Ndërlidhjet

Cleverly: Mbrojtja e Ukrainës nënkupton mbrojtje për Moldavinë


Ministri i Jashtëm britanik, James Cleverly gjatë një konference për media me homologun e tij nga Moldavia, Nicu Popescu.
Ministri i Jashtëm britanik, James Cleverly gjatë një konference për media me homologun e tij nga Moldavia, Nicu Popescu.

Mënyra më e mirë për të mbrojtur Moldavinë nga një sulm i mundshëm nga Rusia është përmes mbrojtjes së Ukrainës, tha të enjten ministri i Jashtëm britanik, James Cleverly.

“Për momentin mendoj se është e drejtë që fokusi ynë përsa i përket mbështetjes ushtarake të jetë në Ukrainë, ku aktualisht ka një konflikt brutal dhe ata duhet të kenë, dhe do të marrin, ato pjesë të avancuara të pajisjeve ushtarake dhe municionit të standardeve të NATO-s”, tha Cleverly.

Ai shtoi se një nga mënyrat më të mira që mund të ndihmojmë në mbrojtjen fizike të Moldavisë nga dëmtimi është të sigurojmë ukrainasit janë në gjendje të mbrohen kundër sulmit rus”.

Ministri i Jashtëm i Moldavisë, Nicu Popescu tha se vendi i tij momentalisht është i mbrojtur për shkak të mbështetjes që po i jepet Ukrainës nga komuniteti ndërkombëtar.

"Moldavia nuk po përballet sot me kërcënime ushtarake. Dhe kjo për faktin se Ukraina me mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar është në gjendje të mbrojë territorin e saj, është në gjendje të çlirojë disa territore dhe duke e bërë këtë siguron paqen dhe stabilitetin në vende si Moldavia dhe jo vetëm”, tha ai.

Cleverly, gjatë një vizite në Moldavi, njoftoi për një ndihmë britanike prej 10 milionë paund (12 milionë dollarë) për reformat ekonomike dhe të qeverisjes, përfshirë në sektorin e energjisë.

Që nga pushtimi rus i Ukrainës një vit më parë, qeveria pro-perëndimore e Moldavisë dhe aleatët e saj kanë frikë se vendi mund të përfshihet në konflikt.

Kombi prej 2.5 milionë banorësh kufizohet me Ukrainën dhe ka paqeruajtës rusë të stacionuar në rajonin separatist të Transdniestrisë, që është pro-Moskës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG