Ndërlidhjet

Lufta në Siri ua shkatërroi jetën, tërmeti në Turqi ua shoi shpresat


Douaa Idris, refugjatja siriane e vendosur në Turqi, që tani po përballet me vështirësi pas tërmeteve shkatërruese të shkurtit. Gaziantep, 14 shkurt 2023.
Douaa Idris, refugjatja siriane e vendosur në Turqi, që tani po përballet me vështirësi pas tërmeteve shkatërruese të shkurtit. Gaziantep, 14 shkurt 2023.

Reuters

Pasi i mbijetoi në sulmi kimik në Siri, Douaa Idris, burri i saj dhe dy fëmijët e tyre u larguan përtej kufirit në jug të Turqisë, ku ata me mund ndërtuan jetën e tyre si refugjatë.

“Lindëm sërish”, tha Idris, 32 vjeçe, e cila u vendos në qytetin e Gaziantepit së bashku me 450.000 sirianë që ikën nga konflikti që kishte shpërthyer në atdheun e tyre.

Bota e saj e re u shkatërrua më 6 shkurt.

Dy tërmete të fuqishme shkatërruan ekzistencën e brishtë të diasporës së Sirisë në Turqi dhe shtyu ata që sërish të rindërtojnë jetën e tyre disi dhe diku.

Për Idrisin, kjo fatkeqësi natyrore ishte pikë kthese njëjtë sikurse tragjedia njerëzore e luftës dhe për herë të parë që kur u largua nga Siria, familja e saj po e shqyrton mundësinë që të largohet më tej nga atdheu, në Evropë ose në Gjirin Persik.

Douaa Idris, punëtore në një organizatë që ndihmon sirianët.
Douaa Idris, punëtore në një organizatë që ndihmon sirianët.

“Ne themi, çfarë ishte para kryengritjes dhe çfarë ishte pas kryengritjes”, tha ajo për Reuters në një intervistë dhënë nga banesa e saj, muret e të cilës janë të çara. “Tani, ne themi çfarë ishte para tërmetit dhe çfarë pas tërmetit”.

Fatkeqësia natyrore goditi vetëm një muaj para se sirianët të shënonin 12-vjetorin e protestave që nisën në atdheun e tyre kundër presidentit Bashar al-Assad. Këto protesta ishin pjesë e rebelimit më të gjerë të Pranverës Arabe që rrëzoi nga pushteti një sërë liderësh autokratë.

Kryengritja popullore në Siri shpejt u shndërrua në një konflikt të ndërlikuar që ka lënë të vrarë qindra mijëra persona dhe duke ndarë shtetin në zona rivale të kontrollit.

Assadi qëndroi në pushtet. Por qindra, më pas mijëra, më pas miliona sirianë u larguan në veri në shtetin fqinj, Turqi, ku atyre u është dhënë status i mbrojtjes së përkohshme.

Numri i refugjatëve u rrit dhe po ashtu u rrit edhe numri i qyteteve që i mirëpritën.

Në Ankara u ndërtuan hotele për të strehuar gazetarët dhe punëtorët e ndihmës, në Gaziantep u hapën restorante dhe kafiteri siriane dhe dhjetëra grupe të shoqërisë civile, media dhe organizata ndërkombëtare vendosën selitë e tyre në jug të Sirisë.

Goditje e dyfishtë

Diaspora siriane dërgoi para në familjet e tyre në Siri, nganjëherë ata i vizituan familjarët gjatë festave duke përdorur leje të përkohshme turke dhe organizuan shpërndarje të ndihmave gjatë muajve të ftohtë të dimrit apo gjatë festave myslimane.

“Ishte sikurse ne po punonim në veri të Sirisë, por nga distanca”, tha Idris, e cila punon në Organizatën për Ndihmë dhe Zhvillim, Amal, që është një organizatë joqeveritare që ndihmon në krijimin e hapësirave të sigurta për gratë dhe vajzat që gjenden brenda Sirisë.

*Video nga arkivi: Shkatërrimet pas tërmeteve të fuqishme në Turqi dhe Siri

Skena tragjike pas tërmeteve në Turqi dhe në Siri
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:38 0:00

Por, sirianët e zhvendosur në Turqi u lidhën edhe me qytetet ku u zhvendosën.

Alaadin, një dyqanxhi nga qyteti verior sirian Alepo, tha se jetesa në Gaziantep e bëri atë që të ndihej afër shtëpisë.

“Ne e zgjodhëm këtë qytet sepse është afër Alepos, si mjedis dhe si njerëz, deri në atë pikë sa ne thoshim se Alepo është Antep dhe Antep është Alepo”, tha ai.

Kjo afërsi është pikërisht ajo që u dha sirianëve goditjen e dyfishtë kur vendi u godit nga tërmetet.

Jo vetëm që familjet e tyre në Siri edhe një herë u gjendën nën rrënoja, por kësaj radhe falë dridhjeve të tokës e jo të bombave të lëshuara nga lart. Megjithatë, komuniteti në diasporë që ka qenë shtylla kryesore për familjet e tyre në Siri, tani po kalon nëpër të njëjtën situatë.

Tërmetet kanë vrarë mbi 50.000 persona në Turqi dhe Siri, dhe vetëm në Siri janë regjistruar 5.800 viktima sipas të dhënave qeveritare dhe të Kombeve të Bashkuara. Ndërkaq në Turqi 4.200 viktima ishin sirianë, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme turke.

Zonat turke të goditura më së shumti nga tërmetet – Antakia historike, Gaziantepi urban, Kahramanamarshi me territor të madh dhe zona të tjera më të vogla industriale që gjenden në mes të këtyre tri qyteteve – ishin më afër kufirit me Sirinë.

Sipas OKB-së, në këtë zonë jetonin rreth 1.5 milion sirianë, apo pothuajse gjysma e popullsisë refugjate siriane që gjendet në Turqi.

Të varrosur në Turqi

Për herë të parë, organizata ku punon Idris u desh t’iu ofronte ndihmë grave dhe vajzave siriane që jetojnë në Turqi.

“Sirianët do të rimëkëmben. Sirianët janë të fortë. Por, sa shenja do të lë kjo”, tha ajo.

Tërmetet lanë të vdekur avokuesen e famshme të të drejtave të grave siriane, Raeifa Samie, e cila vdiq në qytetin turk, Hataj. Ajo ishte anëtare e komitetit që këshillonte bisedimet për përfshirjen e grave dhe po punonte në hartimin e Kushtetutës së re siriane.

Gazetari sirian, Yamaaan Khatib, që ishte shpërblyer me çmime për dokumentarët lidhur me jetën në Idlibin e kontrolluar nga rebelët, vdiq përkrahë gruas e tre fëmijëve të tyre, por edhe familjarëve të tjerë në shtëpinë e tyre në Hataj.

*Video: Varrosja e viktimave të tërmeteve në Turqi dhe Siri

Punëtorët sirianë të ndihmës kanë humbur familjarë edhe në Siri, dhe në Turqi, ose u detyruan që të flinin për ditë të tëra nëpër depo, pasi shtëpitë e tyre u dëmtuan rëndë.

Pas një muaji, gjysma e stafit në zyrën në Gaziantep e organizatës për Ndihmë siriane, Ihsan, janë bllokuar në qytetet e tjera, tha drejtori ekzekutiv i kësaj organizate, Baraa al-Samoodi.

Organizata Ihsan ka selinë në Gaziantep që nga viti 2014, dhe koordinon ndihmën në veri të Sirisë, përfshirë dërgimin e ushqimit dhe ofrimin e strehimit, riparimin e rrjeteve të ujit dhe ndihmon në projektet bujqësore.

Zyra e kësaj organizate u dëmtua nga tërmetet, por u riparua disa javë më vonë.

“Ne gjithmonë kemi bërë plane rezervë për zyrat dhe ekipet tona në Siri. Tani është e qartë se na duhet një plan i tillë edhe për Turqi”, tha Samoodi.

Për shumë refugjatë sirianë, tërmetet shuan shpresat e tyre se një ditë do të kthehen në atdhe. Për të tjerët, vdekja i dha fund ekzilit të tyre.

Biznesmeni sirian, Zaher Kharbotly, 43 vjeç, u desh t’i varroste dy motrat dhe fëmijët e tyre në qytetin turk Kërëkhan, ku ata po jetonin.

“Trupat e tyre nuk ishin në gjendje që të dërgoheshin në Siri”, tha Kharbotly, i cili tha se shpresonte se familjarët e tij do të mund të varroseshin në vendlindje, në provincën Idlib. “Të gjithë ata fëmijë që lindën, vdiqën dhe u varrosën këtu në Turqi”.

Më thellë në ekzil

Që nga tërmetet, mbi 40.000 sirianë që jetonin në Turqi janë kthyer në Siri për të parë nëse familjarët e tyre u kanë mbijetuar tërmeteve apo për t’u larguar nga Turqia, pasi kanë thënë se atmosfera në këtë shtet tashmë është e rëndë.

Me ndjenjën anti-refugjatë që po rritet dhe me të ardhmen e paqartë të tyre, shumë janë duke i rishqyrtuar qëndrimin në Turqi.

Në një stadium në Kahramanmarash, që është shndërruar në kamp të të zhvendosurve, ish-profesoresha e matematikës, Suad al-Asmar, vendosi jashtë një tendë që tash është streha e saj e vetme.

“Nuk më besohet se sërish jemi kthyer në kampe”, tha Asmar, e cila ka jetuar për vite në kampe në dy anët e kufirit para se të vendosej në Kahramanmarash me burrin e saj dhe katër fëmijët e tyre.

*Video nga arkivi: Shkatërrime në Siri nga tërmetet e fuqishme

Por, shtëpia e tyre modeste, dhe fabrika ku më herët punonte burri i saj, u shndërruan në gërmadha dhe Asmar tani ka frikë se e ardhmja e fëmijëve të saj është shkatërruar.

“Ata ishin në shkollë, duke u bërë gati për universitet. Por, tani sigurisht ata do të duhet të punojnë në mënyrë që ne të mund të mbijetojmë”, tha ajo.

Afër 1.7 milion fëmijë sirianë ishin refugjatë në Siri, sipas të dhënave të vitit 2021 të OKB-së. Nga ky numër, mbi 1 milion vijonin mësimin në shkolla.

Vajza adoleshente e Asmarit, Joudy, kishte shpresuar që të studionte për arkitekturë. Jashtë tendës së tyre, ajo shikon në telefonin e saj fotografitë e vizatimeve, dhe fotografinë e fletores së saj me vizatime që e ka gjetur në rrënojat e shtëpisë së saj.

“Çfarë do të vizatojmë tani, rrugë të shkatërruara?”, tha një prej fqinjëve të saj siriane, që po ashtu ka mbetur pa shtëpi dhe po jeton në tendë.

Sikurse Idris, Asmar më nuk ka shumë shpresa që të jetojë në shtetin që dikur i kishte dhënë një shans të dytë.

“E shndërrova atë shtëpi në shtëpinë tonë dhe tani ajo u shkatërrua. Nuk mendoj se do të blej asnjë filxhan çaji për shtëpinë e radhës në të cilën do të vendosemi sepse edhe ajo thjesht mund të shkatërrohet”, tha ajo.

“Gjithmonë kam menduar se ne do të jetonim këtu. Por, tani jam e gatshme të largohem”, përfundoi Asmar.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG