Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se takimi i vendeve të Grupit të 20 shteteve (G20), është dëmtuar nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës, teksa janë shtuar thirrjet që Kina të përdorë marrëdhëniet e saj me Moskën për të ndihmuar në dhënien fund konfliktit njëvjeçar.
Siç pritej, pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka dominuar diskutimet në takimin në Nju Delhi të Indisë, teksa ekonomitë më të mëdha të botës përpiqen të kufizojnë ndikimin e luftës.
G20 përfshin 19 shtete dhe Bashkimin Evropian, dhe përbën rreth 85 për qind të ekonomisë botërore dhe dy të tretat e popullsisë së saj.
Kryeministri indian, Narendra Modi, hapi samitin duke i bërë thirrje grupit të kapërcejë dallimet mbi Ukrainën pasi qeverisja globale ka "dështuar".
Duke shprehur frikën se përçarja gjithnjë e më e ashpër ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj, nga njëra anë, dhe Rusisë dhe Kinës, nga ana tjetër, duket se do të zgjerohet më tej, Modi tha se "multilateralizmi është në krizë sot".
“Përvoja e dy viteve të fundit, kriza financiare, pandemia, terrorizmi dhe luftërat tregojnë qartë se qeverisja globale ka dështuar”, tha ai.
Por, Blinken, i cili ishte në të njëjtën dhomë me homologun e tij rus, Sergei Lavrov, për herë të parë në tetë muaj, tha diçka tjetër.
"Fatkeqësisht, ky takim është dëmtuar përsëri nga lufta e paprovokuar dhe e pajustifikuar e Rusisë kundër Ukrainës, fushata e qëllimshme e shkatërrimit kundër objektivave civile dhe sulmi i saj ndaj parimeve thelbësore të Kartës së OKB-së", u tha Blinken ministrave të Jashtëm të grupit më 2 mars.
Ai shtoi se G20-ta duhet të ripërsërisë thirrjen që bëri në një samit në Bali të Indonezisë në nëntor të vitit 2022 për Moskën, që t’i tërheqë trupat e saj nga Ukraina dhe t'i japë fund luftës, në mënyrë që të rikthehet paqja ndërkombëtare dhe stabiliteti ekonomik global.
"Edhe pse mbledhim mbështetjen për Ukrainën, ne mbetemi të përqendruar edhe në sfidat globale. Kjo është ajo që bota ka nevojë dhe pret (nga ne)", shtoi ai.
Ndonëse nuk pritej, Blinken dhe ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, biseduan shkurtimisht të enjten.
Zyrtarët amerikanë thanë se Blinkeni dhe Lavrovi biseduan rreth 10 minuta në margjinat e konferencës së G20-s.
Kina e Rusia refuzojnë “përpjekjet e Perëndimit për të ndërhyrë në punët e tyre të brendshme”
Komentet e Blinkenit u bënë në të njëjtën ditë kur Lavrovi zhvilloi bisedime me ministrin e Jashtëm kinez, Qin Gang.
Shumë liderë në G20 kanë frikë se Kina mund të vendosë të furnizojë Rusinë me armë për të luftuar Ukrainën dhe shpresojnë ta bindin Pekinin të qëndrojë mënjanë.
Por, në një deklaratë të shkurtër nga Ministria e Jashtme ruse për takimin ndërmjet Lavrovit dhe homologut të tij kinez, Moska tha se të dyja palët ishin dakord të refuzonin "përpjekjet për të ndërhyrë në punët e brendshme të vendeve të tjera, për të imponuar qasje të njëanshme përmes shantazhit dhe kërcënime dhe për të kundërshtuar demokratizimin e marrëdhënieve ndërkombëtare”.
Nuk ka pasur asnjë deklaratë të menjëhershme nga pala kineze për takimin apo çfarë kanë diskutuar të dy diplomatët.
Scholz, thirrje Kinës për të ushtruar presion ndaj Moskës
Më herët gjatë ditës, kancelari gjerman, Olaf Scholz, i kërkoi Kinës të mos dërgojë armë për të ndihmuar luftën e Rusisë në Ukrainë, teksa i bëri thirrje Pekinit të ushtrojë presion ndaj Moskës për t'i tërhequr forcat e saj.
Nga Parlamenti gjerman, ku foli për vitin e parë të pushtimit rus të Ukrainës, Scholz tha se ishte zhgënjyes fakti që Pekini ishte përmbajtur nga dënimi i pushtimit rus, megjithëse ai përshëndeti përpjekjet e tij për të mos lejuar përshkallëzim bërthamor.
“Mesazhi im për Pekinin është i qartë: përdorni ndikimin tuaj në Moskë për të nxitur tërheqjen e trupave ruse”, tha ai. "Dhe, mos i dorëzoni asnjë armë Rusisë agresore".
Vërejtjet e Scholzit nënvizuan se si reagimi ndërkombëtar ndaj luftës në Ukrainë theksoi ndarjet globale, me Kinën dhe Indinë që përmbahen nga dënimi i pushtimit rus.
SHBA-ja po shqyrton vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Kinës
Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë për mundësinë e vendosjes së sanksioneve të reja ndaj Kinës nëse Pekini ofron mbështetje ushtarake për Rusinë për luftën e saj në Ukrainë, thanë burimet për agjencinë e lajmeve Reuters këtë javë.
- Biden: Nuk pres që Kina t’i ofrojë armë Rusisë
- Blinken: Kina mund t'i japë Rusisë armë për luftën në Ukrainë
Konsultimet, të cilat janë ende në një fazë paraprake, synojnë të mbledhin mbështetje nga një sërë vendesh, veçanërisht ato të grupit të G7-ës, për të koordinuar mbështetjen për çdo kufizim të mundshëm.
Nga ana e saj, Kina ka nxjerrë një dokument prej 12 pikash që bën thirrje për një armëpushim gjithëpërfshirës që u prit me skepticizëm në Perëndim.