Ndërlidhjet

Pak pritje nga plani i Kinës për paqen në Ukrainë


Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe kryediplomati kinez, Wang Yi, gjatë një takimi në Moskë më 22 shkurt.
Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe kryediplomati kinez, Wang Yi, gjatë një takimi në Moskë më 22 shkurt.

Një dokument i Kinës, që propozon armëpushim në Ukrainë, u prit me skepticizëm nga shumë ekspertë dhe zyrtarë perëndimorë, të cilët e vënë në pikëpyetje aftësinë e Pekinit për këtë qëllim, marrë parasysh lidhjet e tij të ngushta me Moskën.

I bërë publik më 24 shkurt, për të përkuar me njëvjetorin e pushtimit rus të Ukrainës, propozimi 12-pikësh bën thirrje për heqjen e sanksioneve të Perëndimit kundër Moskës, për krijimin e korridoreve humanitare për evakuimin e civilëve, për sigurimin e eksportit të rregullt të grurit ukrainas, për garanci sigurie për Rusinë dhe për mospërdorimin e armëve bërthamore.

Sipas dokumentit, zvogëlimi gradual i armiqësive do t’iu hapte rrugë bisedimeve për paqe.

Raffaello Pantucci, bashkëpunëtor i lartë në Shkollën e Studimeve Ndërkombëtare S. Rajaratnam në Singapor, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kina, nëse seriozisht do paqe, “duhet t’i thotë Moskës gjëra që nuk dëshiron t’ dëgjojë”.

“Nuk ka asnjë provë se [Pekini] i ka thënë ndonjëherë Rusisë të tërhiqet - qoftë prapa skenave ose përpara kamerave”, thotë Pantucci.

Statusi i ndërmjetësuesit të paqes

Gjatë një vizite të kryediplomatit kinez, Wang Yi, në Moskë, më 23 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka lavdëruar marrëdhëniet mes dy vendeve dhe ka sinjalizuar se udhëheqësi kinez, Xi Jinping, do ta vizitojë Rusinë në pranverë.

Pekini ka bërë vazhdimisht përpjekje që të paraqitet si palë neutrale në luftë dhe i ka refuzuar thirrjet e Perëndimit që ta dënojë pushtimin e Ukrainës nga Rusia.

Në dokumentin e publikuar më 24 shkurt përmendet pozicioni afatgjatë i Kinës, që kërkon nga të gjitha vendet të sigurojnë se “sovraniteti, pavarësia dhe integriteti territorial i tyre garantohen në mënyrë efektive”.

Por, dokumenti përfshin edhe një gjuhë që, me sa duket, i drejtohet Perëndimit. Aty, mes tjerash, bëhet thirrje që t’i jepet fund “mentalitetit të Luftës së Ftohtë” ndaj konfliktit, ashtu si edhe “rritjes së blloqeve ushtarake”. Këta janë terma që Ministria e Jashtme e Kinës i ka përdorur në të kaluarën për t’iu referuar “ndërhyrjeve të Uashingtonit” në punët e vendeve të tjera, si dhe rritjes së aleancës ushtarake të NATO-s.

“[Dokumenti] është interesant në çdo rast, pasi Kina, deri më tani, nuk ka bërë shumë gjëra në aspektin e ndërmjetësimit”, thotë për Radion Evropa e Lirë një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian.

“Unë mendoj se qëllim kryesor [i Kinës] është ta përmirësojë reputacionin e saj”, thotë ai.

Një zyrtar tjetër i BE-së thotë se propozimi duhet parë në kontekstin e një Kine që kërkon të shfaqet si “një udhëheqëse e Jugut Global dhe si një promovuese e paqes”.

“Evropa nuk mashtrohet nga nismat kineze”, thotë ai.

Disa javë përpara nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, Xi dhe Putin kanë paralajmëruar një epokë të re marrëdhëniesh, duke shpallur një partneritet “pa kufij” mes vendeve të tyre.

Shumë thonë se partneriteti i tillë është nxitur nga dëshira e përbashkët e tyre për t’iu kundërvënë Shteteve të Bashkuara.

Gjatë gjithë luftës, Pekini ka shmangur me kujdes ndihmën e dukshme për Rusinë, që do të çonte në reagimin e Perëndimit, por, njëkohësisht, edhe ka thelluar bashkëpunimin me Moskën.

Kjo ka përfshirë ofrimin e mbështetjes ekonomike dhe diplomatike për Rusinë, duke blerë energji ruse dhe duke i bërë jehonë retorikës së Moskës në mediat kineze dhe në forume ndërkombëtare, si Kombet e Bashkuara.

Më 23 shkurt, Pekini ka abstenuar - për herë të katërt - nga një votim në OKB, që kërkonte nga forcat ruse të tërhiqeshin nga Ukraina.

Disa zyrtarë perëndimorë kanë shpresuar se Xi mund ta përdorë mbështetjen ekonomike të Kinës për Rusinë si mjet për ta shtyrë Putinin drejt tryezës së negociatave, por Temur Umarov, bashkëpunëtor në Institutin Carnegie Endowment, thotë se dokumenti i Kinës dhe roli i saj i ri kanë të bëjnë më shumë me çimentimin e statusit të saj si “një superfuqi globale”, që përpiqet t’i kundërvihet Perëndimit në skenën botërore.

“Ky është një tekst shumë i paqartë, që nuk sjell asgjë të re”, thotë Umarov për Radion Evropa e Lirë.

“Është e vështirë të imagjinohet se si mund të ndikojë kjo në të ardhmen e luftës në Ukrainë”, shton ai.

Sytë kah Pekini dhe Moska

Reagimet publike ndaj propozimit kinez kanë qenë të ndryshme - nga kritike deri në të heshtura.

Duke folur për CNN-in, menjëherë pas publikimit të dokumentit, këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, e ka hedhur poshtë pjesën më të madhe të propozimit, duke thënë se ai ka mundur të ndalojë në pikën një, që është “respektimi i sovranitetit të të gjitha vendeve”.

“Ukraina nuk po e sulmonte Rusinë. NATO-ja nuk po e sulmonte Rusinë. Shtetet e Bashkuara nuk po e sulmonin Rusinë. Qëllim i Rusisë në luftë ishte ta fshinte Ukrainën nga harta dhe ta fuste atë në Rusi”, ka thënë Sullivan.

Në Pekin, Jorge Toledo, ambasador i BE-së në Kinë, u ka thënë gazetarëve se ai që Kina ka publikuar, është një dokument pozicionimi, jo një plan paqeje, dhe se blloku do ta studiojë atë.

Zyrtarët ukrainas nuk janë konsultuar për dokumentin, por ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, ka thënë se Wang i ka ndarë me të “elementet kryesore të planit të paqes”, gjatë një takimi në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

Zhanna Leshchynska, e ngarkuara me punë e Ukrainës në ambasadën e saj në Kinë, ka thënë se propozimi kinez është “një shenjë e mirë”.

“Ne shpresojmë që ata [Kina] t’i kërkojnë edhe Rusisë ta ndalojë luftën dhe t’i tërheqë trupat e saj”, ka thënë Leshchynska.

Gjatë një konference për shtyp më 23 shkurt në Kiev - përpara publikimit të propozimit - presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka cilësuar veprimin kinez si një hap të parë të rëndësishëm.

“Mendoj se në përgjithësi, fakti që Kina ka filluar të flasë për paqen në Ukrainë... mendoj se nuk është keq”, ka thënë ai.

Propozimi vjen në kohën e tensioneve në rritje midis Pekinit dhe Uashingtonit dhe të akuzave se Kina po e shqyrton furnizimin e Rusisë me pajisje ushtarake.

Ky pretendim është bërë nga zyrtarët amerikanë disa herë kohëve të fundit.

Revista gjermane, Der Spiegel, ka shkruar më 23 shkurt se Moska është në negociata me një kompani kineze për blerjen e dronëve sulmues.

Zyrtarët kinezë nuk e kanë komentuar raportin e Der Spiegel, por kanë kundërshtuar pretendimet e SHBA-së. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Wang Wenbin, ka thënë se “pala amerikane nuk është e kualifikuar për ta drejtuar gishtin kah Kina ose për ta urdhëruar Kinën”.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG