Ndërlidhjet

OKB kërkon afër 400 milionë dollarë për të ndihmuar sirianët


Shkatërrimet nga tërmetet në Alepo të Sirisë.
Shkatërrimet nga tërmetet në Alepo të Sirisë.

Shefi i Kombeve të Bashkuara ka bërë apel për 397 milionë dollarë për të ndihmuar gati 5 milionë të mbijetuar të tërmeteve shkatërruese në pjesën e Sirisë të kontrolluar nga rebelët.

Të mbijetuarit e tërmeteve në Siri kanë më pak qasje në ndihma për shkak të luftës civile që po vazhdon në këtë shtet që 12 vjet.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, e bëri këtë apel më 14 shkurt, një ditë pasi ai mirëpriti marrëveshjen midis OKB-së dhe presidentit sirian, Bashar al-Assad, për të hapur dy pikëkalime nga Turqi për një periudhë tremujore.

OKB-ja tha se përmes këtyre pikave do të kalojnë vetëm ndihmat për të mbijetuarit e tërmeteve, që në Siri dhe Turqi kanë lënë të vdekur mbi 35.000 persona.

*Video: Vdekja pllakos Sirinë e goditur nga tërmetet

"S'ka kush t'i shpëtojë": Vdekja pllakos Sirinë e goditur nga tërmeti
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:59 0:00

Guterres tha se shkatërrimet nga tërmetet e 6 shkurtit, ishin “ndër më të këqijat në historinë e fundit” dhe “ne e dimë se ndihma që shpëton jetë nuk po dërgohet me shpejtësinë dhe madhësinë e nevojshme”.

Ai tha se 397 milionë dollarë do të ofronin “ndihmë shpëtuese për pothuajse 5 milionë sirianë – përfshirë strehim, kujdes shëndetësor, ushqim dhe mbrojtje” për tre muaj.

Guterres tha se OKB-ja është në fazën e fundit të përgatitjes për të lëshuar një apel emergjent edhe për Turqinë, që është goditur rëndë nga tërmetet.

Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ofrojë fonde emergjente pa vonesa, duke theksuar: “Dhimbja njerëzore nga kjo tragjedi e madhe natyrore nuk duhet të përkeqësohet nga pengesat njerëzore: qasja, fondet dhe furnizimet”.

Ai po ashtu tha se autoritetet në Siri duhet të sigurojnë të gjitha rrugët në të gjitha zonat, në mënyrë që të mos ketë kufizime për dërgimin e ndihmave.

Më 6 shkurt, Turqia dhe Siria u goditën nga tërmete prej 7.8 dhe 7.5 ballësh, që u pasuan me qindra dridhje të tjera të tokës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG