Bashkimi Evropian vazhdon të jetë i shqetësuar me numrin e madh të imigrantëve ilegalë, të cilët shfrytëzojnë të ashtuquajturën “Rrugë të Ballkanit Perëndimor” për të hyrë në territorin e BE-së, edhe pse disa shifra, sipas Komisionit Evropian, janë në rënie.
Krahas kësaj vazhdon të jetë relativisht i lartë edhe numri i azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, sidomos nëse merret parasysh se ato konsiderohen “vende të sigurta”.
BE-ja dëshiron t’i luftojë këto dy fenomene dhe për këtë, thonë në Bruksel, janë duke bashkëpunuar me autoritetet e këtij rajoni.
Problemi më i madh, thonë në BE, është me shtetasit e Shqipërisë, të cilët hyjnë në BE, stacionohen në veri të Francës dhe, pastaj, përmes Kanalit Anglez, kalojnë në Britani të Madhe.
Edhe pse Britania e Madhe nuk është më anëtare e BE-së, ky problem paraqet sfidë edhe për autoritetet e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, sidomos Francës.
Megjithatë, shqetësimi më i madh në BE, kur bëhet fjalë për rajonin e Ballkanit Perëndimor, ka të bëjë me shtetasit e vendeve të treta që përmes këtij rajoni, arrijnë në BE. Numri i tyre është rritur dukshëm në dy vjetët e fundit, duke e bërë këtë rajon ndër rrugët kryesore në Evropë për imigrimin ilegal.
Një prej problemeve, thonë burime në BE, është politika e vizave që disa vende të rajonit kanë për vendet e treta. Qytetarët e këtyre të fundit kanë shfrytëzuar mundësinë e shkuarjes pa viza në ndonjë vend të rajonit, e pastaj ilegalisht kanë kaluar në BE.
Sipas burimeve të Komisionit Evropian, është një numër i madh i atyre që kanë arritur në vendet e Ballkanit pa viza dhe kanë kërkuar azil në vendet e BE-së.
Ndër vendet më problematike në këtë drejtim është Serbia. Atje mund të udhëtojnë pa viza shtetasit nga Kuba, Tunizia, Burundi, Kina, Rusia dhe disa vende të tjera. Dhe, pikërisht, numri i qytetarëve nga këto shtete që kanë kërkuar azil në vendet e BE-së, është rritur.
Këtë e dëshmon edhe rasti i Kroacisë, që ka parë rritje të madhe të azilkërkuesve. Numri më i madh i tyre është nga Burundi, Rusia, Kuba dhe Turqia.
Kroacia është bërë anëtare e BE-së në vitin 2013, ndërsa prej 1 janarit të këtij viti është edhe pjesë e Schengenit - zonë e lëvizjes së lirë në Evropë, në të cilën nuk ekzistojnë kontrolle kufitare mes shteteve. Pra, kur dikush hyn në territorin e Kroacisë, ai mund të lëvizë pa asnjë kontroll në rreth 30 vende evropiane.
Vitin e kaluar, përkatësisht deri në nëntor, numri i atyre që kanë hyrë ilegalisht në Kroaci ka qenë mbi 36.000. Shifra paraqet rritje për afër 150% krahasuar më një vit më herët.
Kroacia ka kufirin më të gjatë të jashtëm të BE-së, në gjatësi prej 1.350 kilometrash, i cili, nga 1 janari i këtij viti, është edhe kufi i jashtëm i zonës Schengen. Andaj, BE-ja kërkon që Kroacia ta rrisë sigurinë në kufi.
BE-ja kërkon edhe nga vendet e tjera të Ballkanit që ta përshtatin politikën e tyre të vizave me atë të Bashkimit Evropian. Këtë, madje, e ka përmendur edhe si kusht për të mbajtur në fuqi liberalizimin e vizave me to.
Të enjten e kaluar, kur është miratuar vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, është përmendur po ashtu bashkëpunimi i Kosovës në përshtatjen e politikës së vizave me atë të BE-së.
Serbia, vendi që, deri më tash, është shfrytëzuar më së shumti si transit për të kaluar në BE, ka premtuar se do ta përshtatë regjimin e vizave. Kjo, sipas zyrtarëve të BE-së, është duke dhënë tashmë rezultate.
Strategji të tjera të bashkëpunimit janë edhe përshpejtimi i procesit të ripranimit dhe bashkëpunimi i autoriteteve të vendeve të rajonit me Frontex-in, agjencinë evropiane për ruajtjen e kufijve.
Frontex, tash e disa vite, ndodhet në kufijtë e vendeve të rajonit me vendet e BE-së, ndërsa tash janë duke u përgatitur edhe marrëveshje, sipas të cilave, do të shtohet prania e personelit të Frontex-it edhe në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Një prej ndryshimeve të rëndësishme është mundësia që personeli i Frontex-it të veprojë brenda territorit të vendeve të rajonit, e jo vetëm në kufijtë e tyre.
Pjesëtarët e Frontex-it do të kenë mundësi që t’i kontrollojnë personat, apo mjetet e dyshuara të transportit jo vetëm në kufirin e Bosnje e Hercegovinës me Kroacinë, por edhe në atë me Malin e Zi dhe Serbinë.
Në BE e shohin këtë si të rëndësishme, sepse, siç thuhet, do të rritet mundësia që të vëzhgohen lëvizjet e imigrantëve ilegalë edhe brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor, përpara se ata të hyjnë në territorin e Bashkimit Evropian.
Disa ministra të Brendshëm të vendeve të BE-së kanë thënë, po ashtu, se do të kërkohet nga vendet e Ballkanit që t’i pranojnë jo vetëm shtetasit e tyre që i dëbon BE-ja, por edhe shtetasit e vendeve tjera, për të cilët dëshmohet se kanë kaluar përmes tyre drejt BE-së.
Në BE thonë se edhe e drejta ndërkombëtare parasheh që imigrantët ilegalë të kthehen në vendin nga i cili kanë hyrë, e që konsiderohet vend i sigurt. Statusin e “vendit të sigurt“ e kanë të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.