Kompania amerikano-turke “Bechtel&Enka”, të martën ka nisur punimet për ndërtimin e dy autostradave në Maqedoninë e Veriut, atë të Korridorit 8, Tetovë-Gostivar-Kërçovë-Strugë –Qafëthanë(Shqipëri) dhe tjetrën të Korridori 10-D, që do të lidhë Prilepin me Manastirin në pjesën jugore të këtij shteti.
Ndërtimi i këtyre dy autostradave në gjatësi prej 110 kilometrash do të kushtojë 1.3 miliard euro. Gjysma e kësaj vlere do të sigurohet nga buxheti i Maqedonisë së Veriut, ndërsa pjesa tjetër apo rreth 600 milionë euro do të sigurohen nga shitja e një eurobondi (kredie).
Në këtë shumë nuk është përfshirë edhe shpronësimi apo dëmshpërblimi i banorëve apo subjekteve tjera nëpër të cilat kalon autostrada. Sipas vlerësimeve të para, shpronësimi mund të arrijë në 300 milionë euro shtesë, ndërkohë nuk përjashtohet mundësia që vlera e tërë projektit të rritet edhe për siç thonë, “punë të paparashikueshme”.
“Me pozitën gjeostrategjike që ka dhe me Korridorin 8, ne bëhemi një rutë transporti në rajon dhe më gjerë. Vendosja e gurit themeltar nuk nënkupton vetëm infrastrukturën e re rrugore, por [është] gurthemel edhe i investimeve të reja. Ky korridor nënkupton më pak shpenzime për rrugë, transport më të mirë, si dhe lidhjen e Maqedoninë së Veriut me rajonin dhe zhvillimin e saj”, ka deklaruar kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski.
Përfaqësuesit e konsorciumit “Bechtel&Enka”, thanë se do të punojnë me përkushtim në realizimin punimeve deri në afatin e paraparë prej 57 muajsh apo deri në vitin 2027.
Ambasadorja e SHBA-së në Shkup, Angela Aggeler, tha se nisja e punimeve të këtij korridori është me rëndësi të madhe jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për rajonin dhe më gjerë.
“Kjo është një ditë e veçantë për Maqedoninë e Veriut, Ballkanin Perëndimor dhe gjithë Evropën. Rrugët janë shumë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik. Ato mundësojnë lëvizje më të mirë të njerëzve dhe mallrave, por edhe të tërheqin më shumë investime të huaja. Kjo autostradë do të ndihmojë Maqedoninë e Veriut në integrimin e saj më të mirë rajonal dhe në forcimin e raporteve me fqinjët e saj”, tha Aggeler.
Punimet nisin pa u sqaruar dyshimet për kompanitë mbikëqyrëse
Punimet për ndërtimin autostradës së Korridorit 8 kanë nisur pa pasur ende një epilog lidhur me dyshimet për keqpërdorime të mundshme në tenderin për përzgjedhjen e kompanisë për mbikëqyrjen e punimeve në vlerë prej 22.3 milionë eurosh.
Pas shkrimeve të shumta në media, reagimeve të partive politike dhe të opinionit në përgjithësi, Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, më 30 prill ka hapur lëndë për këtë rast. Pas shqyrtimit të pretendimeve, kjo prokurori do të vendosë nëse do të nisë hetimet mbi dyshimet për keqpërdorim gjatë përzgjedhjes së kompanisë fituese.
Punimet, sipas vendimit të Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, do t’i mbikëqyrë kompania italiane “IRD Engineering”, nëpërmjet tri kompanive tjera, dy maqedonase “Elektra Solutions”, dhe “Euro Consult” dhe kompanisë spanjolle “Eptisa”.
Por, besueshmëria e dy kompanive është vënë në pikëpyetje pasi themeluesi i kompanisë “Euro Consult”, Branisllav Dimitrijeviq, sipas dokumenteve që janë siguruar nga Rrjeti për gazetari hulumtuese, BIRN, akuzohet për mashtrim në Armeni në mbikëqyrjen e disa projekteve infrastrukturore të mbështetura nga BE-ja, konkretisht në mbikëqyrjen e Korridorit Veri-Jug.
Ndërkohë, kompania tjetër “Euro Consult” dyshohet se nuk është kompetente për mbikëqyrjen e projekteve në sferën e infrastrukturës, pasi në regjistrin qendror figuron si kompani që merret me prodhime tekstili.
Por, këto pretendime janë kundërshtuar në vazhdimësi nga institucionet, të cilat kanë ftuar organet e ndjekjes që të hetojnë rastin “për të mos lënë dyshime apo t’i vëne hije të keqe Korridorit 8, që është i një rëndësi të madhe për Maqedoninë e Veriut”, sipas Qeverisë.
Sipas saj, ndërtimi i dy korridoreve evropiane do të ndikojë jashtëzakonisht në zhvillim më të shpejtë ekonomik, lidhje më të mira me fqinjët dhe korridoret evropiane”.
“Procedura dhe përzgjedhja ka qenë në përputhje me të gjitha aktet ligjore dhe nënligjore për prokurimin publik dhe transparente që në fillim”, kanë thënë nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore.
Partitë opozitare me akuza për kurdisje të tenderëve
VMRO DPMNE-ja, partia opozitare maqedonase tha se procesi i ndërtimit të autostradave të Korridorit 8, po përcillet me afera të shumta korruptive.
Kjo parti pretendon për shkelje të shumta në përzgjedhjen e kompanisë fituese, në një marrëveshje në “katër sy”, pa tender dhe me vendim të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.
“Unë kam pritur që sot zyrtarët të japin llogari para organeve të ndjekjes për gjithë krimin e bërë, por do të vijë dita edhe për këtë, pasi ata duhet të mbajnë përgjegjësi për milionat e hedhura në erë. Ato para iu dhanë një kompanie me kapital të dyshimtë nga lindja, e cila mbikëqyrjen do ta realizojë përmes një kompanie tjetër, e cila në veprimtarinë e saj është e njohur për prodhime tekstili apo të veshjeve të brendshme”, tha kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Opozita maqedonase pretendon se katër ekspertë të angazhuar në punën e mbikëqyrjes për vetëm një muaj punë janë paguar 900 mijë euro.
Edhe partia opozitare shqiptare, Lëvizja Besa, e ka kritikuar përurimin e punimeve pa u sqaruar, sipas saj, të gjitha dyshimet në opinion për keqpërdorime në përzgjedhjen e kompanisë për mbikëqyrjen e punimeve.
“Qytetarëve janë të lodhur nga projektet pompoze milionëshe që asnjëherë nuk përfundojnë... Skandaloze në këtë projekt janë dyshimet se punimet mbikëqyren nga kompani që nuk kanë asnjë lidhshmëri me veprimtarinë e tyre reale”, tha Avdush Demiri nga Lëvizja Besa.