Ndërlidhjet

Vuçiq: Në takimin me Kurtin insistova për Asociacionin


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit me zyrtarët evropianë para takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit me zyrtarët evropianë para takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se në rundin e ri të dialogut me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka insistuar në krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Pas takimit të mbajtur në Bruksel nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Vuçiq tha se takimi ishte “shumë i vështirë”, por shtoi se bisedimet do të vazhdojnë në “periudhën e ardhshme”.

Në këtë takim, sipas BE-së, në agjendë ishte propozimi evropian për normalizimin e raporteve mes dy shteteve.

“Mendoj se është e rëndësishme që njoftimi i BE-së do të përmbajë fjalë për domosdoshmërinë e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të mëparshme. Unë, natyrisht insistova në Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Mendoj se Kurti nuk ishte i gatshëm ta pranonte tani, por do të shohim nëse do ta pranojë në të ardhmen”, tha ai.

Vuçiq paralajmëroi një takim të ri me Kurtin më 18 mars në Maqedoninë e Veriut.

"Me sa kam kuptuar, më 18 [mars] do të duhet të shihemi në territorin e Maqedonisë së Veriut. Në atë kohë, [shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep] Borrell do ta vizitojë rajonin", tha Vuçiq.

Në agjendë të bisedimeve në Bruksel më 27 shkurt ishte propozimi evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

BE-ja deklaroi se palët janë pajtuar që nuk ka nevojë për diskutime të mëtejme për këtë propozim dhe kanë shprehur gatishmërinë për zbatimin e tij.

“Pres të shoh planin e zbatimit, para së gjithash planin e zbatimit të obligimeve të mëparshme”, tha Vuciq, duke shtuar se ende duhet të punohet në udhërrëfyesin, por se para së gjithash për atë që është rënë dakord më parë, siç është Asociacioni”, tha Vuçiq.

“Sido që ta shikoni, në radhë të parë është Asociacioni i komunave serbe”, theksoi ai.

Sipas Vuçiqit, BE-ja dëshiron të ketë një raport deri më 23-24 mars, kur do të mbahet takimi i Këshillit Evropian, se “a kemi arritur ndonjë gjë dhe më pas do të merret me integrimet evropiane” të të dyja shteteve.

Ndryshe, Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, më 2013 dhe 2015.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kërkojnë nga Kosova që të themelojë Asociacionin.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG