Ndërlidhjet

BE-ja kërkon mundësi ligjore për të ndaluar importin e gazit rus


Ministrja belge e Energjisë, Tinne Van der Straeten (majtas), sekretarja e Parlamentit të Gjermanisë, Franziska Brantner (e dyta nga e majta), dhe ministrja e Energjisë së Maltës, Miriam Dalli (e dyta nga e djathta) pas takimit të ministrave evropian të energjisë në Bruksel.
Ministrja belge e Energjisë, Tinne Van der Straeten (majtas), sekretarja e Parlamentit të Gjermanisë, Franziska Brantner (e dyta nga e majta), dhe ministrja e Energjisë së Maltës, Miriam Dalli (e dyta nga e djathta) pas takimit të ministrave evropian të energjisë në Bruksel.

Vendet e Bashkimit Evropian ranë dakord të martën të kërkojnë një opsion ligjor për t'ua ndaluar kompanive ruse që të dërgojnë gaz natyror të lëngshëm (LNG) në vendet e BE-së.

Propozimi i vendeve është pjesë e pozicionit të tyre negociues mbi rregullat e reja të tregut të gazit të BE-së. I njëjti nuk është përfundimtar dhe do të duhet të negociohet me Parlamentin Evropian - një proces që mund të marrë muaj.

BE-ja prej 27 vendesh është zotuar të heqë dorë nga gazi rus në përgjigje të pushtimit të Ukrainës nga Moska. Importet evropiane të gazit nga Rusia janë ulur që nga pushtimi, por importet e gazit të lëngshëm natyror janë rritur.

Dërgesat e gazit natyror të lëngshëm rus në Evropë u rritën vitin e kaluar - në 22 miliardë metra kub, nga rreth 16 miliardë metra kub në 2021, sipas një analize të BE-së, të cilën e ka parë Reuters.

Nëse miratohet, propozimi do t'u ofrojë vendeve anëtare një rrugë për të ndaluar importet e LNG-së nga Rusia pa pasur nevojë të përdorin sanksione - të cilat politikisht janë më të vështira për t'u marrë, sepse kanë nevojë për miratim unanim nga të 27 vendet anëtare të BE-së.

Komisionari i BE-së për Energjinë, Kadri Simson, këtë muaj u kërkoi kompanive evropiane të mos nënshkruajnë marrëveshje të reja me kompanitë rusë të LNG-së, pasi të skadojnë kontratat e tyre ekzistuese. Ministrja spanjolle e Energjisë, Teresa Ribera, bëri të njëjtën kërkesë për importuesit dhe operatorët e LNG-së në Spanjë.

Megjithatë, kërkesa të tilla nuk janë detyruese, pasi gazi rus dhe gazi i lëngshëm natyror nuk janë subjekt i sanksioneve të BE-së.

BE-ja ka vendosur sanksione për importet e naftës së papërpunuar dhe produkteve të naftës ruse.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG