Ndërlidhjet

Trump: Aktakuza ndaj meje, ndërhyrje në zgjedhjet e ardhshme


Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida. 4 prill 2023.
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida. 4 prill 2023.

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e quajti aktakuzën si sulm ndaj tij dhe si betejën e fundit me drejtësinë.

Kështu deklaroi ai mbrëmë në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida, gjatë deklarimit për media.

“Ky rast i rremë [aktakuza] u ngrit vetëm për të ndërhyrë në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2024 dhe duhet të mbyllet menjëherë”, tha ai.

Ai shtoi se nuk e ka menduar kurrë se “diçka e tillë mund të ndodhte në Amerikë”.

“Krimi i vetëm që kam kryer ka qenë mbrojtja pa frikë e vendit tonë ndaj atyre që kërkojnë ta shkatërrojnë atë", tha Trump.

Më 4 prill, në një gjykatë në Manhatan të Nju Jorkut, Trump është deklaruar i pafajshëm lidhur me 34 akuza për vepra penale për falsifikim të regjistrave biznesorë.

Prokurori i rastit, Alvin Bragg, tha se Trump i ka falsifikuar vazhdimisht këta regjistra për të fshehur krimet e kryera si pjesë e “komplotit për të minuar integritetin e zgjedhjeve të vitit 2016”.

Në aktakuzë thuhet se ishin bërë pagesa prej 30 mijë dhe 150 mijë dollarësh ndaj një ish-roje të Kullës Trump, i cili pretendonte se kishte një histori për një fëmijë që Trump e kishte jashtë martese, dhe për një grua që pretendonte se kishte një marrëdhënie seksuale me Trumpin.

Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në një gjykatë në Manhatan të Nju Jorkut. 4 prill 2023.
Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në një gjykatë në Manhatan të Nju Jorkut. 4 prill 2023.

Akuzat u ngritën pas një hetimi lidhur me një pagesë që ai dyshohet t’ia ketë bërë yllit të pornografisë, Stormy Daniels, në përpjekje e sipër për ta blerë heshtjen e saj, gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016, për një aferë të supozuar.

Pagesa besohet se është kryer në mënyrë të ligjshme, mirëpo supozohet se Trump e ka regjistruar atë si shpenzim biznesor. Falsifikimi i regjistrave biznesorë përbën shkelje në Nju Jork.

Gjykatësi Juan Merchan bëri të ditur se seanca gjyqësore e radhës do të mbahet më 4 dhjetor të këtij viti.

Trump, 76-vjeçar, është ish-presidenti i parë amerikan që përballet me akuza penale.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG