Ndërlidhjet

'Nuk munda thjesht të rrija': Luftëtarët rusë tregojnë pse po luftojnë kundër Kremlinit


Raportet e mediave sugjerojnë se mund të jenë deri në 4.000 rusë që luftojnë për Ukrainën si pjesë e legjionit të Rusisë së Lirë.
Raportet e mediave sugjerojnë se mund të jenë deri në 4.000 rusë që luftojnë për Ukrainën si pjesë e legjionit të Rusisë së Lirë.

Për javë të tëra, disa nga luftimet më të ashpra të luftës në Ukrainë janë zhvilluar në qytetin e Bahmutit, në rajonin e Donjeckut, qytet të cilin duket se forcat ruse janë të përkushtuara ta marrin me çdo kusht.

Qyteti, gati i boshatisur, po mbahet nga forcat ukrainase, por edhe nga vullnetarë rusë nga ushtria Free Russia (Rusia e Lirë), të cilët po luftojnë kundër trupave pushtuese të shtetit të tyre.

Natyra e luftimeve ka ndryshuar që kur presidenti rus, Vladimir Putin, bëri thirrje për mobilizim ushtarak në muajin shtator, duke çuar dhjetëra mijëra ushtarë shtesë në linjat ruse. Përveç kësaj, grupi privat mercenar Wagner ka rekrutuar dhjetëra mijëra të dënuar nga burgjet ruse dhe duket se po kryeson përpjekjet për të kapur Bahmutin.

"E ndiejmë ndryshimin që nga mobilizimi", tha një luftëtar nga lëvizja Free Russia në Bahmut, i cili kërkon të thirret me nofkën Cezar. "Tani mund të qëllosh pa një shënjestër të caktuar, dhe përfundimisht mund të vrasësh dikë. Më parë na duhej të kërkonim për të shënjestruar grupe ruse. Tani, janë shumë nga ta".

"Ata ia kanë dalë të avancojnë pak, por kanë pësuar humbje marramendëse”, shtoi ai duke thënë "më vjen keq për ata njerëz të shkretë. Do të doja t’u thosha se nuk keni armiq në Ukrainë. Nuk keni armiq as në Paris e Nju Jork. Krejt armiqtë tuaj janë të ulur në Kremlin".

Ushtria apo lëvizja Free Russia është themeluar në muajin mars të vitit 2022. Sipas burimeve ukrainase, anëtarët e parë të saj ishin ushtarë rusë që dezertuan nga ushtria e Rusisë pak pasi Moska filloi pushtimin masiv të paprovokuar më 24 shkurt. Në manifestin e tyre, ata përshkruhen si "qytetarë të lirë të Rusisë që marrin përgjegjësi për veten dhe luftojnë për një Rusi të re".

"Ne jemi të bashkuar nga një qëllim - ta mbrojmë Ukrainën dhe më pas të kthehemi në Rusi me armë në duart tona", thotë Cezari nga legjioni i Rusisë së Lirë.
"Ne jemi të bashkuar nga një qëllim - ta mbrojmë Ukrainën dhe më pas të kthehemi në Rusi me armë në duart tona", thotë Cezari nga legjioni i Rusisë së Lirë.

Numri i saktë i ushtarëve në këtë organizatë mbahet i fshehur, por mediat raportojnë se janë deri në 4 mijë të tillë. Cezari, 50-vjeçar nga Shën Petersburgu, që e quan veten “nacionalist rus”, thotë për shërbimin rus të Radios Evropa e Lirë se iu bashkua organizatës në "batalionin e dytë " dhe se tani "batalioni i tretë dhe i katërt janë duke u themeluar”.

Numri ndryshon nga shteti në shtet, por një batalion zakonisht konsiston në disa qindra trupa, deri të 1000 sosh.

"Të gjithë janë njerëz të ndryshëm", tha ai kur u pyet kush i është bashkuar lëvizjes.

"Të gjitha kanë pasur fate të ndryshme, por jemi të bashkuar në një qëllim – të mbrojmë Ukrainën dhe të kthehemi në Rusi me armë në duar”.

"Rusia e ka zhvleftësuar veten dhe nuk mund të ketë më transferim normal të pushtetit atje”, shtoi ai, "Do ta shtrëngojnë fort [pushtetin] dhe janë të gatshëm të sakrifikojnë miliona njerëz për ta bërë një gjë të tillë".

Tikhy – që do të thotë “i qetë” në shqip, është nofka e një tjetër ushtari rus nga e njëjta organizatë. Ai është me origjinë nga qyteti Toljati, pranë lumit Volga. Kur pushtimi i Moskës filloi në muajin shkurt të vitit 2022, ai po punonte në një kantier ndërtimi në Kiev.

"Në fillim nuk mund ta besoja", kujton ai. "Vetëm kur pashë raketën e tretë e kuptova çfarë po ndodh. Mblodha familjen dhe u fshehëm në bodrum”.

Tikhy ka luftuar për Ukrainën që nga fundi i pranverës së vitit të kaluar.
Tikhy ka luftuar për Ukrainën që nga fundi i pranverës së vitit të kaluar.

Në fund të pranverës ai iu bashkua lëvizjes ushtarake. Ai i kaloi disa javë në trajnime dhe u dërgua në linjën e parë të luftës. Ai është në vendin e njëjtë që nga atëherë.

"Kam mbaruar punë me Rusinë. Nuk dua të dëgjoj për të, pas asaj çfarë i bënë Kievit dhe rajonit", tha Tikhy kur u pyet se a pret që të shkojë në atdheun e tij përsëri, duke iu referuar provave bindëse se forcat ruse kryen krime mizore në zonat që ata pushtuan, përfshirë qytetet e rajonit të Kievit si Buça.

Cezari iu bashkua organizatës diku në atë kohë.

"Njëzetekatër shkurti ishte shokues", tha ai. "Fëmijët po më shikonin me lot në sy dhe më pyetën ‘ babi si është e mundur, si mundi Rusia ta sulmojë Ukrainën?’. Unë ju thashë të mos mërziten sepse Ukraina do të fitojë në fund".

"Nuk munda thjesht të rrija", tha ai. "Kam provuar të shkoj si vullnetar në thirrjet ushtarake të huaja, por në atë kohë nuk i pranonin rusët. Pastaj u formua organizata Free Russia, unë aplikova, kalova në disa kontrolle të sfondit personal, dhe ja ku jam tani”.

Të dy burrat tani janë në një ekuipazh mortajash duke u përballur me trupat e patrajnuara ruse.

"Putini me të vërtetë ngriti aksionet me anë të mobilizimit", tha Cezari. "Më parë, ne po luftonim kundër të ashtuquajturve ‘burra të vegjël të gjelbër’ dhe kundër disa Vasjave që uleshin në Saratov duke parë televizor", tha ai, duke përqeshur emrin e zakonshëm rus Vasili.

"Tani Vasja duhet të zbresë nga prapanica dhe të zvarritet rreth një llogoreje të ftohtë jashtë Bahmutit, ndërsa Tikhy dhe unë qëllojmë me mortaja kundër tij", tha ai.

"Qëndrimi i Vasjas do të ndryshojë. Nëse Vasja mendon vërtet për këtë, ndoshta ai do të bashkohet me ne dhe ne do të marshojmë së bashku në Moskë".

Një predhë e përdorur nga legjioni me fjalët "Për lirinë e Rusisë".
Një predhë e përdorur nga legjioni me fjalët "Për lirinë e Rusisë".

Pavarësisht se mori armët kundër ushtrisë dhe qeverisë ruse, Cezari këmbënguli se ai mbeti një nacionalist rus me prirje nga e djathta, i cili shikon pas me nostalgji në epokën cariste.

"Çfarë janë provincat ruse?", tha ai. "Llum, rrënoja, varfëri e dehje. Kjo është ajo, për të cilën duhet të punojmë, në vend se ta zgjerojmë burgun tonë për të përfshirë Gjeorgjinë, Ukrainën, shtetet baltike dhe Bjellorusinë. Ky është lloji i nacionalistit rus që jam unë... Atje nuk ka kuptim të përdorësh forcën për të mbajtur njerëzit që nuk duan të jenë me ty".

Cezari është i sigurt në fitoren përfundimtare të Ukrainës, por u kërkoi aleatëve të Kievit të siguronin armatim më të avancuar.

"Ju e patë se si 20 ose 30 njësi HIMARS ndryshuan rrjedhën e luftës", tha ai, duke iu referuar raketave të shumta të prodhuara nga SHBA-ja që ndihmuan Ukrainën pas pushtimit fillestar. "Dhe, Perëndimi ka qindra të tjera. Dhe, mijëra tanke. Mos t’i përmendim avionët".

"Nëse Ukraina do të kishte qoftë edhe një pjesë të vogël të këtyre armëve, Tikhy dhe unë do të festonim fitoren tonë diku në një plazh në Krime", tha ai.

Përgatiti: Gresa Kraja

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG