Ndërlidhjet

OKB miraton rezolutën që bën thirrje për tërheqjen e Rusisë nga Ukraina


Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, gjatë adresimit para OKB-së më 22 shkurt 2023.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, gjatë adresimit para OKB-së më 22 shkurt 2023.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar rezolutën që i bën thirrje Rusisë që t’i japë fund armiqësive në Ukrainë dhe të tërheqë forcat e saj.

Kjo rezolutë, që është joobliguese, dërgon një mesazh të fuqishëm në prag të përvjetorit të parë të nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, duke kërkuar që Moska t’i japë fund agresionit.

Rezoluta, që është përpiluar nga Ukraina në konsultim me aleatët e saj, kaloi me 141 vota për, shtatë kundër dhe 32 abstenime.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, tha se miratimi i kësaj rezolute është dëshmi shtesë se jo vetëm Perëndimi e mbështet shtetin e tij.

“Mbështetja është shumë më e madhe, dhe vetëm do të vazhdojë të konsolidohet dhe të forcohet”, tha Kuleba pas votimit. “Ky votim sfidon argumentin se pjesa jugore e botës nuk qëndron në anën e Ukrainës, sepse shumë shtete që përfaqësojnë Amerikën Latine, Afrikën dhe Azinë votuan për rezolutën sot”, shtoi ai.

Asambleja e Përgjithshme është shndërruar në trupin më të rëndësishëm të OKB-së që merret me Ukrainën sepse Këshilli i Sigurimit, që është përgjegjës për mbajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, është paralizuar nga marrja e vendimeve për shkak se Rusia ka fuqinë e vetos. Megjithatë, rezolutat e Asamblesë, për dallim nga ato të Këshillit, janë joobligative, por shërbejnë si një barometër për opinionin botëror.

Shtatë shtetet që votuan kundër rezolutën ishin Bjellorusia, Mali, Nikaragua, Rusia, Siria, Koreja e Veriut dhe Eritrea.

Kjo rezolutë mori më pak vota sesa pesë rezolutat që paraprakisht ishin miratuar nga Asambleja që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022.

Gjatë dy ditëve, minsitrat e Jashtëm dhe diplomatët nga 75 shtete të botës iu adresuan Asamblesë, me shumicën prej tyre që shprehën mbështetjen e tyre për rezolutën që mbron integritetin territorial të Ukrainës, parimet bazike të Kartës së OKB-së që të gjitha shtetet që janë pjesë e kësaj organizate duhet t’i përmbahen.

Të mërkurën, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, hapi seancën e posaçme të Asamblesë së Përgjithshme duke dënuar pushtimin rus të Ukrainës që nisi më 24 shkurt 2022.

“Ky pushtim është sulm ndaj ndërgjegjes sonë kolektive”, tha Guterres.

Ai tha se përvjetori i parë është një “moment historik i zymtë për popullin dhe komunitetin ndërkombëtar”.

Lufta në Ukrainë ka lënë të vrarë dhjetëra mijëra persona në dy anët dhe ka shkatërruar qytete të tëra. Po ashtu, lufta ka ndikuar edhe në rritjen e çmimeve të ushqimit dhe kostos së jetesës dhe inflacionit në mbarë botën.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG