Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, e ka publikuar një letër - të nisur nga dy kongresistë amerikanë për Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken – në të cilën kërkohet që të drejtat e shqiptarëve të mbrohen në Serbi, njëjtë sikurse të drejtat e serbëve në Kosovë.
Në letrën e nisur nga kongresistët Jim Himes dhe Ritchie Torres, është përmendur rëndësia e takimit të 18 marsit në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në Ohër.
Dy liderët takohen në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për të diskutuar aneksin e zbatimit të propozimit evropian për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Ndiqeni blogun e Radios Evropa e Lirë për të rejat e fundit nga takimi në Ohër.
Përmbajtjen e këtij propozimi, udhëheqësit e dy vendeve, e kanë pranuar në parim, në një takim të realizuar më 27 shkurt në Bruksel.
Duke e diskutuar propozimin e BE-së, kongresistët Himes dhe Torres, i kanë thënë Blinkenit se “duke marrë parasysh historinë e konfliktit në rajon, dështimi për të siguruar të drejta në mënyrë të barabartë dhe të qëndrueshme, mund t’i vë në pikëpyetje të gjithë pikat e marrëveshjes”.
“Së fundi është raportuar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të përfshihet në dialog, për të garantuar të drejtat e serbëve që jetojnë në Kosovë. U bëjmë thirrje që të çoni përpara reciprocitet, për një asociacion të ngjashëm për pakicën shqiptare që jeton në jug të Serbisë”.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.
Himes dhe Torres kanë thënë se e mbështesin fort dialogun dhe inkurajojnë trajtim të barabartë të minoriteteve në të dyja vendet.
Shqiptarët në Serbi jetojnë kryesisht në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc - komuna të njohura bashkërisht si Lugina e Preshevës.
Në Luginën e Preshevës, sipas regjistrimit të 2002-ës, kanë qenë 88.966 qytetarë të regjistruar, prej tyre 57.737 shqiptarë, apo 65 për qind.
Ndarazi në komuna, Presheva ka pasur shumicë shqiptare 90%, Bujanoci 55% dhe Medvegja 26%.
Gati dhjetë vjet më vonë, në regjistrimin e vitit 2011, shqiptarët nuk kanë marrë pjesë, duke u thirrur në disa arsye: moslejimin e regjistrimit të shqiptarëve që kanë lindur në Serbi, por që jetojnë në diasporë, dhe shtypjen e formularëve të regjistrimit vetëm në gjuhën serbe, përkatësisht alfabetin cirilik.
Numri aktual i shqiptarëve në Luginën e Preshevës nuk është i qartë.