Ndërlidhjet

Partia hungareze Fidesz mbështet pranimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO


Kryeminsitri i Hungarisë, Viktor Orban. Fotografi nga arkivi.
Kryeminsitri i Hungarisë, Viktor Orban. Fotografi nga arkivi.

Partia e kryeministrit hungarez, Viktor Orban, ka mbështetur pranimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO.

“Ne do të ofrojmë mbështetjen tonë për pranimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO”, tha partia Fidesz. Kjo parti, së bashku me partnerin më të vogël të koalicionit, kontrollojnë dy të tretat e ulëseve në Parlamentin hungarez.

Kjo deklaratë erdhi në kohën kur në Parlamentin hungarez nisi debati për ratifikimin e aplikimeve të dy shteteve nordike, që aplikuan për anëtarësim në NATO majin e vitit të kaluar pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.

Ligjvënësit hungarezë pritet të votojnë për ratifikim në pjesën e dytë të marsit.

NATO kërkon që të 30 shtetet të ratifikojnë aplikimet për anëtarësim me qëllim që të pranohen shtetet e tjera.

Turqia dhe Hungaria janë të fundit që nuk e kanë bërë këtë.

“Është një vendim i ndërlikuar, me pasoja serioze, prandaj kërkohet një shqyrtim i kujdesshëm”, tha presidenti hungarez, Katalin Novak, para se të niste debati në Parlament.

Turqia kundërshton kryesisht pranimin e Suedisë, pasi ka argumentuar se strehon persona që i konsideron anëtarë të organizatave terroriste. Megjithatë, Hungaria ka thënë se pranimi i dy shteteve nordike duhet të shqyrtohet me kujdes, pa paraqitur ankesa specifike.

Opozita hungareze vazhdimisht ka akuzuar partinë e Orbanit, Fidesz, se po e zvarrit procesin e ratifikimit.

Disa deputetë hungarezë kanë shprehur shqetësime se kufiri që Rusia dhe Finlanda ndajnë – që është i gjatë 1.300 kilometra – mund të paraqesë “një potencial të madh për luftë”, tha Orban.

Orban, aleat i ngushtë i presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, ka mbajtur raporte me Moskën pavarësisht se Rusia ka pushtuar Ukrainën.

Përderisa Orban e ka dënuar agresionin rus, ai ka refuzuar që ta kritikojë presidentin rus, Vladimir Putin.

Finlanda dhe Suedia hoqën dorë nga politika prej dekadash e mosangazhimit ushtarak dhe aplikuan për t’u anëtarësuar në NATO në majin e vitit të kaluar, në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës.

Turqia deri më tani nuk ka ratifikuar pranimin e këtyre dy shteteve në NATO, por ka lënë të kuptohet se është e gatshme që të ratifikojë anëtarësimin e Finlandës në aleancën ushtarake perëndimore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG