Ndërlidhjet

Borrell: Kurti dhe Vuçiq u pajtuan se s’ka nevojë për diskutime të mëtejme për propozimin e BE-së


Fotografi nga rundi i takimit mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e zyrtarëve evropianë. Bruksel, 27 shkurt 2023.
Fotografi nga rundi i takimit mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e zyrtarëve evropianë. Bruksel, 27 shkurt 2023.

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se Kosova dhe Serbia janë pajtuar që nuk ka nevojë për diskutime të tjera lidhur me propozimin evropian për normalizimin e raporteve.

“Presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq dhe kryeministri [i Kosovës, Albin] Kurti janë pajtuar se nuk ka nevojë për diskutime tjera për propozimin e BE-së që e ka titullin: marrëveshje për rrugën drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Pasi të dy liderët u pajtuan se nuk ka nevojë për më shumë diskutime, teksti i marrëveshjes do të publikohet”, tha Borrell pas takimit mes Kurtit dhe Vuçiqit.

Sipas Bashkimit Evropian, palët kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të vazhduar me procesin e zbatimit të marrëveshjes.

“Duhen negociata të tjera për të përcaktuar modalitetet specifike të dispozitave. Borrell do të mbajë një takim të ri me dy liderët gjatë marsit, me qëllim të finalizimit të diskutimeve për aneksin e zbatimit, që do të jetë udhërrëfyes për fazën e zbatimit të marrëveshjes”, tha më pas BE-ja përmes një njoftimi.

Borrell përmendi disa çështje që sipas tij parashihen me propozimin evropian duke përfshirë lëvizjen e lirë, tregun e lirë dhe mundësinë e studimit në dy vende pa pengesa.

“Për serbët në Kosovë do të thotë më shumë siguri dhe mbrojtje”, tha Borrell.

Ai megjithatë tha se priten negociata të mëtejshme për mënyrën se mund të zbatohen pikat e parapara me propozimin evropian.

"Kjo do të thotë që diplomacia fluturese do të vazhdojë dhe ne do të mbajmë një takim tjetër me dy liderët në mars me qëllimin për të finalizuar diskutimin për aneksin e zbatimit [të marrëveshjes]”, tha ai.

Kosovës dhe Serbisë në vitin e kaluar u është dorëzuar propozimi evropian, apo siç njihet edhe si propozimi franko-gjerman.

Të dyja palët e kanë pranuar këtë dokument që synon normalizimin e raporteve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG