Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) i ka kërkuar ministrisë së Financave, Transfereve dhe Punës (MFTP), që vendimi për rivlerësimin e pronave të pezullohet dhe që qytetarët e Kosovës të paguajnë vlerën e faturës së tatimit në pronë për vitin 2023 ashtu siç e kanë paguar në vitin 2022.
Kështu thuhet në njoftimin për media të AKK-së, ku përmenden edhe arsyet që thuhet se e kanë shtyrë bordin për ta shtruar këtë kërkesë.
“Rrethana të vështira ekonomike për qytetarin; shkalla e inflacionit është dy-shifrore, shtrenjtim të çmimeve të produkteve bazë dhe produkteve të tjera, nivel i pagave i pandryshuar për vite të tëra dhe ndikim i drejtpërdrejtë në rëndimin e shportës për qytetarin”, thuhet në njoftim.
Tatimi në pronë është taksë vjetore komunale dhe përcaktohet nga shumëzimi i vlerës së pronës me normën tatimore. Normat tatimore vendosen nga komunat përkatëse, ndërsa vlerësimi i pronës bëhet nga ministria. Kjo normë është 0.15 për qind të vlerës së përgjithshme.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë të premten se rritja e tatimit në pronë nuk ka qenë përgjegjësi e këtij institucioni e as e Qeverisë aktuale.
Murati ka thënë në një konferencë për media se faturat e tatimit në pronë për këtë vit janë më të larta, pasi ka hyrë në fuqi tatimi 100 për qind për tokat dhe është bërë vlerësimi i pronave rezidenciale, si dhe shkallës tatimore.
Murati ka thënë se meqë kjo rritje ka shkaktuar pakënaqësi te qytetarët, Ministria e Financave dhe Qeveria e Kosovës janë të gatshme që të dëgjojnë propozimet e komunave për të ulur, apo për të marrë përsipër shlyerjen e një pjese të tatimit në pronë për qytetarët.
Bordi i AAK-së po ashtu kërkon të ketë takime dhe “konsulta të mirëfillta me komunat” në mënyrë që të gjenden mënyrat më të mira për një rivlerësim të pronës.
Çështja e tatimit në pronë është bërë temë diskutimi, pas reagimeve të qytetarëve në rrjetet sociale, të cilët kanë treguar se faturat e tyre të tatimit në pronë janë rritur me raste mbi 50 për qind, në krahasim me të kaluarën.