonomike globale këtë vit.
Rritja është duke u ngadalësuar në 90 për qind të shteteve të industrializuara, përfshirë Eurozonën, ku sipas FMN-së, normat e larta të interesit do të rëndojnë mbi kërkesën.
FMN-ja do të prezantojë gjetjet e reja javën e ardhme, në takimin pranveror në Uashington.
Në janar, kjo organizatë pati parashikuar rritje ekonomike globale vetëm 2.9 për qind për këtë vit, për shkak të pasojave të shkaktuara nga lufta në Ukrainë dhe inflacionit të lartë.
Mirëpo tani pamja është edhe më e “zbehtë” sesa në tetor, ka thënë FMN-ja.
“Duke marrë parasysh tensioenet gjeopolitike në rritje dhe inflacionin ende të lartë, rimëkëmbja e fuqishme është pak e mundshme”, ka theksuar Georgieva, e cila i ka përgëzuar bankat qendrore për politikat e tyre strikte monetare.
Sipas saj, bankat duhet të vazhdojnë të luftojnë kundër inflacionit të lartë.