Ndërlidhjet

Opozita thotë se Asociacioni është përgjegjësi e Qeverisë


Krerët e opozitës, Memli Krasniqi, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj, gjatë një takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Fotografi nga arkivi.
Krerët e opozitës, Memli Krasniqi, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj, gjatë një takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Fotografi nga arkivi.

Dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) konfirmuan pjesëmarrjen e tyre në takimin e nesërm të thirrur nga Ambasada amerikane, në të cilin do të diskutohet çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kërkoi që Asociacioni të zbatohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

LDK-ja tha se në këtë takim “do të konfirmojë edhe njëherë mbështetjen për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, me përfshirjen e plotë të SHBA-së”, por në lidhje me Asociacionin, kjo parti tha se vlerëson se kjo çështje është “kompetencë dhe përgjegjësi kushtetuese vetëm e institucioneve të Republikës së Kosovës, në radhë të parë e Qeverisë”.

“Kompetencat dhe përgjegjësitë kushtetuese nuk kanë alternativë, prandaj LDK-ja, në rolin e saj opozitar, s’ka se si t’i ushtrojë ato. Opozita nuk mund t’i marrë përgjegjësitë e shumicës dhe as të Qeverisë së kësaj shumice. Prandaj, pjesëmarrja e institucioneve shtetërore në këtë proces është domosdoshmëri e pazëvendësueshme”, thuhet në njoftim.

LDK-ja tha se i bën thirrje Qeverisë t’i ushtrojë përgjegjësitë e saj si shumicë dhe ta trajtojë çështjen e Asociacionit në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe në koordinim të ngushtë me aleatët tanë.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se sa i përket përgjegjësive kushtetuese, PDK-ja është parti opozitare dhe nuk është vendimmarrëse, dhe se çështjet e tilla sipas tij adresë duhet ta kenë kryeministrin Albin Kurti.

"Ky [Kurti] duhet t’ju japë drejtim kërkesave që kanë ardhur nga SHBA-ja.. ai është përgjegjës dhe përgjegjësia duhet të drejtohet tek ai”, tha Tahiri pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se konsultat për Asociacionin synojnë që të heqin pengesën e fundit drejt “marrëveshjes së madhe me Serbinë, për njohjen e ndërsjellë”.

Megjithatë, ai tha se Serbia dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po e përdorin Asociacionin si “mbulesë” për “ta kundërshtuar marrëveshjen e madhe”.

“Kjo lojë politike duhet të marrë fund dhe Kosova duhet t’i fokusojë krejt potencialet politike, intelektuale e qytetare në kryetemën e saj që është ‘marrëveshja e madhe për njohje të ndërsjellë me Serbinë’, e cila mund të arrihet vetëm duke qenë të koordinuar ngushtë me SHBA dhe BE”, shkroi ai në Facebook.

Ndërkaq, pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, foli edhe shefja e deputeteve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, e cila tha se Qeveria e Kosovës nuk ka asnjë përplasje me SHBA-në sa i përket Asociacionit, por tha se “mund të kemi ndryshim mendimesh në raport me procesin dhe agjendën e dialogut”.

“Ambasada e SHBA-së ka ftuar nga pozita ministra të dikastereve të veçanta që mendojnë se mund të kontribuojnë në diskutimin për r çështjen e Asociacionit dhe partive opozitare dhe shoqërisë civile”, tha ajo.

Të martën, Ambasada amerikane në Prishtinë do të jetë nikoqire e një diskutimi për Asociacionin.

“Ne jemi duke ftuar një grup divers të liderëve të shoqërisë civile, zyrtarëve qeveritarë, liderëve politikë dhe diplomatëve, për të diskutuar këtë çështje me rëndësi”, kishte njoftuar Ambasada e SHBA-së më 24 janar.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas, më 2015, mbi parimet për themelimin e tij. Po në këtë vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni një-etnik.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar vazhdimisht që Kosova ta respektojë Marrëveshjen për Asociacionin.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG