Ndërlidhjet

Shefi i NATO-s: Kina duhet të dëgjojë Ukrainën rreth planit për paqe


Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, i ka bërë thirrje të martën Pekinit që të ketë parasysh kushtet e Ukrainës për paqe me Rusinë, teksa presidenti kinez, Xi Jinping po takon presidentin rus, Vladimir Putin në Moskë.

Putin i ka thënë Xi-së se është i hapur për të diskutuar dokumentin 12-pikësh të Pekinit për konfliktin në Ukrainë, në të cilin bëhet thirrje për dialog dhe respektim të sovranitetit territorial të shteteve.

“I takon Ukrainës të vendosë se cilat janë kushtet e pranueshme për secilën zgjidhje paqësore”, ka thënë Stoltenberg në një konferencë për media, duke theksuar se Kina ka dështuar që të dënojë luftën e Moskës në Ukrainë.

“Prandaj Kina duhet të nisë të kuptojë perspektivën e Ukrainës dhe të angazhohet me presidentin (Volodymyr) Zelensky drejtpërdrejt, nëse dëshiron të jetë serioz për paqen”.

Shefi i aleancës ushtarake të Perëndimit, ka thënë se mirëpret propozimet që mund të çojnë në “paqe të qëndrueshme”.

Ai ka thënë se dokumenti i Kinës përmban disa elemente pozitive, përfshirë sigurinë bërthamore, mbrojtjen e civilëve dhe integritetin territorial.

Mirëpo, ai ka paralajmëruar se çfarëdo armëpushimi që nuk respekton sovranitetin e Ukrainës, “do të jetë vetëm rrugë për të ngrirë luftën dhe do t’i mundësojë Rusisë rigrupim dhe risulm”.

Kina ka tentuar të portretizojë veten si palë neutrale në konfliktin në Ukrainë, mirëpo Uashingoni ka thënë se lëvizjet e Pekinit mund të jenë “taktika ngecëse" për t’i ndihmuar Moskës.

Stoltenberg ka thënë se nuk ka parë ndonjë dëshmi se Kina është duke dërguar armë në Rusi.

“Mirëpo kemi parë disa shenja se diçka e tillë ka qenë kërkesë prej Rusisë dhe se kjo çështje është duke u shqyrtuar nga Pekini”, ka thënë ai.

“Mesazhi ynë ka qenë që Kina nuk duhet të dërgojë armë vdekjeprurëse në Rusi”.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG