Ndërlidhjet

Nostrifikimi i diplomave dhe siguria - probleme të shqiptarëve në Serbi dhe të serbëve në Kosovë


Komuna e Preshevës në jug të Serbisë. Fotografi nga arkivi.
Komuna e Preshevës në jug të Serbisë. Fotografi nga arkivi.

Përkeqësimi i situatës së sigurisë në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, si dhe raportet e këqija të shqiptarëve të Luginës së Preshevës në jug të Serbisë me autoritetet qendrore, janë tema që qeveritë në Prishtinë dhe Beograd duhet t’i adresojnë.

Kështu konstatoi Miodrag Milliqeviq, drejtor i organizatës joqeveritare Aktiv nga Mitrovica e Veriut, teksa prezantoi një hulumtim për pozitën e komunitetit serb në veri të Kosovës dhe të komunitetit shqiptar në jug të Serbisë.

Në këtë hulumtim, që u prezantua në Prishtinë, shqiptarë të Bujanocit, Medvegjës dhe Preshevës në jug të Serbisë dhe serbë të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut në veri të Kosovës shprehën qëndrimet e tyre në lidhje me pjesëmarrjen dhe komunikimin e qytetarëve me pushtetin lokal dhe qendror, lirinë e lëvizjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, perspektivat e të rinjve dhe çështje të tjera.

Hulumtimi u krye në dhjetor të vitit të kaluar dhe janar të këtij viti me një mostër prej 350 të anketuarve në veri të Kosovës dhe 750 në jug të Serbisë.

Rezultatet nxorën në pah se besimi i komunitetit serb në Listën Serbe - partinë më të madhe të serbëve të Kosovës, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar - ka rënë dukshëm.

“Tendencat negative që janë shënuar në veri të Kosovës, kanë ndikuar qartë në perceptimin e qytetarëve se ata janë të braktisur si nga institucionet qendrore, ashtu edhe nga përfaqësuesit politikë lokalë, të cilët i konsiderojnë përgjegjës të drejtpërdrejtë për situatën aktuale në veri të Kosovës”, tha Milliqeviq.

Gjatë vitit 2022, situata në veri të Kosovës është tensionuar disa herë dhe një nga arsyet për këtë ka qenë vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar makinat me targa ilegale serbe.

Pasojë e këtyre ngjarjeve ka qenë tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës në veri.

Sa i përket besimit në institucione, shumica e shqiptarëve të Luginës së Preshevës i beson më shumë Qeverisë së Kosovës - rreth 64 për qind e të anketuarve.

Në anën tjetër, një në pesë të anketuar në mesin e komunitetit serb në veri të Kosovës i beson më shumë Qeverisë së Serbisë, ndërsa çdo i dyti i anketuar ka thënë se nuk ka besim tek askush.

Problem i përbashkët i serbëve nga veriu i Kosovës dhe i shqiptarëve nga jugu i Serbisë, sipas hulumtimit, është migrimi, gjegjësisht largimi i të rinjve, para së gjithash për shkak të gjendjes së rëndë sociale dhe ekonomike.

Përveç OJQ-së Aktiv, në hulumtim mori pjesë edhe Qendra për Demokraci dhe Edukim - Lugina në Bujanoc.

Agon Islami, nga kjo qendër, nxori në pah problemin e nostrifikimit të diplomave në Serbi, me të cilin, siç tha, përballen të rinjtë shqiptarë në Luginën e Preshevës.

“Çdo i dyti i anketuar - ose rreth 51 për qind - beson se njohja reciproke e diplomave [ndërmjet Kosovës dhe Serbisë] do ta lehtësonte procesin e punësimit”, tha Islami.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për njohjen reciproke të diplomave universitare në vitin 2011, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, por në Serbi ajo është zbatuar vetëm deri në vitin 2014.

Njohja e ndërsjellë e diplomave përmendet edhe në planin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të cilin dy vendet e kanë pranuar në parim.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG