Ndërlidhjet

Kurti: Pasi nuk nënshkroi, Vuçiqi nuk pajtohet me propozimin evropian


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Kuvend.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Kuvend.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin e tij në Kuvendin e Kosovës në lidhje me dialogun Kosovë - Serbi, të enjten, tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nuk pajtohet me përmbajtjen e propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Pranimi bëhet vetëm përmes nënshkrimit të të dyja palëve. Refuzimi për ta nënshkruar është tregues që ata nuk janë dakord me përmbajtjen”, tha Kurti duke iu referuar takimit të nivelit të lartë mes tij dhe Vuçiqit në Bruksel, më 27 shkurt, ku u diskutua propozimi evropian.

Debati lidhur me Propozimin Evropian - Marrëveshjen drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, u mbajt të enjten me kërkesën e opozitës në Kuvend.

Teksti i këtij propozimi, që Bashkimi Evropian e ka quajtur një marrëveshje bazë, është publikuar mbrëmjen e 27 shkurtit.

Pas takimit në Bruksel, përfaqësuesit e BE-së si lehtësues të dialogut, thanë se edhe Kosova, edhe Serbia e kanë pranuar tekstin e kësaj marrëveshjeje bazë dhe pritet në vazhdim të diskutohet për planin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 28 shkurt se Serbia është e gatshme të punojë në shumë gjëra që dalin nga propozimi evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, ai shtoi se nuk do të bisedojë për “njohjen reciproke, njohjen dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara”.

I pyetur gjatë një interviste për nenin që thotë se Serbia nuk do ta bllokojë Kosovën të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare, Vuçiq tha: “Prandaj nuk e nënshkrova [propozimin evropian]”.

Abdixhiku kritikon preambulën e propozimit evropian

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, që ishte propozuesi i mocionit për mbajtjen e këtij debati kritikoi propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, në veçanti preambulën e tij.

Ai tha se preambula e këtij propozimi që ndër tjerash përmban tekstin “për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës” dhe “pa paragjykuar pozicionet e ndryshme të palëve në lidhje me çështjet themelore, përfshirë çështjet e statusit”, paraqet dëm historik për Kosovën.

“Në një rast të paprecedent Kosova pajtohet me paparagjykimin rreth statusit të vet politik…”, tha Abdixhiku.

Çka thotë preambula e propozimit evropian?

Palët kontraktuese,
Të vetëdijshme për përgjegjësinë e tyre për ruajtjen e paqes;

Të përkushtuara për të kontribuuar në bashkëpunimin dhe sigurinë e frytshme rajonale dhe për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës;

Të përkushtuara të kontribuojnë në sigurinë dhe bashkëpunimin e frytshëm rajonal në Evropë;

Të vetëdijshme për paprekshmërinë e kufijve dhe respektimin e integritetit dhe sovranitetit territorial, si dhe mbrojtja e pakicave kombëtare, janë kushtet themelore për paqen;

Duke vepruar nga fakti historik dhe pa paragjykuar pozicionet e ndryshme të palëve në lidhje me çështjet themelore, përfshirë çështjet e statusit;

Me dëshirën për të krijuar kushte për bashkëpunim midis palëve për të mirën e njerëzve...

Në anën tjetër, në fjalimin e tij Kurti tha se ky konstatim është gabim.

“Sa i përket qëndrimit që ‘overcome the past’ [tejkalimi i së kaluarës] është falje e krimeve të Serbisë... ky qëndrim është i pasaktë, i padrejtë, i pavërtetë. Një ndër qëndrimet e mia ka qenë që një marrëveshje bazike pa elemente të drejtësisë tranzicionale, nuk mund të bëhet”, deklaroi Kurti.

Kryeministri Kurti theksoi se fakti që presidenti serb ka refuzuar ta nënshkruajë marrëveshjen bazike në Bruksel, mund të nënkuptojë përgjigjen për pyetjen se kujt i konvenon më shumë kjo marrëveshje.

Krasniqi: Neni shtatë i marrëveshjes sjell autonomi politike dhe substanciale

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi tha se nëse analizohen nenet e kësaj marrëveshjeje, vihet në përfundime dëshpëruese.

Sipas Krasniqit, Neni 7 është njëri nga nenet më problematike sesa Neni 10 ku flitet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Neni 7 nuk flet për kompetenca të vetëqeverisjes lokale sepse këto i kanë komunitetet e Kosovës bazuar në Pakon e Ahtisarit, nuk flet as për Konventën e kornizës për vetëqeverisjen lokale, sepse në draftin e kaluar ka qenë e theksuar kjo konventë - kornizë. Sot flet për instrumentet e Këshillit të Evropës. Pra, Neni 7 rrezikon të sjellë një autonomi politike dhe substanciale”, tha Krasniqi.

Çfarë thotë Neni 7?

Të dyja palët janë të përkushtuara në arritjen e marrëveshjeve specifike dhe garancive, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë e ofrimit të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia dhe kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës.

Ndërkaq, nëse analizohet preambula e kësaj marrëveshjeje, sipas Krasniqit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pajtuar të kapërcejë trashëgiminë e së kaluarës.

“Kjo i bie që ne po e kapërcejmë pa e trajtuar [trashëgiminë e së kaluarës] – siç kemi kërkuar vite me radhë – [çështje] si adresimi i përgjegjësive penale për krimet e luftës që i ka bërë Serbia në Kosovë, dëmshpërblimet e luftës, kompensimin e viktimave të luftës, zbardhjen e personave të pagjetur, kthimin e të mirave materiale e të tjera”, tha Krasniqi.

Nga situata e para dy vjetëve, tha Krasniqi, kur aleatët e Kosovës flisnin për marrëveshje finale me njohje në qendër, kryeministri Kurti ka përfunduar në një kompromis të rëndë në një marrëveshje të përkohshme me Asociacionin në qendër.

AAK-ja mbështet propozimin evropian

Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të partisë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha se partia e tij e mbështet propozimin evropian “duke pasur parasysh rrethanat, në të cilat gjendet Kosova”.

“Pa dyshim që ky propozim ka të metat e veta, por e ka marrë mbështetjen tonë pasi në rrethanat, në të cilat gjendet Kosova, shënon një kapitull të rëndësishëm në njohjen e Kosovës”, tha Tahiri duke shtuar se kjo nuk do të thotë se e mbështesin Albin Kurtin dhe qeverinë e tij.

Kryeministri Kurti në Kuvend u pyet edhe lidhur me pikën e propozimit evropian që parasheh zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në dialogun Kosovë-Serbi, në veçanti marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Marrëveshja për Asociacionin është një ndër pikat më kundërthënëse në dialogun Kosovë-Serbi.

Kurti ka përsëritur disa herë qëndrimin e tij se nuk pajtohet me themelimin e një asociacioni njëetnik dhe me kompetenca ekzekutive, që do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

“Nëse më pyesni se a duhet zbatuar ato (marrëveshje) që i gjithë komuniteti ndërkombëtar i aleatëve pret që të zbatohen - përgjigja ime është po, por vetëm nëse zbatohen të gjitha në përputhje me përcaktimet kushtetuese të Republikës së Kosovës. Nuk lejoj përjashtime, fokusime e veçime në një (marrëveshje)”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti foli edhe në lidhje me pikën e 7-të të propozimit evropian, i cili u cilësua si shqetësues nga opozita gjatë debatit në Kuvend.

Kjo pikë thotë se: “Palët do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë një nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”.

Lidhur me këtë, ai tha se propozimi ka paraparë “formalizim të statusit” të kësaj kishe dhe, sipas tij, nuk nënkupton negocim mbi statusin e saj e as diskutim mbi të drejta të veçanta.

“Formalizimi i referohet njohjes së Kishës Ortodokse Serbe si bashkësi fetare. Nuk nënkupton asgjë të veçantë, as speciale. Formalizimi do të bëhet përmes njohjes së saj si një nga bashkësitë fetare në Kosovë”, tha Kurti duke iu referuar një projektligji për liritë fetare, që është miratuar në Qeverinë e Kosovës më 25 janar, por ende nuk është miratuar në Kuvend.

Propozimi evropian është thënë se synon që t'i çojë palët drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në propozimin evropian nuk përmendet decidivisht njohja e ndërsjellë. Megjithatë, në nenin dy të propozimit thuhet se palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi përfshin zotimin e palëve për t'i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

BE-ja ka thënë se palët kanë shprehur gatishmërinë që ta zbatojnë planin. Kjo do të bëhet përmes diplomacisë fluturuese, përkatësisht përmes udhëtimeve që pritet të realizojë në Prishtinë dhe Beograd i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG