Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se shteti i tij do t’i dërgojë Ukrainës 31 tanke M1 Abrams, teksa Kievi po vazhdon të përballet me pushtimin rus për pothuajse 12 muaj.
Duke folur në një konferencë për media në Uashington, Biden tha më 25 janar se aftësitë blinduese kanë qenë kritike për Ukrainën për të luftuar kundër një kundërshtari më të madh.
Megjithatë, Biden tha se kjo lëvizje nuk është “një kërcënim për Rusinë”.
Ai shtoi se SHBA-ja do të trajnojë trupat ukrainase “sa më shpejt që të jetë e mundur”.
Vendimi i Uashingtonit për të dërguar tanke në Ukrainë, vjen po të njëjtën ditë që Gjermania i dha dritën e gjelbër dërgimit të tankeve të llojit Leopard.
Moska ka paralajmëruar se furnizimi i Ukrainës me tanke moderne perëndimore përbën një provokim të rrezikshëm.
Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, Biden tha se tanket e NATO-s për Ukrainën do të ndihmojnë që ukrainasit “të përmirësojnë aftësinë e tyre për të manovruar në terren të hapur”.
Ai foli edhe për vendimin e Gjermanisë për të dërguar tanke në Ukrainë.
Biden shtoi se “pritja nga ana e Rusisë është se ne do të ndahemi, por ne jemi plotësisht të bashkuar”.
Vendimi i SHBA-së erdhi menjëherë pasi Gjermania ra dakord të dërgonte 14 tanke Leopard 2 A6 nga rezervat e saj.
Gjermania, duke mos dashur të nxiste zemërimin e Rusisë, më herët kishte refuzuar të dërgonte Leopardët. Dërgimi i tyre ishte thënë se do të mund të behej vetëm nëse edhe SHBA-ja do të vendoste të dërgonte tanket Abrams.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, falënderoi presidentin e SHBA-së dhe popullin amerikan për ndihmën dhe shtoi se ishte një hap i rëndësishëm në rrugën drejt fitores.
“Sot, bota e lirë është e bashkuar si kurrë më parë në një qëllim të përbashkët - çlirimin e Ukrainës. Le të shkojmë përpara”, shkroi Zelensky në Twitter.
Kreu i administratës presidenciale të Ukrainës, Andriy Yermak, reagoi ndaj vendimit të SHBA-së duke e quajtur atë si “ditë historike” që do të ndihmojë në përcaktimin e rezultatit të luftës.
“Gjëja kryesore është se ky është vetëm fillimi. Ne kemi nevojë për qindra tanke”, tha Yermak në një postim në Telegram.
“Është një ditë historike. Një nga ato ditë që do të përcaktojë fitoren tonë të ardhshme”, shtoi ai.
Paketa prej 400 milionë dollarësh, e paralajmëruar të mërkurën, përfshin gjithashtu tetë automjete shpëtimi M88 – zvarritës, të ngjashëm me tanket, që mund të tërheqin tankun Abrams në qoftë se ai ngec, raporton AP.
Franca, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Polonia, Gjermania, Holanda dhe Suedia do të dërgojnë qindra tanke dhe automjete të blinduara të rënda për të forcuar mbështetjen për Ukrainën ndërsa ajo hyn në një fazë të re të luftës dhe përpiqet të depërtojë në linjat e përforcuara ruse.
Edhe pse tanket amerikane i janë premtuar Ukrainës, AP shkruan se ka të ngjarë të kalojnë shumë muaj para se të jenë në fushën e betejës dhe jo në kohën e duhur për ofensivën e pritshme pranverore të Rusisë.
Ambasadori rus në Gjermani, Sergei Nechayev, të mërkurën, e quajti “jashtëzakonisht të rrezikshëm” vendimin e Berlinit për të dërguar tanke Leopard 2 në Ukrainë.
Nechayev tha në një deklaratë në internet se ky veprim “e çon konfliktin në një nivel të ri konfrontimi dhe bie ndesh me deklaratat e politikanëve gjermanë për hezitimin e tyre për t’u përfshirë”.
Deri më tani, SHBA-ja i ka rezistuar dërgimit të tankeve M1 Abrams në Ukrainë, duke përmendur sfidat e gjera dhe komplekse të mirëmbajtjes dhe logjistikës.
Uashingtoni beson se do të ishte më produktiv dërgimi i Leopardëve gjermanë, pasi shumë aleatë i kanë ato tanke dhe trupat ukrainase do të kishin nevojë për më pak trajnim.
Që Abrams të jetë efektiv në Ukrainë, forcat e tij do të kërkojnë trajnim të gjerë për manovrimin e armëve të kombinuara - se si tanket punojnë së bashku në fushën e betejës dhe si ta mirëmbajnë dhe mbështesin armën komplekse me peshë 70 ton, raporton AP.
Para njoftimit, Biden zhvilloi një bisedë me presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Olaf Scholz, kryeministrin italian Giorgio Meloni dhe kryeministrin britanik Rishi Sunak, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, vazhdimisht u ka bërë thirrje aleatëve perëndimorë që të furnizojnë shtetin e tij me armatim, përfshirë tanket më moderne, duke thënë se “nevoja për to është shumë e madhe”.