Përfaqësuesi i komunitetit shqiptar në jug të Serbisë, Shaip Kamberi, thotë se standardet që do të vendosen për komunitetin serb në Kosovë, duhet të jenë standarde për të gjitha pakicat në Ballkanin Perëndimor.
“Ne nuk mund të rrimë duarkryq dhe të shikojmë krijimin e standardeve të veçanta, që do të vlejnë për një pakicë ‘hyjnore’ në veri të Kosovës”, thotë Kamberi për Radion Evropa e Lirë duke iu referuar pakicës serbe.
Fundjavën e kaluar, Kamberi dhe disa përfaqësues të boshnjakëve që jetojnë në Serbi, takuan në Prishtinë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Kërkesë e tyre e përbashkët ishte që pakicat në Serbi të gëzojnë të drejta të njëjta sikurse pakica serbe në Kosovë.
Sipas një njoftimi të lëshuar nga kabineti i Kurtit, ata u shprehën të pakënaqur me pozitën e shqiptarëve dhe të boshnjakëve në Serbi, sidomos në komunat: Novi Pazar, Tutin, Sjenicë, Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
“Komunitetet e ndryshme duhet të trajtohen pa dallim në kuadër të parimeve universale dhe në përputhje të plotë me standardet e Bashkimit Evropian”, tha Kurti.
Aktualisht, Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve.
Palët kanë para vetes një plan evropian për këtë qëllim. Përmbajtja e tij nuk është bërë publike, por versioni në të cilin ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë, ka përfshirë, mes tjerash, një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.
Cilat janë kërkesat e përfaqësuesve shqiptarë në Serbi?
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Kamberi, i cili është deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, thotë se kërkesa themelore e shqiptarëve është që të kenë trajtim të barabartë në shtetin ku jetojnë.
Si çështje problematike, ai përmend “pjesëmarrjen joadekuate” të shqiptarëve në punën e institucioneve shtetërore dhe arsimimin.
“Pesëmbëdhjetë breza të të rinjve shqiptarë përballen me mosnjohjen e diplomave [nga Kosova] dhe ata po ikin prej këtu”, thotë Kamberi.
REL-i pyeti Ministrinë e Arsimit të Serbisë se sa diploma të marra në Kosovë janë njohur dhe a njihen ato vetëm për vazhdim të shkollimit apo edhe për punësim, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.
Kamberi thotë se janë duke kërkuar edhe ato të drejta që Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës ua garantojnë minoriteteve me standardet e tyre.
Pakica shqiptare në Serbi jeton kryesisht në komunat: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Cilat janë kërkesat e përfaqësuesve boshnjakë në Serbi?
Deputeti i Kuvendit të Serbisë, Enis Imamoviq, nga radhët e Partisë për Veprim Demokratik nëSanxhak, thotë për Radion Evropa e Lirë se të gjitha të drejtat që u garantohen apo u jepen serbëve në Kosovë apo serbëve në Bosnje dhe Hercegovinë, duhet t’u jepen edhe boshnjakëve, shqiptarëve dhe pakicave të tjera në Serbi.
“Të jepen të drejta që garantohen me Kushtetutë, t’u jepet mundësi pakicave kombëtare që të integrohen në vendin ku jetojnë... Ne nuk e ndiejmë këtë kur bëhet fjalë për boshnjakët”, thotë Imamoviq, i cili ishte i pranishëm në takimin me Kurtin, më 4 shkurt.
Partia e tij i ka dy deputetë në Kuvendin e Serbisë dhe e ka mbështetur propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Në komunat e Novi Pazarit, Tutinit dhe Sjenicës, në jugperëndim të Serbisë, shumica e popullsisë është boshnjake.
I pyetur nëse komuniteti i tij kërkon një organizim si Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë - i cili nuk është formuar ende, por ka një marrëveshje për të - Imamoviq thotë se është kundër dhënies së parimit etnik për komunat.
Imamoviq shton se boshnjakët këmbëngulin, po ashtu, në detyrimin e Serbisë për t’i zbardhur të gjitha krimet që kanë ndodhur kundër boshnjakëve të Sanxhakut, nga vitet ‘90 deri në vitin 2000.
Më 1993, në Shtërpce janë vrarë 20 persona - kryesisht boshnjakë - që kanë qenë duke udhëtuar me tren nga Beogradi për në Tivar.
Më 1992, ndërkaq, janë vrarë 17 boshnjakë nga Sjeverini, në kufirin midis Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.
Duke e komentuar takimin në Prishtinë, Imamoviq thotë se ai po bisedon me të gjithë ata që “kanë dëshmuar se janë miq të popullit boshnjak”.
“Nuk shoh asnjë arsye që udhëheqësit shtetërorë të shqetësohen. Për ta, çdo kërkesë për të drejtat e boshnjakëve është një formë destabilizimi”, thotë Iamoviq.
Çfarë tha kryeministrja e Serbisë?
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se serbët në Kosovë nuk mund të trajtohen si pakicë kombëtare, sepse Kosova është “krahina jonë autonome”.
Kosova shpalli pavarësinë 15 vjet më parë dhe ajo njihet prej më shumë se 100 vendeve të botës, përfshirë SHBA-në dhe shumicën e shteteve të Bashkimit Evropian.
Bërnabiq tha se takimi i disa përfaqësuesve politikë të shqiptarëve dhe boshnjakëve nga Serbia me kryeministrin e Kosovës, është përpjekje për ta destabilizuar Serbinë.
Ajo shtoi se të drejtat e pakicave kombëtare në Serbi respektohen, se pakicat kanë këshillat e tyre kombëtarë dhe se marrin pjesë në jetën shoqërore, politike dhe ekonomike të Serbisë.
Çfarë thonë qytetarët në Preshevë dhe në Novi Pazar?
Nexhad Beluli, biznesmen nga Presheva dhe pronar i Televizionit Spektri, i cili transmeton programe në gjuhën shqipe, thotë për Radion Evropa e Lirë se politikanët vendas duhet të merren me zhvillimin ekonomik lokal dhe tërheqjen e investitorëve.
“Këtu nuk ka vende pune, nuk ka perspektivë, të rinjtë po largohen nga vendi dhe ata po udhëheqin ‘politikë të lartë’”, thotë Beluli.
Amina Muriq, nga Novi Pazari, e pyetur për iniciativën e politikanëve boshnjakë, thotë se fjalët e thëna nga politikanët nuk kanë më peshë për të.
“Por, nëse e shikoj situatën pavarësisht asaj se kush e ka thënë, unë dua që të drejtat e boshnjakëve në Serbi të merren pak më seriozisht”, thotë Muriq për Radion Evropa e Lirë.
“Më duket se ne boshnjakët kemi nevojë për pak më shumë përpjekje, në krahasim me qytetarët tjerë, për të arritur të njëjtin nivel dhe rezultat”, shton ajo.
Amer Fehratoviq, nga Novi Pazari, thotë se nuk i kërcënohen të drejtat.
“Gjithmonë ka mënyra për t’i realizuar këto të drejta dhe ne kemi mjete ligjore për t’i siguruar ato”, thotë ai.
Ai shton se boshnjakët dhe pakicat tjera kombëtare mund të mos jenë mjaftueshëm të informuara për të drejtat e tyre.
Në Novi Pazar, ju keni një situatë ku në prokurori, polici e gjyqësor, 80 për qind e punonjësve janë serbë, ndërsa shumica që jeton në atë zonë, është boshnjake".
Fahrudin Klladniçanin, nga Iniciativa akademike joqeveritare “Forum 10” nga Novi Pazari, thotë për Radion Evropa e Lirë se boshnjakët në Novi Pazar, Tutin dhe Sjenicë dhe shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë ballafaqohen me të njëjtat probleme.
Si problem të madh, ai përmend përfaqësimin e pjesëtarëve të komunitetit boshnjak apo shqiptar në polici, gjyqësor, prokurori - pra, në organet shtetërore që ekzistojnë edhe në nivelin lokal.
“Në Novi Pazar, ju keni një situatë ku në prokurori, polici e gjyqësor, 80 për qind e punonjësve janë serbë, ndërsa shumica që jeton në atë zonë, është boshnjake”, thotë Klladniçanin.
Sipas tij, është legjitime të vihet në dukje një problem, zgjidhja e të cilit varet nga shteti.
Por, ai shton se problemet e boshnjakëve dhe shqiptarëve në Serbi janë ndryshe nga problemet e serbëve në Kosovë, sepse rrethanat politike dhe sociale janë ndryshe.
Klladniçanin, po ashtu, thotë se është e natyrshme që përfaqësuesit e shqiptarëve nga jugu i Serbisë të shkojnë në takimet në Prishtinë, për shkak të lidhjeve politike dhe të veçanta që kanë.
Në buxhetin e vitit 2022, Qeveria e Kosovës, për herë të parë, ka ndarë mjete, përkatësisht dy milionë euro, për komunat e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës. Në buxhetin e vitit 2023, për këto komuna janë ndarë 1.2 milion euro.
Në mes të vitit 2018, shqiptarët nga jugu i Serbisë kanë miratuar një deklaratë, me të cilën i kanë kërkuar Beogradit, Prishtinës dhe Brukselit që ta përfshijnë zgjidhjen e statusit të pakicës kombëtare shqiptare në Serbi në dokumentin përfundimtar të marrëveshjes midis Prishtinës dhe Beogradit.
Por, për përfaqësuesit e boshnjakëve, Klladniçanin thotë se ata shkojnë në takime në Kosovë kur situata politike në Serbi është e trazuar, siç është tani, për shkak të deklarimit që duhet të bëjnë në lidhje me propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
“Mendoj se bëhet fjalë për një proces të menduar politik për të provokuar Beogradin zyrtar”, thotë Klladniçanin.
Të drejtat e pakicave kombëtare në Serbi
Në Serbi, të drejtat e komuniteteve pakicë rregullohen me Kushtetutën e Serbisë dhe Ligjin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Pakicave Kombëtare, si dhe me ligje dhe rregullore të tjera.
Me to garantohen dhe mbrohen të drejtat individuale dhe kolektive të pjesëtarëve të pakicave kombëtare, para së gjithash në fushën e arsimit, përdorimit zyrtar të gjuhës, informimit dhe kulturës.
Sipas ligjit, shteti është i detyruar që, në programet e radios dhe televizionit publik, të sigurojë përmbajtje informative, kulturore dhe edukative në gjuhën e pakicës kombëtare.
Gjithashtu, parashihet që anëtarët e pakicave kombëtare në Serbi t’i zgjedhin këshillat nacionalë, për të ushtruar të drejtat e tyre për autonomi kulturore.
Në zgjedhjet për Kuvendin e Serbisë, listat zgjedhore të pakicave kombëtare mund të sigurojnë mandate edhe kur fitojnë më pak se 3 për qind të votave, që është pragu zgjedhor.
Serbia, gjithashtu, ka marrë përsipër ta respektojë Konventën e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare.
Të drejtat e serbëve në Kosovë, të garantuara me Kushtetutë dhe ligje
Pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë kanë dhjetë ulëse të garantuara në Kuvendin e Kosovës, një ulëse ministrore në Qeveri dhe së paku dy zëvendësministra.
Po ashtu, një nënkryetar i Kuvendit të Kosovës duhet të jetë nga radhët e komunitetit serb.
Gjuha serbe, ashtu si shqipja, është në përdorim zyrtar në gjithë territorin e Kosovës.
Komuniteti serb ka kanalin e vet televiziv në kuadër të transmetuesit publik, Radio Televizionit të Kosovës.
Komunitetet joshumicë, përfshirë serbët, kanë të drejtën e arsimimit në gjuhën e tyre amtare. Megjithatë, serbët në Kosovë i ndjekin mësimet sipas plan-programit të Serbisë në të gjitha nivelet.
Në Kosovë ekziston edhe Ligji për zonat e veçanta të mbrojtura, i cili synon të sigurojë mbrojtjen e manastireve, kishave dhe objekteve të tjera fetare ortodokse serbe, si dhe të vendeve historike dhe kulturore që kanë rëndësi të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.
Ky ligj, ndër të tjera, ndalon ndërtimin ose zhvillimin industrial, ndërtimin e digave, termocentraleve, rrugëve transitore e kështu me radhë në zonat e mbrojtura.
Ligji për shërbimin civil parasheh që në kuadër të shërbimit civil në institucionet e nivelit qendror, minimumi dhjetë për qind e pozitave të rezervohen për komunitetet joshumicë, që i plotësojnë kriteret për punësim.
Me një marrëveshje që kanë arritur Kosova dhe Serbia në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, është paraparë edhe formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ky asociacion do të kishte kryetar, nënkryetar kuvend dhe këshill.
Megjithatë, marrëveshja për të nuk është zbatuar kurrë dhe Kosova është nën trysninë e komunitetit ndërkombëtar për ta zbatuar atë.