Koreja Veriore e ka lëshuar një raketë balistike me rreze të shkurtër në ujërat lindorë të Gadishullit Korean të dielën, sipas Koresë Jugore dhe Japonisë.
Raketa besohet se ka fluturuar 800 kilometra para se të godiste shënjestrën, ka thënë ushtria e Koresë Jugore.
Ministria e Mbrojtjes në Japoni ka thënë se raketa ka fluturuar në lartësi prej 50 kilometrash.
Seuli e ka dënuar këtë testim raketor nga verikoreanët, dhe e ka cilësuar si “shkelje të qartë” të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Pak pas lansimit, Ministria për Mbrojtje Kombëtare e Koresë Jugore, ka thënë se Shtetet e Bashkuara e kanë përfshirë bombarduesen strategjike B-1B në stërvitjet ushtarake që janë duke zhvilluar Seuli me Uashingtonin ditëve të fundit.
Komanda amerikane për Indo-Paqësor ka thënë se lansimi i raketës verikoreane nuk përbën kërcënim të menjëhershëm për personelin amerikan dhe aleatët e saj.
Mirëpo në deklaratë është përmendur se, megjithatë, ajo vë në pah ndikimin destabilizues të armëve të paligjshme të Phenianit.
Edhe të enjten, Koreja Veriore e ka lëshuar atë që dyshohet të jetë raketë balistike interkontinentale në mes të Gadishullit Korean dhe Japonisë.
Pheniani ka thënë se testimi i raketës në fjalë ka qenë paralajmërim kundër stërvitjeve ushtarake të SHBA-së dhe Koresë Jugore.
Stërvitjet ushtarake mes Uashingtonit dhe Seulit janë të një shkalle të paparë prej vitit 2017.