Ndërlidhjet

Zelensky në Bruksel kërkon më shumë armë për t'u mbrojur nga Rusia 'anti-evropiane'


Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky pranë Presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel me liderët e tjerë evropianë për një foto të përbashkët gjatë samitit të BE-së në Bruksel, 9 shkurt 2023.
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky pranë Presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel me liderët e tjerë evropianë për një foto të përbashkët gjatë samitit të BE-së në Bruksel, 9 shkurt 2023.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka mbërritur në Bruksel për të vazhduar lobimin për armë më të avancuara nga aleatët evropianë, duke i thënë Parlamentit Evropian se vendi i tij po lufton “kundër forcës më të madhe anti-evropiane të botës moderne”.

Vizita e 9 shkurtit në Bruksel ishte e fundit në turneun e papritur të Zelenskyt në Evropë, prej ku ai kërkoi më shumë armë, pas pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia, dhe erdhi pasi forcat ruse thuhet se shtuan sulmet në lindje të Ukrainës përpara një ofensive të pritshme në prag të përvjetorit të luftës.

Edhe pse Zelensky nuk ka gjasa të largohet nga Brukseli me premtime të menjëhershme për më shumë ndihmë ushtarake, vizita do t'i japë atij mundësinë për të folur me të 27 udhëheqësit e Bashkimit Evropian gjatë një samiti të planifikuar më vonë gjatë ditës.

Gjatë fjalimit të tij në Parlamentin Evropian, presidenti ukrainas falënderoi BE-në për ndihmën që blloku ka dhënë që kur Rusia filloi fushatën agresive të pushtimit të vendit të tij.

"Faleminderit", tha Zelensky teksa ligjvënësit e BE-së duartrokitën gjatë.

"Ne po mbrohemi në fushëbetejë, ne ukrainasit, së bashku me ju ... kundër forcës më të madhe anti-evropiane të botës moderne", tha ai.

Javëve të fundit, Ukraina ka marrë premtime nga vendet perëndimore se do t'i sigurojnë tanke luftarake, por ka bërë thirrje për armatim edhe më të avancuar, duke përfshirë avionë luftarakë dhe raketa me rreze më të gjatë. Zelensky pritet gjithashtu të adresojë nevojën për fillim të shpejtë të bisedimeve për anëtarësim në BE gjatë samitit.

“Ukraina do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, një Ukrainë fitimtare”, tha Zelensky në Parlamentin Evropian.

Kryetarja e Parlamentit të BE-së Roberta Metsola, teksa iu drejtua Zelenskyt, tha se "ju duhet të fitoni dhe tani vendet anëtare të BE-së duhet të konsiderojnë hapin e ardhshëm të shpejtë, sigurimin e sistemeve me rreze të gjata dhe avionëve që ju nevojiten për të mbrojtur lirinë tuaj".

Gjatë vizitës së tij në Parlamentin britanik më 8 janar, Zelensky u bëri thirrje në mënyrë specifike liderëve perëndimorë që të siguronin avionë luftarakë.

"Unë ju bëj thirrje juve dhe botës, me fjalët e thjeshta por të rëndësishme - avionë luftarakë për Ukrainën, krahë për lirinë", tha Zelenskiy. "Ne e dimë se liria do të fitojë, ne e dimë se Rusia do të humbasë".

Presidenti ukrainas filloi një turne të papritur në Evropë më 8 shkurt, me vizita në Britani dhe Francë, duke shënuar udhëtimin e tij të dytë jashtë vendit që nga pushtimi rus, pothuajse një vit më parë.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky pas takimit me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz, më 8 shkurt në Paris.
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky pas takimit me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz, më 8 shkurt në Paris.

Pas vizitës në Britani, presidenti ukrainas u nis për në Paris për darkë me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz.

Pjesëmarrja e tij në samitin e BE-së në Bruksel do të jetë "një sinjal i solidaritetit evropian", tha kancelari gjerman Olaf Scholz, i cili u takua me Zelenskyn më 8 shkurt në Francë.

“Ukraina mund të mbështetet te Franca, partnerët e saj evropianë dhe aleatët për të fituar luftën. Rusia nuk mund dhe nuk duhet të fitojë”, tha Macron para darkës së tyre të punës.

Zyra e Macron, përmes një njoftimi për media, konfirmoi se Zelensky do të marrë pjesë në samitin e së enjtes në Bruksel, ku liderët e BE-së do të zotohen për mbështetjen e tyre për popullin ukrainas.

Turneu evropian i Zelenskyt dhë kërkesat e tij për armë më të avancuara erdhën në kohën kur Ukraina po përgatitet për një ofensivë ruse dhe po zhvillon planet e veta për të rimarrë territoret e pushtuara nga Rusia.

Mbështetja perëndimore ka qenë kyçe për mbrojtjen e ashpër të Kievit.

Zelensky, një ditë më parë, gjatë vizitës së tij në Londër, falënderoi popullin britanik për mbështetjen e tyre që nga "dita e parë" e pushtimit të Moskës gati një vit më parë, ndërsa kryeministri britanik Rishi Sunak tha se avionët luftarakë ishin "pjesë e bisedës" për ndihmën për Ukrainën.

"Asgjë nuk është jashtë tryezës", tha ai në një konferencë shtypi në mbrëmje në një bazë të ushtrisë britanike. "Ne duhet të armatosim Ukrainën në një afat të shkurtër, por ne duhet ta mbështesim Ukrainën për një afat të gjatë", tha ai.

Zelensky tha se Ukraina ka nevojë për të gjitha llojet e furnizimeve, jo vetëm avionë, por edhe municione dhe raketa me rreze të gjatë.

Udhëtimi i Zelenskyt në kryeqytetet evropiane të mërkurën është ushëtimi i tij i dytë jashtë vendit që nga pushtimi i Rusisë më 24 shkurt 2022.

Në dhjetor të 2022, ai udhëtoi në Uashington për t'u takuar me Presidentin Joe Biden, prej nga edhe iu drejtua Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG