Ndërlidhjet

Presidenti kroat tërheq paralele mes Kosovës dhe Krimesë, kryeministri e kundërshton


Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq.
Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq.

Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, kritikoi shtetet perëndimore për, siç tha, përdorim të standardeve të dyfishta në politikat ndërkombëtare, duke tërhequr paralele mes shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe aneksimit të Gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia.

Ai tha se Rusia mund ta përdorë atë që ai e quajti “aneksim të Kosovës” nga komuniteti ndërkombëtar si një justifikim për të marrë pjesë të territorit të Ukrainës.

“Ne e kemi njohur Kosovën kundër vullnetit të shtetit [të Serbisë], të cilit i takon Kosova”, tha ai, duke shtuar se ai nuk po vë në pikëpyetje pavarësinë e Kosovës – të shpallur më 2008 – por konceptin e standardeve të dyfishta të Perëndimit.

“Rusët, nëse janë cinikë, do t’i referohen Kosovës... Ne e aneksuam Kosovën. Ne dhe komuniteti ndërkombëtar. Ajo u mor nga Serbia. Kush e bëri këtë përveç nesh? Nuk është aneksim, është rrëmbim”, tha ai.

Kryeministri slloven, Andrej Pllenkoviq, tha se deklaratat e presidentit nuk përbëjnë "qëndrim politik" të Kroacisë.

"Kosova është shtet i pavarur, shtet i njohur nga Kroacia dhe shtet me të cilin kemi marrëdhënie diplomatike", shkroi Pllenkoviq në Twitter.

Millanoviq tha të hënën se Gadishulli i Krimesë, që Rusia e ka aneksuar nga Ukraina më 2014, kurrë nuk do të jetë pjesë e Ukrainës.

Ukraina është nën pushtimin rus qysh në shkurt të vitit të kaluar.

Millanoviq përsëriti kundërshtimet e tij lidhur me dërgimin e armëve në Ukrainë nga Perëndimi.

Në dhjetor, ligjvënësit kroatë refuzuan propozimin që shteti t’i bashkohet Bashkimit Evropian në mbështetje për ushtrinë ukrainase, duke vënë në pah ndarjet midis Millanoviqit dhe Pllenkoviqit.

Millanoviq tha se ai nuk dëshiron që shteti i tij, që është anëtar i BE-së, të përballet me pasoja potencialisht të rënda lidhur me luftën në Ukrainë.

Çfarë po bën Perëndimi në Ukrainë “është thellësisht jomorale sepse nuk ka zgjidhje [për luftën]”, tha Millanoviq për gazetarët në Petrinja të Kroacisë, duke iu referuar mbështetjes ushtarake të Perëndimit për Kievin.

Ai foli edhe për dërgimin e tankeve të rënda në Ukrainë nga Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania. Millanoviq tha se tanket gjermane në Ukrainë do të shërbejnë që Rusia të afrohet më shumë me Kinën.

Ukraina është zotuar se do të rimarrë kontrollin e Krimesë, që Rusia aneksoi më 2014. Ky aneksim nuk është njohur nga shumica e shteteve. Rusia atëbotë mbajti një referendum, pasi forcat ruse pushtuan Krimenë, dhe tha se banorët votuan për t'u bërë pjesë e Rusisë. As ky referendum nuk u njoh nga shumica e shteteve.

Ndryshe, presidenti rus, Vladimir Putin, disa herë ka tërhequr paralele mes shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe aneksimit të Krimesë.

Krahasimet e tilla janë hedhur poshtë nga Qeveria e Kosovës dhe ekspertët ndërkombëtarë.

Më 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk bie ndesh me Ligjin ndërkombëtar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG