Ndërlidhjet

Çka janë armët me uranium të varfëruar dhe cilat janë rreziqet nga to?


Armë bërthamore - Fotografi ilustruese nga arkivi.
Armë bërthamore - Fotografi ilustruese nga arkivi.

Reuters

Britania e Madhe tha se do ta furnizojë Ukrainën me municione që përmbajnë uranium të varfëruar për të ndihmuar në shkatërrimin e tankeve ruse, një hap që presidenti Vladimir Putin tha se do ta detyronte Moskën t’i përgjigjej, pasi armët kanë "një komponentë bërthamore".

Por, çka janë këto municione?

Uraniumi i varfëruar është një nënprodukt i dendur që mbetet kur uraniumi pasurohet për përdorim në reaktorët bërthamorë ose armët bërthamore.

Uraniumi i varfëruar është ende radioaktiv, por ka një nivel shumë më të ulët të izotopeve U-235 dhe U-234, shumë më pak se nivelet në mineralin natyror të uraniumit, duke reduktuar radioaktivitetin e tij.

Përdoret në armë, sepse është aq i dendur sa që vetëndizet në temperatura dhe presione të larta dhe sepse bëhet më i mprehtë, ndërsa depërton në veshjet e blinduara, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore.

Kjo do të thotë se si i tillë kur godet armaturën e një tanku, ai çahet sa hap e mbyll sytë, ndërsa temperaturat në rritje shpërthejnë karburantin dhe municionin e rezervuarit.

Kush i ka ato?

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Rusia, Kina, Franca dhe Pakistani prodhojnë armë uraniumi, të cilat nuk klasifikohen si armë bërthamore, sipas Koalicionit Ndërkombëtar për Ndalimin e Armëve të Uraniumit.

Ndërsa, 14 shtete të tjera janë të njohura për ruajtjen e tyre.

Cilat janë rreziqet?

Ka pasur shumë studime - dhe polemika - rreth efekteve të ekspozimit ndaj armëve me uranium të varfëruar, veçanërisht në fushëbetejë. Municione të tilla u përdorën në Luftën e Gjirit të viteve 1990-1991, dhe në bombardimet e NATO-s të vitit 1999.

Rreth 340 tonë uranium të varfëruar u përdorën në municione gjatë Luftës së Gjirit të vitit 1991 dhe rreth 11 tonë në Ballkan në fund të viteve 1990, sipas Royal Society, një shoqëri shkencëtarësh me bazë në Londër.

Gëlltitja ose thithja e sasive të uraniumit - madje edhe uraniumit të varfëruar - është e rrezikshme: ai ul funksionin e veshkave dhe rrit rrezikun e zhvillimit të një sërë kanceresh.

Kundërshtarët e armëve, si Koalicioni Ndërkombëtar për Ndalimin e Armëve të Uraniumit, thonë se pluhuri i krijuar nga armë të tilla mund të thithet, ndërsa municionet që humbasin objektivin e tyre mund të helmojnë ujërat nëntokësore dhe tokën.

Vendet si Shtetet e Bashkuara dhe Britania thonë se uraniumi i varfëruar është një mjet i mirë për të shkatërruar një tank modern.

Çka thotë shkenca?

Royal Society tha në një raport në vitin 2002 se rreziqet për veshkat dhe organet e tjera nga përdorimi i municioneve të uraniumit të varfëruar janë shumë të ulëta për shumicën e ushtarëve në fushëbetejë dhe për ata që jetojnë në zonën e konfliktit.

"Në kushte ekstreme dhe nën supozimet e rastit më të keq, ushtarët që marrin sasi të madh të uraniumit të varfëruar mund të pësojnë efekte negative në veshka dhe mushkëri”.

"Ndotja e mjedisit do të jetë shumë e ndryshueshme, por në shumicën e rasteve rreziqet shëndetësore të lidhura për shkak të uraniumit të varfëruar do të jenë shumë të ulëta. Në skenarët më të këqinj, nivele të larta lokale të uraniumit mund të ndodhen në ushqim ose ujë që mund të kenë efekte negative në veshka".

Studimet e ushtarëve dhe veteranëve të luftërave ku është përdorur ky element kanë treguar se efektet negative janë statistikisht shumë të vogla.

Një raport i Programit të Mjedisit të Kombeve të Bashkuara mbi ndikimin e uraniumit të varfëruar në Serbi dhe Malin e Zi, nuk gjeti "ndotje të rëndësishme dhe të përhapura".

Disa politikanë serbë e kanë kundërshtuar këtë dhe kanë raportuar për rritje të sëmundjeve malinje në Serbi dhe rritje të numrit të vdekjeve nga tumoret malinje.

Çka tha Rusia?

Presidenti rus tha se nëse kjo do të ndodhë, Rusia do të duhej të përgjigjej në përputhje me rrethanat, pa dhënë detaje se çfarë mund të sjellë një përgjigje e tillë. Ai tha se Perëndimi po përdor armë me komponentë bërthamore.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se predhat e uraniumit të varfëruar vranë jo vetëm ata që ishin në shënjestër, por gjithashtu shkaktuan "dëm kolosal", si për ata që përdorën armët, ashtu edhe për civilët që jetonin në zonat e luftës.

Ajo tha se kishte pasur një rritje të madhe të rasteve të kancerit në Jugosllavi pas përdorimit të municioneve të tilla nga aleanca ushtarake NATO në vitin 1999.

Çka tha Britania?

Sekretari i Jashtëm britanik, James Cleverly, tha se “ia vlen të sigurohemi që të gjithë ta kuptojnë se vetëm për shkak se fjala uranium është në titullin e municioneve me uranium të varfëruar, ato nuk janë municione bërthamore, ato janë municione thjesht konvencionale”.

Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes të Britanisë së Madhe tha: "Ushtria britanike ka përdorur uranium të varfëruar në predhat e saj të blinduara për dekada".

Përgatiti: Erjonë Popova

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG