Ndërlidhjet

Ish-zyrtari i Shtëpisë së Bardhë: Fiksimi i Putinit për perandorinë çoi në luftën ndaj Ukrainës


Presidenti rus, Vladimir Putin, gjatë fjalimit drejtuar kombit më 21 shkurt 2023.
Presidenti rus, Vladimir Putin, gjatë fjalimit drejtuar kombit më 21 shkurt 2023.

Presidenti Vladimir Putin provokoi vetë ngjarjet që çuan në nisjen e pushtimit rus të Ukrainës më 2022, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë një ish-zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë, duke kundërshtuar një prej argumenteve qendrore të Kremlinit se zgjerimi i NATO-s drejt lindjes në vitin 2000, ishte katalizator për luftën.

Një vit pas nisjes së luftës, që është shndërruar në luftën më të madhe tokësore në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, Putin shfrytëzoi fjalimin drejtuar kombit, javën e kaluar, për të përsëritur ankesat e kamotshme lidhur me politikat perëndimore kundrejt Moskës që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjektik më 1991.

Putin sugjeroi se NATO-ja dhe lidhjet e saj me Ukrainën paraqesin një kërcënim në rritje për Rusinë. Ai përsëriti pretendimet e rreme për këto raporte, përfshirë edhe pretendimin se Qeveria e Ukrainës kontrollohet nga Shtetet e Bashkuara dhe aleanca ushtarake perëndimore dhe se Ukraina është “skllave” e tyre.

Stephen Hadley, që ka shërbyer për tetë vjet në Shtëpinë e Bardhë gjatë presidencës së George W.Bush, përfshirë katër vjet si këshilltar i sigurisë kombëtare, hodhi poshtë deklaratat e Putinit. Ai argumentoi se NATO-ja nuk paraqet kërcënim për Rusinë dhe se për vite të tëra Moska kishte qenë e kënaqur që të punonte me aleancën.

Ish-zyrtari i lartë i Shtëpisë së Bardhë, Stephen Hadley, gjatë intervistës dhënë për REL-in përmes platformës Zoom.
Ish-zyrtari i lartë i Shtëpisë së Bardhë, Stephen Hadley, gjatë intervistës dhënë për REL-in përmes platformës Zoom.

“Një përpjekje reale është bërë për të qartësuar se Rusia ishte pjesë e pranuar e Evropës. Dhe NATO-ja nuk është kërcënim për Rusinë dhe NATO dëshiron raporte konstruktive me Rusinë”, tha Hadley për Radion Evropa e Lirë.

“Pra, ka pasur një përpjekje për të tentuar që të zbutet reagimi rus ndaj zgjerimit të NATO-s”, tha Hadley, mandati i të cilit në Shtëpinë e Bardhë përkoi me zgjerimin më të madh të aleancës në historinë e saj: më 2004, kur shtatë shtete të Evropës Lindore, përfshirë tri shtete baltike të ish-Bashkimit Sovjetik, iu bashkuan NATO-s.

Historianët dhe akademikët për kohë të gjatë kanë debatuar arsyetimin për zgjerimin e NATO-s, dhe në disa raste, kanë ngritur pikëpyetje lidhur me vendimin për zgjerimin drejt lindjes. Zyrtarët rusë kanë shprehur hapur pakënaqësitë e tyre dhe, madje, kanë pyetur se pse aleanca e epokës së Luftës së Ftohtë është ende e nevojshme.

Në mesin e viteve ’90, presidenti Boris Yeltsin paralajmëroi homologun e tij amerikan, Bill Clinton, për “poshtërim” nëse NATO-ja do të pranonte shtetet e Evropës Lindore.

Nën mandatin e Putinit, këto dyshime u rritën u shndërruan në akuza dhe pretendime të drejtpërdrejta se Uashingtoni dhe aleatët e tij kishin mashtruar Moskën. Në veçanti, Rusia ka shprehur zemërim për premtimin e NATO-s për Ukrainën dhe Gjeorgjinë më 2008 që këto dy shtete një ditë do të bëheshin anëtare.

Hadley tha se interesi i Ukrainës për t’iu bashkuar NATO-s u hoq nga vëmendja e Qeverisë ukrainase deri më 2014, kur presidenti i rrëzuar – mik me Moskën – çoi në financimin dhe furnizimin e milicive lokale në lindje të Ukrainës, dhe në disa raste dërgoi trupa të rregullta ushtarake për betejë.

“Që nga viti 2008, çështja e anëtarësimit të Ukrainës dhe Gjeorgjisë në NATO realisht u hoq nga tavolina. Dhe qëndroi jashtë tavolinës deri më 2014, kur Rusia pushtoi Ukrainën për herë të parë. Dhe kjo provokoi atë gjë që rusët thoshin se nuk e dëshironin”, tha ai.

“Ishte ai pushtim që e vuri çështjen e anëtarësimit në NATO dhe se si NATO do të ndihmonte dhe mbështeste Ukrainën dhe Gjeorgjinë, sërish mbi tavolinë”, theksoi Hadley.

“Ngjashëm, rusët u ankuan lidhur me lëvizjen e infrastrukturës së NATO-s në lindje drejt kufirit rus. Asnjë nga këto nuk ndodhi derisa Rusia hyri në Ukrainë më 2014. Prandaj, do të argumentoj se Rusia me pushtimin e Ukrainës më 2014 krijoi gjërat që tha se kërcënohej. Rusia, në fakt, provokoi gjërat që tha se kërcënohej nga NATO dhe Perëndimi”, shtoi ai.

Përveç kësaj, Hadley tha se shtetet që më herët ishin në sferën e ndikimit të Moskës – vende sikurse shtetet baltike apo shtetet e Evropës Lindore të Paktit të Varshavës – kanë pasur frikë të kamotshme nga Rusia, që i ka shtyrë ato që të kërkojnë të anëtarësohen në NATO.

“Dhe, natyrisht shtetet që tani janë pjesë e NATO-s thonë: ‘Ju kemi treguar’”, tha ai.

“Në atë pikë humbëm Putinin”

Edhe pse reagimi i Putinit në atë kohë ishte i matur, një ankesë tjetër e kamotshme e Kremlinit ishte vendimi i vitit 2002 i SHBA-së për t’u tërhequr nga një marrëveshje e madhe e kontrollit të armëve: Traktatit për Raketa Kundërbalistike. Administrata e presidentit Bush kishte argumentuar se traktati pengonte aftësinë e SHBA-së për të zhvilluar raketa për të mbrojtur shtetin kundër kërcënimeve që mund të vinin nga shtete sikurse Koreja e Veriut dhe Irani dhe se tërheqja nga ky pakt nuk kishte për qëllim që ta minonte Rusinë.

Hadley tha për REL-in se Putini që në fillim pranoi garancitë e SHBA-së.

“Fillimisht, kjo krijoi një vullnet të mirë midis dy shteteve”, tha ai. “Putin në të vërtetë nuk e kritikoi [tërheqjen nga traktati], në fakt bëri të kundërtën: ai tha se përderisa nuk i pëlqente që SHBA-ja po tërhiqej, kjo nuk paraqiste kërcënim për interesat ruse, për sigurinë ruse”.

Hadley, që ka publikuar një libër ku përshkruan detaje të memorandumeve që iu kaluan administratës pasuese të Barack Obamas më 2008, tha se ai pranon kritikat se administratat e njëpasnjëshme të SHBA-së, përfshirë edhe të asaj që ai shërbeu, bënë gabime në marrëdhëniet e tyre me Rusinë.

Por, ai argumentoi se ka të ngjarë që këto gabime nuk do të bënin ndonjë ndryshim, për dy arsye: njëra është ajo që ai e përshkroi si qëndrim të Kremlinit se një seri e kryengritjes popullore në Gjeorgji, Ukrainë dhe Kirgizi në vitet 2000 – të njohura gjerësisht si ‘revolucionet shumëngjyrëshe’ – ishin komplot amerikan. Tjetra është ajo që ai e cilësoi si “fiksim të Putinit” me historinë perandorake të Rusisë.

“Ne menduam se këto revolucione do të ishin të mira për Rusinë sepse do të krijonin shtete stabile, demokratike dhe prosperuese që do të ishin fqinje të mira për Rusinë”, tha ai.

“Putin nuk e pa kështu. Ai e pa si një përpjekje të udhëhequr nga CIA për të krijuar regjime në këto lloje shtetesh që ishin anti-ruse, si shtete që do të përdoreshin për ta destabilizuar vetë Rusinë. Dhe mendoj se në atë pikë ne e humbëm Putinin”.

“A mund t’i bënim gjërat ndryshe? Ndoshta, ka shumë gjasa që po”

Në qarqet e politikës së jashtme në SHBA, një prej kritikëve më të mëdhenj të politikave amerikane kundrejt Rusisë që nga Lufta e Ftohtë është Thomas Graham. Ai ka shërbyer në Shtëpinë e Bardhë gjatë administratës së presidentit George Bush në fillim të viteve ’90, dhe më pas ka shërbyer së bashku me Hadleyn në administratën e George W.Bush në vitin 2000.

Në një intervistë të dhënë më herët, Graham kishte përsëritur pakënaqësitë lidhur me rritjen e NATO-s.

“Ekziston një argument mjaft bindës për ta bërë atë që të kërkonte anëtarësim në NATO më 2008.... ishte një gabim nga ana e aleancës”, deklaroi ai.

Hadley tha se edhe ai ka dilema nëse zgjerimi i NATO-s nuk është menaxhuar si duhet.

“E kisha të vështirë këtë çështje deri kur e lexova fjalimin që Putini dha para se të hynte sërish në Ukrainë më 2022”, tha ai, duke iu referuar fjalimit që Putin mbajti tri ditë para nisjes së pushtimit.

“Pjesa e parë e këtij fjalimi ishte Putini i vërtetë duke folur. Dhe, kjo është pjesa që thoshte, kjo ka të bëjë me rikrijimin e Perandorisë Ruse, rivendosjen e kontrollit rus në tokat tradicionale ruse, dhe në thelb duke shkatërruar Ukrainën dhe duke e futur atë në Rusi”.

“Në dritë të asaj agjende, është mirë që ne e zgjeruam NATO-n, ose në të kundërtën do të ishte një fushë edhe më e hapur për Rusinë për të ndjekur vizionin e saj për të rikrijuar Perandorinë Ruse”, tha ai.

“A do të mund t’i bënim gjërat ndryshe?”, pyeti Hadley. “Ndoshta, ka shumë gjasa që po, gjithmonë ka mundësi që gjërat të bëhen më mirë”.

“Por, pyetja është kjo: në fund të ditës a do të kishte bërë ndonjë ndryshim, duke pasur parasysh fiksimin e Putinit për të rikrijuar Perandorinë Ruse brenda sferës së ish-Bashkimit Sovjetik. Mendoj se në fund të ditës, fatkeqësisht, nuk do të bënte asnjë dallim”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG