Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka diskutuar të shtunën propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, me përfaqësuesit e shqiptarëve dhe boshnjakëve në Kuvendin e Serbisë.
Kurti, së bashku me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, kanë pritur të shtunën në Prishtinë, deputetin shqiptar, Shaip Kamberi, kryetarin e partisë SDA Sanxhak, Sulejman Ugljanin, dhe dy deputetët tjerë boshnjakë: Enis Imamoviq dhe Sellma Kuçeviq.
Në një njoftim për media, Zyra e Kryeministrit ka thënë se “komunitetet e ndryshme pa dallim duhet të trajtohen në kuadër të principeve universale e në harmoni të plotë me standardet e Bashkimit Evropian” dhe se të drejtat e komuniteteve joshumicë në Kosovë dhe Serbi, pasqyrojnë "demokracinë dhe zhvillimin tonë si shoqëri".
Katër zyrtarët kanë thënë se janë të pakënaqur me statusin e shqiptarëve dhe boshnjakëve në përgjithësi në Serbi, por kanë theksuar situatën në komunat e Novi Pazarit, Tutinit e Sjenicës në Sanxhak si dhe të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit në Luginë.
“Ata kërkuan reciprocitet të të drejtave me serbët në Republikën e Kosovës”, është thënë në komunikatë.
Deputeti boshnjak, Enis Imamoviq, ka thënë se “pas një përpjekjeje të dështuar për të biseduar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Parlamentin e Serbisë dhe për të mësuar prej tij përmbajtjen e propozimit evropian”, këtë çështje e kanë diskutuar me Kurtin.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se përgjatë vizitës është shprehur interesim që përmes dokumentit në fjalë, palët të krijojnë garanci për zgjidhjen e problemeve të boshnjakëve dhe shqiptarëve në Serbi.
SDA Sanxhak i ka dy deputetë në Kuvendin aktual të Serbisë, ndërsa “Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës” e ka një deputet.
Propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë u është dorëzuar Kosovës dhe Serbisë në fund të verës, por përmbajtja e tij nuk është bërë publike.
Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në një version të tij, ku nuk përmendet njohja reciproke mes dy vendeve, por përkushtimi i tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.
Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.
Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.