Ndërlidhjet

Rusia sulmoi Ukrainën me raketa dhe dronë


Raketat ruse të lëshuara kundër Ukrainës.
Raketat ruse të lëshuara kundër Ukrainës.

Ushtria ruse ka nisur sulme me raketa dhe dronë nëpër Ukrainë në natën e mbrëmshme, duke nxitur aktivizimin e alarmeve ajrore dhe sistemit ajror për mbrojtje, kanë thënë zyrtarët ukrainas në orët e hershme të 16 shkurtit.

Ushtria ukrainase ka thënë se ushtria ruse ka nisur në total 32 raketa nga ajri dhe deti kundër shënjestrave nëpër Ukrainë, dhe se aeroplanët luftarakë ukrainas dhe sistemet ajrore kanë arritur të rrëzojnë 16 prej tyre.

Përmes një postimi në Telegram, Andriy Yermak, shef i Zyrës së Presidencës ukrainase, ka thënë se shënjestra të sulmeve kanë qenë disa zona të paspecifikuara në veri dhe perëndim të Ukrainës, si dhe disa qendra rajonale në Dnjipropetrovsk dhe Kirovohrad.

Yermak ka thënë se mbrojtja ajrore ka rrëzuar një numër të paspecifikuar të raketave dhe dronëve, por ende nuk dihet nëse ka pasur viktima.

Në perëndim të Ukrainës, Maksym Kozytskiy, udhëheqës i administratës rajonale të Lvivit, ka thënë se “objektet infrastrukturore kritike” janë goditur në rajon, në natën e mbrëmshme, si pasojë e sulmeve ruse.

Raportimet për këto sulme vijnë teksa po intensifikohen luftimet në lindje të Ukrainës.

Artileria ruse, dronët dhe raketat kanë shënjestruar vazhdimisht zonat e kontrolluara nga ukrainasit tash e disa muaj, duke shkatërruar objekte pa dallim.

Në njoftimin e tij ditor më 16 shkurt, Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, ka thënë se forcat ukrainase kanë zmbrapsur sulmet ruse në 15 vendbanime në lindje.

Në rajonet Donjeck dhe Luhansk - të cilat e formojnë rajonin Donbas në kufi me Rusinë - është raportuar për bombardimet intensive ruse, teksa Moska raportohet se është duke dërguar më shumë trupa në atë zonë.

Gjashtë civilë janë vrarë dhe 13 janë plagosur si pasojë e bombardimeve ruse në rajonin e Donjeckut më 15 shkurt, ka thënë guvernatori i këtij rajoni, Pavlo Kyrylenko përmes një postimi në Telegram.

Më 15 shkurt, forcat pushtuese ruse kanë pretenduar sukses në disa zona lufte, duke thënë se trupat ushtarake ruse kanë thyer dy zona ukrainase në rajonin e Luhanskut dhe kanë zmbrapsur trupat ukrainase për gati tri kilometra.

Radio Evropa e Lirë nuk e ka konfirmuar vërtetësinë e këtyre pretendimeve.

As zyrtarët ukrainas nuk e kanë komentuar këtë temë.

Ndër zhvillimet tjera, administrata ushtarake e Kievit ka thënë se ka identifikuar gjashtë balona zbulimi duke fluturuar mbi kryeqytet dhe shumica prej tyre janë rrëzuar.

Zyrtarë të administratës kanë thënë se balonat “kanë mundur të bartin reflektorë dhe pajisje tjera” dhe kanë qenë të dizajnuara për të “identifikuar” mbrojtjen ajrore ukrainase.

Ndërkohë, ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksiy Reznikov, ka thënë se forcave shtetërore do t’iu duhen “disa muaj” për të mësuar si të përdorin armët e reja perëndimore, para se të tentojnë dhe të largojnë rusët nga shteti.

Në një fjalim të mbajtur në Parlamentin rus më 15 shkurt, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka pretenduar se mbështetja perëndimore për Kievin ka qenë e planifikuar dhe se “SHBA-ja dhe satelitët e saj janë duke kryer një luftë gjithëpërfshirëse hibride pas disa vjetësh përgatitje”.

Lavrov ka thënë se së shpejti do të publikohet doktrina e përditësuar për politikë të jashtme, e cila do të bazohet në nevojën për t’i dhënë fund “monopolit të Perëndimit për të formësuar kornizat e jetës ndërkombëtare”.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG