Ndërlidhjet

Vettingu, premtim i parealizuar në Maqedoninë e Veriut


Ndërtesa e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Fotografi ilustruese.
Ndërtesa e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Fotografi ilustruese.

Nëpër secilën palë zgjedhje në Maqedoninë e Veriut, një nga prioritet kryesore në programin e partive politike ka qenë lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, me theks të veçantë vettingun në gjyqësor dhe prokurori.

Partitë vlerësojnë se pikërisht këto dy organet e pushtetit të drejtësisë janë “burimi” i krimit të organizuar, pasi shumë lëndë gjyqësore ose nuk marrin epilog ose vendimet lënë të lirë shumë prej individëve me precedentë të lartë penal, përfshirë politikanë e zyrtarë të pushtetit të kaluar dhe këtij aktual.

Njëjtë sikur Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) që vettingun e çdo gjykatësi dhe politikani e kishte prioritet në programin e saj, edhe Aleanca për Shqiptarët (ASH) që tashmë është bërë pjesë e qeverisë një nga zotimet kryesore të saj ka “shtetin e së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit”.

“Prioritetet tona kryesore janë ndërtimi i një gjyqësori të pavarur, efektiv dhe të drejtë, çrrënjosja e korrupsionit, një administratë e depolitizuar dhe meritokratike, si dhe mbështetja e qytetarëve për t'u përfshirë në jetën publike përmes qasjes universale në informacion”, thuhet në programin e Aleancës për Shqiptarët.

Kryetari i saj, Arben Taravari, kishte deklaruar se për të çrrënjosur korrupsionin “duhet zhbërë njëherë e mirë partizimin dhe kapjen е gjyqësorit nga politika”.

“Qytetarët tanimë e kuptojnë se sistemi gjyqësor është në tërësi në shërbim të pushtetit dhe kundër interesit të shtetit dhe të qytetarëve. Andaj, vetëm 8% prej tyre besojnë në drejtësinë së këtij shteti, sepse të gjithë tanimë e shohin për vite me radhë se si drejtësia është bërë selektive dhe padrejtësia është bërë rregull”, kishte thënë ai.

Një Ligj për vetting të gjykatësve, prokurorëve, funksionarëve të zgjedhur dhe të emëruar, BDI-ja e ka propozuar në vitin 2020, por që atëherë nuk është ndërmarrë asgjë për kalimin e këtij propozimi në procedurë parlamentare.

Edhe kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, në fjalimin e kësaj jave në Kuvend për ndryshimet në qeveri, tha se prioritet në punën e tij ka vettingu apo kontrolli i pastërtisë së zyrtarëve përfshirë edhe ata në gjyqësor dhe prokurori.

“Në pjesën që ka të bëjë me sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit jemi pajtuar që të ketë një vetting të zyrtarëve publik, bazuar në përvojat më të mira evropiane dhe përcaktimeve të reja për kontroll publik financiar. Jemi të vendosur për zbatimin e konceptit ‘shtet për të gjithë’ apo të ndërtojmë ‘shoqëri për të gjithë’. Kjo është mënyra e vetme për zhvillimin e vendit tonë”, kishte deklaruar ai.

Kovaçevski nuk ka sqaruar se si do ta bëjnë vettingun, i cili nuk është realizuar deri më tani, edhe pse nga të gjitha partitë e koalicionit është pjesë kryesore e programeve të tyre.

Por, opozita maqedonase thotë se qeveria aktuale nuk mund të bëjë vettingun, pasi e njëjta sipas kryetarit të VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoskit, është e zhytur në korrupsion dhe krim të organizuar.

“Pse të ketë vetting vetëm për gjyqtarët dhe prokurorët? Pse të mos ketë edhe për politikanët dhe familjarët e tyre? Këtu qëndron burimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar. Politikanët janë ata që zgjedhin dhe kontrollojnë punën e gjykatësve dhe prokurorëve”, ka deklaruar ai.

Edhe drejtuesit e Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit thonë se Ligji mund të miratohet, por shtrohet pyetja se kush do ta zbatojë atë.

“Pyetja kryesore qëndron në atë se kush do ta zbatojë atë vetting? Cilët njerëz? Cili komision do ta zbatojë? ...nga përvojat e deritanishme dhe nga procedurat unë nuk shoh se kemi kapacitet ta bëjmë ndonjë kontroll”, deklaroi Goran Tërpenovski, anëtar i këtij komisioni.

Presidenti Stevo Pendarovski kishte deklaruar më herët se një vetting i mundshëm, qoftë për punën e gjykatësve dhe prokurorëve, apo edhe të zyrtarëve të tjerë, nuk mund të bëhet pa një monitorim të fuqishëm të Bashkimit Evropian.

“Unë do të doja të shoh njerëz nga Brukseli këtu të cilët bashkë me ne do ta bëjnë atë vetting”, kishte thënë ai.

Sipas një ankete të realizuar nga Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI) në dhjetor të vitit të kaluar, vetëm 4 për qind e qytetarëve kanë thënë se kanë besim në pushtetin gjyqësor, kurse në prokurori 3 për qind.

Pushteti gjyqësor në Maqedoninë e Veriut në vazhdimësi ka qenë në shënjestër të kritikave të bashkësisë ndërkombëtar, në veçanti të SHBA-së.

Në fillim të dhjetorit, një ekip për sanksione nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishte qëndruar në Maqedoninë e Veriut për të hetuar funksionarët dhe ish-funksionarët e dyshuar për korrupsion.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG