Seanca në Gjykatën Themelore në Prishtinë për rastin e vrasjes së politikanit të opozitës serbe nga Kosova, Oliver Ivanoviq, është shtyrë për 25 maj për shkak se dëshmitarja Milena Popoviq nuk është paraqitur më.
Kjo nuk është hera e parë që seanca shtyhet për shkak të mosparaqitjes në gjykatë të Milena Popoviqit, bashkëshorte e pakurorëzuar e Oliver Ivanoviqit.
Prokurori Burim Qerkini vlerësoi se procesi gjyqësor po vonohet për shkak të kësaj dëshmitareje dhe sugjeroi që gjykimi të vazhdojë pa të.
Megjithatë, gjyqtari Valon Kurtaj bëri të ditur se trupi gjykues ka marrë vendim që edhe një herë të tentohet të merret deklarata nga Popoviq përmes video-lidhjes, të cilën ajo e ka kërkuar nga gjykata që t’ia lejojë.
Në një njoftim me shkrim drejtuar gjykatës më 4 mars, ajo deklaroi se nuk mund të merrte pjesë në seancë “për shkak të situatës aktuale politike”.
Gjykatësi Kurtaj tha se deklarata e Milena Popoviqit duhet të merret përmes departamentit për ndihmë juridike ndërkombëtare, i cili funksionon në kuadër të misionit EULEX (Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit).
Ministria e Drejtësisë e Kosovës dhe ajo e Serbisë nuk bashkëpunojnë, prandaj në këtë rast nevojitet ndërmjetësimi i EULEX-it për marrjen e deklaratave të dëshmitarëve.
Avokati mbrojtës, Dejan Vasiq, ka theksuar se “një numër i madh i seancave kryesore janë shtyrë për shkak të mungesës së Milena Popoviqit”, dhe është pajtuar me prokurorinë se dëshmia e saj nuk ka qenë vendimtare për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.
“Ka mbetur ende shumë pak punë në lëndë, edhe dy dëshmitarë të propozuar nga mbrojtja, që të dëgjohen nga vetë të dyshuarit. Pres që fjalët përfundimtare të jenë në qershor në procedurën e shkallës së parë”, tha Vasiq.
Ai më parë i kërkoi gjykatësit që të mos lejojë që "shqyrtimi kryesor të shndërrohet në hetim për vrasjen e Oliver Ivanoviqit".
Sipas mendimit të tij, dëshmitarët që janë paraqitur në gjykatë deri më tani janë marrë në pyetje sikur hetimi është ende në vazhdim dhe shtoi se asnjëri prej tyre nuk i ka përmendur personat e cekur në aktakuzë.
Më 14 mars, trupi gjykues vendosi të dëgjojë edhe dy dëshmitarë të tjerë me sugjerimin e avokatit Faruk Korenica, i cili mbron Nedelko Spasojeviqin.
I akuzuari Spasojeviq tha se edhe dëshmitarët potencialë kërkuan pak kohë për shkak të “situatës politike”. Bëhet fjalë për ish-policët e Kosovës, të cilët janë larguar nga pozitat e tyre në kuadër të daljes kolektive të serbëve nga institucionet e Kosovës në veri.
Me vrasjen e Oliver Ivanoviqit janë të lidhur edhe Zhelko Bojiq (ish-shefi i operacioneve të Policisë së Kosovës për rajonin verior), Milan Radoiçiq (nënkryetar i Listës Serbe) dhe Zvonko Veselinoviq (biznesmen). Ndaj tyre nuk është ngritur aktakuzë sepse ata ishin në arrati kur Prokuroria e Kosovës ngriti aktakuzën e parë.
Radoiçiq dhe Veselinoviq përmenden në aktakuzë si “udhëheqës të grupit kriminal”, i cili planifikoi vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq. Megjithatë, urdhërarresti për Milan Radoiçiqin u tërhoq në mars të vitit 2021 pa asnjë shpjegim.
Prokuroria Speciale e Kosovës deri më tani ka ngritur tri aktakuza, por në to nuk ka pasur ndryshime thelbësore, gjegjësisht përmenden vetëm personat që “me vetëdije dhe qëllim kanë ndihmuar grupin kriminal për kryerjen e veprës penale të vrasjes së Oliver Ivanoviqit”, por jo autori i vrasjes apo porositësi.
Aktakuza e parë është ngritur në fillim të dhjetorit 2019, ndërsa në fund të dhjetorit të po atij viti prokurori i atëhershëm, Sylë Hoxha, ka paraqitur aktakuzën e dytë të ndryshuar. Më pas, në nëntor 2020, u ngrit aktakuza e tretë dhe pasi Gjykata e Apelit në Prishtinë e ktheu aktakuzën e mëparshme për ndryshim.
Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar 2018, me gjashtë të shtëna në shpinë, para objekteve të partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.
Ai ishte bartës i listës “Liria, demokracia, drejtësia” në zgjedhjet lokale të Kosovës, të cilat u mbajtën në nëntor të vitit 2017, disa muaj para vrasjes së tij.
Gjatë fushatës parazgjedhore për ato zgjedhje lokale, për shkak të frikësimit të serbëve në veri të Kosovës, katër kandidatë nga lista e tij u tërhoqën dhe iu dogj vetura në veri të Mitrovicës.