Ndërlidhjet

Raportohet se Gjermania do t’ia dërgojë Ukrainës tanket Leopard


Një tank i llojit Leopard 2.
Një tank i llojit Leopard 2.

Gjermania ka vendosur t'ia dërgojë Ukrainës tanket Leopard 2, dhe do t’i lejojë edhe shtetet tjera, sikurse Polonia, të veprojnë njëjtë, ka raportuar revista gjermane, Der Spiegel, më 24 janar.

Tanket Leopard 2 janë të prodhuara në Gjermani dhe Berlini duhet të miratojë eksportimin e tyre.

Dy zyrtarë amerikanë i kanë thënë agjencisë së lajmeve, Reuters, më 24 janar, se Shtetet e Bashkuara duket se po ashtu do të heqin dorë nga qasja refuzuese dhe do të mund të dërgojnë tanket M1 Abrams në Ukrainë.

Pentagoni nuk i ka konfirmuar ende këto raportime.

Fillimisht Gjermania ka hezituar që të dërgojë tanket e veta në Kiev, apo edhe t’i lejojë shtetet tjera që kanë modelin Leopard që t'i eksportojnë ato, meqë ka qenë e shqetësuar se mund të përshkallëzohet konflikti me Rusinë.

Mirëpo, ky shtet është përballur me presion të vazhdueshëm nga Ukraina dhe disa vende të NATO-s që të lejojë eksportin e tankeve.

Der Spiegel ka raportuar se vendet tjera, shembull ato skandinave, synojnë të ndjekin hapin e Gjermanisë dhe t’i dërgojnë Kievit tanket Leopard.

Sipas saj, në periudhë afatgjatë, më shumë tanke të tilla mund të riparohen dhe të nisen për luftë.

Der Spiegel ka cituar burimet qeveritare, mirëpo Qeveria gjermane nuk ka konfirmuar ende asgjë.

Ukraina ka muaj që kërkon tanke luftarake, për të luftuar forcat ruse që e kanë nisur luftën në këtë shtet.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, beson se rreth 300 tanke Leopard do të ndihmonin në mposhtjen e Rusisë.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG