Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) në Kosovë ka bë të ditur për Radion Evropa e Lirë se tarifat e reja për energji elektrike pritet të jenë më të larta, për rreth 15 për qind.
Ky vendim, sipas ZRRE-së pritet të merret së shpejti.
Të enjten Bordi i ZRRE-së ka miratuar kërkesën e Kompanisë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) për të hyrat e lejuara maksimale.
Të hyrat e lejuara maksimale kapin vlerën e rreth 400 milionë euro. Këto të hyra i mundësojnë operatorit kryerjen e funksioneve të operimit në kushte optimale.
Kërkesa e KESCO-s për të hyra maksimale është bërë në dhjetor të vitit të kaluar me arsyetimin e rritjes së çmimit të importit të energjisë elektrike dhe rritjes së shpenzimeve tjera.
Kosova importon rrymën sipas çmimit të energjisë elektrike në bursën hungareze HUPX.
Në gushtin e vitit 2021, çmimi ishte 150 euro për megavat. Në muajin gusht të vitit 2022, çmimi arriti në rreth 430 euro për megavat, por më vonë u stabilizua në rreth 260 euro.
Më 23 mars të vitit 2023, çmimi për megavat në bursën HUPX ishte 105 euro.
Tarifat e reja sipas ZRRE-së pritet të hyjnë në fuqi më 1 prill dhe do të aplikohen deri më 31 mars 2024.
ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe caktimin e tarifave çdo vit.
Tarifat aktuale për konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë në orë, brenda një muaji paguajnë 12.5 centë për kilovat gjatë tarifave të shtrenjta, ndërsa 5.9 centë gjatë tarifave të ulëta.
Konsumatorët që shpenzojnë më pak, paguajnë 7 centë për kilovat gjatë tarifave të shtrenjta dhe 3 centë gjatë tarifave të lira.