Ndërlidhjet

Rrjetet sociale, kurth për të miturat viktima e trafikimit


Fotografi ilustruese nga arkivi.
Fotografi ilustruese nga arkivi.

“Rrjetet sociale gjithnjë e më shumë bëhen kurth për të miturat viktima të trafikimit”, thonë organizatat që në fokus kanë mbrojtjen e viktimave të trafikimit me qenie njerëzore në Maqedoninë e Veriut.

Këto reagime pasojnë njoftimin e Prokurorisë maqedonase më 27 janar se ka hapur procedurë hetimore kundër katër personave nga Velesi dhe një tjetri nga Tetova, nën dyshimin se kanë kryer veprën trafikim me mitur. Pas kësaj, Gjykata ua ka shqiptuar masën e paraburgimit katër të dyshuarve nga Velesi dhe masën e arrestit shtëpiak personit nga Tetova nën dyshimet për keqpërdorim seksual të një të miture, si dhe përgatitjen e materialeve me përmbajtje eksplicite.

“I dyshuari i parë, 25-vjeçar nga Velesi, nga fundi i dhjetorit 2021 dhe gjatë vitit 2022, duke përdorur kërcënime ndaj fëmijës viktimë, u ka mundësuar të dyshuarve dhe personave të tjerë, që të kryejnë akte seksuale dhe pornografike me viktimën e trafikimit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas njoftimit, 25-vjeçari të miturën e ka njohur përmes rrjetit social, Instagram, në dhjetor të vitit 2021 dhe pasi ka fituar besimin e saj, duke e mashtruar se do të fillojnë një lidhje dashurie, ai e ka shantazhuar me materialet e regjistruara që i ka realizuar gjatë raporteve intime që ka pasur me të.

Po gjatë këtij muaji, Prokuroria ka ngritur hetime edhe kundër pesë personave nga qyteti i Kavadarit për shërbime seksuale me një të mitur. Për këtë vepër penale, trafikim me personat e mitur, parashihet dënimi me burgim prej të paktën tetë vjetësh.

"Viktimat mendojnë se ato janë fajtore për atë që u ka ndodhur"

Nga organizata joqeveritare (OJQ) kundër dhunës dhe trafikimit me qenie njerëzore “La Strada”, kanë ngritur alarmin se fëmijët gjithnjë e më shumë bëhen viktima të trafikimit, duke shtuar se dënimi për këtë vepër penale duhet rritur për faktin se bëhet fjalë për një kategori shumë të ndjeshme.

Nga kjo organizatë bëjnë të ditur se për çdo vit zbulohen 6 deri në 10 raste të viktimave të trafikimit me qenie njerëzore, megjithëse shtojnë se ky numër është më i lartë pasi një pjesë e konsiderueshme e rasteve nuk denoncohen.

Jasmina Dimishkova nga OJQ “La Strada”, thotë për Radion Evropa e Lirë se viktimat e trafikimit në të shumtën e rasteve nuk i denoncojnë rastet, pasi përveç që nuk i njohin të drejtat e tyre, ato zakonisht, pa të drejtë mendojnë se ato janë shkaktare për atë që u ka ndodhur.

“Të rinjtë duhet të edukohen që të jenë të vetëdijshme për të drejtat e tyre. Pra, ata duhet të jenë në gjendje që këto të drejta edhe t’i praktikojnë. Numri i vogël i denoncimeve ka të bëjë me atë se viktimat nuk janë të vetëdijshme se janë viktimë, por vlerësojnë se janë fajtore vetë për atë që u ndodh dhe njëkohësisht kanë turp, kanë frikë nga stigmatizimi prej rrethit”, thotë Dimishkova.

Zëvendësi i Avokatit të Popullit, Jovan Andonovski, thotë për Radion Evropa e Lirë se rrjetet sociale gjithnjë e më shumë po shfrytëzohen si kurth për të miturit për sa i përket trafikimit me qenie njerëzore.

“Platformat në internet, mediat sociale pra teknologjia bashkëkohore gjithnjë e më shumë po shndërrohet në kurth për të miturit, përkatësisht ata bien pre e trafikimit.
Përmes ofertave për punë, lejeve të qëndrimit fshihen qëllimet për trafikimin e të miturve, ndërkohë kjo kategori nuk ka njohuri të mjaftueshme për sa i përket rreziqeve, në të cilat futet gjatë komunikimit në rrjetet sociale”, thotë ai.

"Kontrollimi nga prindërit i komunikimit në rrjete sociale, i domosdoshëm"

Rita Beadini nga organizata joqeveritare “Mollëkuqja” thotë se institucionet e shtetit medoemos duhet të përgatiten për problemet moderne, me të cilat përballet shoqëria, përkatësisht rrezikun dhe sulmet e ndryshme që marrin vajzat përmes rrjeteve sociale.

Ajo nënvizon se, aktualisht, mekanizmi më efikas mbetet kontrollimi nga prindërit i komunikimit që bëjnë të miturit në rrjetet sociale.

“Asnjëherë nuk mund t’i mbrojmë të miturit 100 për qind nga rreziku i komunikimit në rrjetet sociale, por t'i njoftojnë për pasojat e përdorimit të pakontrolluar të rrjeteve sociale”, thotë ajo.

Ndryshe, në mars të vitit të kaluar krijuesi si dhe administratori i grupit të quajtur "Javna Soba” (Dhoma Publike) në rrjetin social Telegram, ku ishin publikuar fotografi dhe video me përmbajtje eksplicite pa lejen e vajzave, Darko Kostovski dhe Mihail Panovski u dënuan me katër vjet burgim.

Kostovskin dhe Panovskin Gjykata Penale e Shkupit i shpalli fajtorë për veprën e prodhimit dhe shpërndarjes së pornografisë për fëmijë.

Kombet e Bashkuara vlerësojnë se rreth 2.5 miliardë njerëz nga 127 vende të ndryshme janë trafikuar në mbarë botën.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG