Objektet e lojërave të fatit nuk do të mund të veprojnë afër institucioneve arsimore, me qëllim të mbrojtjes së popullatës së re nga devijimet apo ndikimet negative në zhvillimin e tyre, thuhet në propozim-ligjin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Ky propozim, parashikon që këto objekte të jenë së paku 500 metra larg shkollave fillore dhe të mesme. Në këtë dokument janë të përcaktuara kritere më të rrepta për marrjen e licencës për punë, e që kryesisht kanë të bëjë me të dhëna të detajuara mbi subjektin që kërkon lejen, për veprimtaritë e lojërave të fatit, bastoreve sportive ose kazinove.
Ndryshimet që duhet të miratohen në Kuvendin maqedonas vijnë pas pothuajse katër vjetësh kërkesash të vazhdueshme, por edhe protesta e forma tjera të shprehjes së pakënaqësisë nga shoqata, mësimdhënës e prindër të nxënësve, të cilët kërkonin mbylljen apo zhvendosjen e objekteve të lojërave të fatit.
Propozimi i ekzekutivit është komentuar në forma të ndryshme, duke lënë sërish pakënaqësi, qoftë nga ata që kërkojnë zhvendosjen e tyre, apo të tjerët që ushtrojnë veprimtari të tillë.
Satki Ismaili, mësimdhënës në Tetovë thotë për Radion Evropa e Lirë se ky propozim ligjor duhet të miratohet sa më parë pasi veprimtaritë e bixhozit janë të dëmshme, jo vetëm për fëmijët por edhe të rriturit.
“Ato [objektet e lojërave të fatit] duhet të jenë larg shkollave, kjo pasi vetëm kur i shikojnë fëmijët mund t’i tërheqin ngase reklamat e tyre janë vizuelisht imponuese dhe ndikojnë te fëmijët. Pra, që në moshën e tyre të re ato bëhen tërheqëse për fëmijët, hapen dyert për ta. Dashtë Zoti që Ligji të ndryshohet dhe këto bastore të mbyllen”, thotë Ismaili.
Nga Lëvizja “Anti Bixhoz”, e cila kërkon ndalimin e punës së lojërave të fatit, apo zhvendosjen e tyre jashtë qyteteve, thonë se propozimi i Qeverisë është një bazë e mirë, por jo edhe zgjidhje përfundimtare të këtij problemi.
Kjo lëvizje kërkon zhvendosja e objekteve të lojërave të fatit të jetë 3 kilometra nga vendet e banuara.
“Pyesim institucionet se ku do të ngelen çerdhet, institucionet publike, si do mbrohen qendrat e qyteteve. Vallë, pranë objekteve fetare dhe institucioneve edukativo-arsimore do të lejohen objekte të kumarit. Prandaj, kërkojmë që me këtë ligj të përfshihen edhe këto institucione me interes publik”, thotë Jushi Emurllahu, drejtues i kësaj Lëvizje.
Një nga qytetet ku ka shumë objekte të lojërave të fatit është edhe Tetova.
Kryetari i kësaj komune, Bilall Kasami, thotë se për këtë çështje do të debatojë edhe asambleja komunale dhe nuk e përjashton mundësinë që të miratohet një vendim me të cilin do të ndalohej tërësisht hapja e objekteve të tilla brenda qytetit. Për këtë problematikë, sipas tij, mund të organizohet edhe referendum.
Por, kundër propozimit të Qeverisë ka dalë Shoqata e bastoreve sportive, kazinove dhe lojërave tjera të fatit. Kjo shoqatë thotë se qëllimi i ekzekutivit është mbyllja e aktivititeteve të tyre, dhe jo zhvendosja e objekteve ku organizohen lojërat e fatit.
“Propozimi është shumë i vështirë për t'u zbatuar në terren. Largimi i një objekti për 500 metra nga një shkollë do të afrojë të njëjtin pranë një shkolle tjetër. Prandaj, konsiderojmë se distanca e propozuar prej 500 metrash në thelb do të thotë që Qeveria propozon realisht mbylljen e plotë të kësaj dege të ekonomisë”.
“Do të mbyllet një biznes 100 për qind legal, i cili automatikisht do të bëjë që lojërat e fatit të luhen nën tokë, në bodrume, sikur dekada më parë. Shteti nuk do të ketë as kontroll dhe as do të realizojë të ardhura në buxhet”, thuhet në reagimin e shoqatës.
Sipas të dhënave të saj, nga bastoret sportive, kazionot dhe lojërat tjera të fatit në buxhetin e shtetit derdhen rreth 280 milionë euro në vit.
Në bastoret sportive besohet se janë të punësuar më shumë se 4.000 persona ndërsa mbi 10.000 në të gjitha lojërat tjera.