Ndërlidhjet

Vuçiq: Plani evropian është kornizë e re negociuese për Serbinë


Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me emisarët ndërkombëtarë në Beograd. 20 janar 2023.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me emisarët ndërkombëtarë në Beograd. 20 janar 2023.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se diplomatët e huaj i kanë thënë se nëse nuk e pranon planin franko-gjerman, Serbia do të përballet me bllokim në integrim evropian, ndalim të investimeve dhe masat gjithëpërfshirëse, në kuptimin politik dhe ekonomik.

“Duhet ta pranoni këtë plan, më thanë”, tha ai në një konferencë për media mbrëmjen e 23 janarit.

Propozimi i BE-së apo plani franko-gjerman, iu dorëzua autoriteteve në Prishtinë dhe Beograd në fund të verës dhe mbështetet nga Franca, Gjermania dhe SHBA-ja.

Plani, në të cilin ka pasur qasje REL-i, parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Në dokument nuk përmendet njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara - për të cilat gjëra insistojnë publikisht zyrtarët kosovarë - por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane.

Më 20 janar, Vuçiq takoi pesë diplomatë të një ekipi evropiano-amerikan, ku më pas deklaroi se Beogradi është i gatshëm të punojë në zbatimin e propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në konferencën e 23 janarit, Vuçiq tha se plani franko-gjerman është kornizë e re negociuese për Serbinë.

“Nuk ka progres për ne nëse nuk bashkëpunojmë për këtë çështje”, tha ai.

Ai tha se nëse Serbia do të refuzonte të bisedonte përveç bllokimit të integrimeve dhe ndaljes së investimeve, do të ballafaqohej edhe me regjimin e vizave, dhe shtoi se Serbia duhet të marrë pjesë në dialog dhe të vazhdojë rrugën e saj evropiane.

"Nuk kemi nënshkruar asgjë, vetëm jemi përballur me fakte. Asgjë nuk do të ndodhë as sot, as nesër, as pas një apo tre muajsh. Kur të jemi para kërkesave përfundimtare Kuvendi i Serbisë dhe populli do të deklarohen", tha Vuçiq.

Vuçiq nuk beson në zgjidhje kompromisi me Kurtin

Vuçiq përsëriti se është kundër konfliktit të ngrirë me Kosovën dhe se është e nevojshme paqja me shqiptarët.

“Është e rëndësishme që të punojmë për një zgjidhje kompromisi”, tha ai dhe shtoi se nuk beson se kjo është e mundur të bëhet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Ai tha se tani ka një luftë të madhe për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Formimi i Asociacionit është dakorduar me Marrëveshjen e Brukselit në vitin 2013, ndërsa dy vjet më vonë është arritur pajtimi për parimet.

Në dhjetor të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi se parimet e Asociacionit nuk janë plotësisht në frymën e Kushtetutës, përkatësisht nenin 3 për “barazinë para ligjit” dhe kapitujt për “të drejtat dhe liritë themelore” dhe “të drejtat e komuniteteve dhe anëtarëve të tyre”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur kundër një asociacioni njëetnik.

Vuçiq përsëriti se nuk ka njohje eksplicite të Kosovës në vetë planin, edhe pse ka një detyrim të nënkuptuar që Serbia të mos e kundërshtojë hyrjen e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

"Serbia në radar sepse nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë"

Vuçiq tha se i gjithë konteksti evropian ka ndryshuar pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.

“Serbia është në radarin e të gjithëve sepse nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë”, tha ai.

Ai tha se se ky fakt është bërë një nga problemet më të mëdha për Serbinë.

Takimi në Qeveri

Më herët gjatë ditës, me ftesë të kryeministres, Ana Brnabiq, Vuçiq mori pjesë në mbledhjen e Qeverisë së Serbisë, e cila zgjati rreth dy orë dhe ishte e mbyllur për publikun.

Pas takimit, u tha se presidenti serb njoftoi ministrat për qëndrimin e Beogradit zyrtar për çështjen e Kosovës, siç u tha, me “sfidat dhe vështirësitë me të cilat po përballet Serbia”.

Sipas njoftimit të Qeverisë serbe, në takim “u pajtuan që presidenti, qeveria dhe të gjitha autoritetet ekzekutive të punojnë në mënyrë të sinkronizuar dhe të unifikuar".

Kurti dhe Vuçiq u takuan për herë të fundit në nëntor të vitit të kaluar. BE-ja, sipas burimeve, synon t'i bindë palët që të takohen sërish para fundit të muajit janar.

Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve - me ndërmjetësimin e BE-së - që nga viti 2011.

Prishtina kërkon që një marrëveshje finale me Serbinë të përfshijë njohjen reciproke, ndërsa Beogradi dëshiron një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi e ka fjalën.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG