Ndërlidhjet

Bislimi: Faj për moszbatimin e Marrëveshjes së Energjisë ka edhe Brukseli


Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi. Fotografi ilustruese.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi. Fotografi ilustruese.

“Një pjesë bukur të madhe të fajit për moszbatimin e Marrëveshjes [së Energjisë] e ka vet Brukseli... që kanë dërguar sinjale të gabueshme të Elektroseveri përmes interpretimeve të gabueshme të neneve që nuk kanë të bëjnë asgjë më Udhërrëfyesin”, ka deklaruar zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Kështu tha ai gjatë një konference për media më 8 shkurt, kur u pyet se ku ka mbetur zbatimi i Udhërrëfyesit për zbatimin e Marrëveshjes për Energji, që Kosova dhe Serbia e kishin nënshkruar më 21 qershor 2022.

Ndërsa marrëveshja ishte arritur më 2013 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Sipas Bislimit, kompania serbe - Elektrosever – që do të furnizojë dhe faturojë energjinë në veri, thirret në një marrëveshje të cilën thotë se e ka nënshkruar në Stabmoll të Turqisë me kompaninë kosovare për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS), e që sipas tij, nuk ka të bëjë asgjë me marrëveshjet e Brukselit.

Më 9 gusht, Bashkimi Evropian e pranoi se ka vonesa në zbatimin e Udhërrëfyesit, duke thënë se përgjegjësia përfundimtare për zbatimin e saj “mbetet në duart e palëve”.

Zëvendëskryeministri i Kosovës tha gjatë konferencës se “e vetmja palë që në plotni i ka pambushur obligimet që dalin nga ky udhërrëfyes është Qeveria e Kosovës, e cila e ka licencuar Elektroseverin”.

Elektrosever, pronë e kompanisë energjetike të Serbisë EPS, mori licencën për operim nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) më 24 qershor.

Bislimi përmendi edhe të paktën tri pika që ende nuk janë pambushur, e që sipas tij, janë përgjegjësi e Elektroseverit.

E para, dërgimi i të dhënave të plota të konsumatorëve nga Elektroseveri, gjë që sipas tij nuk ka ndodhur deri sot, përveç “disa të dhënave të falsifikuara që janë dërguar pas 100 ditësh”. Ai tha gjithashtu se nuk është nënshkruar kontrata kornizë mes KEDS-it dhe Elektrosever-it, si dhe marrëveshja që KEDS-i dhe Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT) të kenë qasje të vazhdueshme dhe përhershme në Vallaç.

Çka thonë pikat 2, 3 dhe 5 në Udhërrëfyesin për Energji?

  • Në pikën e dytë të Udhërrëfyesit përmendet lëshimi i licencës për furnizim, Elektroseveri do t’i sigurojë KEDS-it dhe KOSTT-it të dhënat e fundit të disponueshme për konsumatorët, nëpërmjet BE-së.
  • Në pikën e tretë të Udhërrëfyesit thuhet se Elektroseveri do të nënshkruajë teknikalitet e nevojshme të marrëveshjes me KOSTT-in dhe KEDS-in për të operuar në tregun energjetik të Kosovës. Pra, Marrëveshja kornizë për pranimin e rregullave të tregut të energjisë elektrike me KOSTT-in, Marrëveshja mbi detyrimin e bilancit me KOSTT-in, Marrëveshjen e kyçjes me KEDS-in dhe një Marrëveshje komerciale me KEDS-in për ofrimin e shërbimeve të distribucionit (faturimi, arkëtimi, mirëmbajtja dhe lidhja fizike e konsumatorëve të rinj) në katër komunat veriore me shumicë serbe.
  • Në pikën e pestë të Udhërrëfyesit thuhet se pas marrjes se licencës për furnizim, KEDS dhe KOSTT (nën lehtësimin e BE-së, nëse ka nevojë) do të kenë qasje te nënstacioni i Vallaçit, si dhe në infrastrukturën tjetër për shpërndarje.

Nënstacioni elektrik në Vallaç është një prej pikave e cila i furnizon me energji elektrike katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës dhe hidrocentralin e Ujmanit (Gazivodës), si dhe i takon rrjetit të shpërndarjes së Kosovës edhe sipas Marrëveshjes së Brukselit për energjinë të vitit 2013 dhe asaj të vitit 2015.

Me këtë marrëveshje synohet të rregullohet çështja e furnizimit dhe faturimit të energjisë elektrike për katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Qytetarët e këtyre komunave që nga viti 1999 nuk paguajnë për energjinë e shpenzuar. Përgjatë viteve, borxhi i tyre është paguar nga qytetarët e komunave të tjera të Kosovës dhe që nga viti 2017 nga Qeveria e Kosovës.

Llogaritet se fatura e përgjithshme e konsumatorëve për energji në veri shkon deri në 12 milionë euro në vit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG