Ndërlidhjet

Në Beograd ngrihen akuza penale për shkak të grupit Wagner


Një grafiti në qendër të Beogradit dedikuar grupit rus Wager.
Një grafiti në qendër të Beogradit dedikuar grupit rus Wager.

Disa grupe ruse dhe ukrainase kundër luftës, me një avokat nga Beogradi, kanë ngritur në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd një sërë akuzash penale në lidhje me aktivitetet e grupit ushtarak privat të Rusisë, Wagner.

Mercenarët e Grupit Wagner janë akuzuar nga vendet perëndimore dhe ekspertët e Kombeve të Bashkuara për shkelje të shumta të të drejtave të njeriut.

Akuzat janë ngritur kundër drejtorit të Agjencisë serbe për Siguri dhe Informim (BIA) Aleksandar Vulin, ambasadorit rus në Serbi, Aleksandar Bocan Harchenko, Qendrës Humanitare ruso-serbe në Nish dhe anëtarëve të organizatës së krahut të djathtë, “Patrulla Kombëtare”.

Avokati, Çedomir Stojkoviq, ka theksuar se të gjithë janë duke punuar për të mobilizuar qytetarët e Serbisë për luftë.

“Harchenko udhëheq, Vulin parandalon punën e kundër-zbulimit, qendra në Nish është platformë dhe prandaj e kemi Wagnerin realitet”, ka shkruar Stojkoviq në Twitter.

Përveç Stojkoviqit, akuza penale kanë ngritur edhe përfaqësuesit e Shoqërisë Demokratike Ruse, pjesëtarë të asociacionit të diasporës ukrainase në Serbi dhe organizata humanitare, “Pëllumbi i Paqes”.

Akuza penale janë ngritur edhe kundër një numri të personave privatë, të punësuar nga Ambasada ruse në Beograd dhe persona tjerë privatë që janë të lidhur me Qendrën Humanitare ruso-serbe në Nish.

Kallëzim penal është ngritur edhe kundër Damjan Knezheviqit, liderit të organizatës serbe të krahut të djathtë “Patrulla Popullore”.

Stojkoviq u ka thënë gazetarëve, pas ngritjes së padive, se ato u referohen edhe veprimeve të misionit diplomatik rus “për mobilizimin e shtetasve serbë për të marrë pjesë në luftën në Ukrainë”.

“Ne kemi dyshim të bazuar për të menduar se Aleksandar Vulin, si drejtor i BIA-s, ka dhënë urdhra, direktiva dhe udhëzime për të parandaluar aktivitetet e Grupit Wagner në Serbi, duke parandaluar punën e kundër-zbulimit në Serbi”, ka thënë Stojkoviq.

“Në faqen e Ambasadës ruse në Serbi, kane ekzistuar instruksione të qarta, instruksione si të aplikohet në ushtrinë ruse, dhe dhënia e instruksioneve të tilla është shkelje penale sipas Kodit Penal të Serbisë”, ka thënë ai.

Një instruksion i tillë është publikuar vite më parë në faqen e Ambasadës ruse.

Pas shpërndarjes së tij në rrjetet sociale, udhëzimet janë hequr nga faqja e vjetër e ambasadës, mirëpo ajo ende ekziston në historinë e gjigantit elektronik, Google.

Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, i ka kontaktuar institucionet dhe individët e paditur, mirëpo ata nuk kanë qenë të qasshëm për koment.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG