Tre muaj më parë, gjenerali Sergei Surovikin u zgjodh nga Kremlini për të udhëhequr fushatën ushtarake të Rusisë në Ukrainë. Ai u bë komandanti i përgjithshëm i operacionit, në një kohë kur forcat ruse pësuan një zmbrapsje dhe ishin në prag të një tjetre.
Pas lëvdatave të marra nga nacionalistët rusë dhe kritikët e ashpër të performancës së ushtrisë, Surovikin, pas promovimit të tij, dha urdhër për një fushatë bombardimi që synonte infrastrukturën energjetike të Ukrainës, me qëllim që ta zhyste popullatën në errësirë në dimrin e acartë. Ai, gjithashtu, tërhoqi trupat ruse nga qyteti i vetëm që kishin pushtuar që nga ndërhyrja ushtarake në muajin shkurt të vitit të kaluar, një tërheqje taktike që i dha Ukrainës një fitore, por që ndihmoi edhe në fortifikimin e linjave ruse.
Së fundmi, trupat ruse, në bashkëpunim me ushtarët nga kompania private ushtarake Vagner, e njohur për reputacionin e saj kundërthënës, lansuan një sulm të drejtpërdrejtë dhe të ashpër për të marrë qytetet Bakhmut dhe Soledar në rajonin e Donbasit. Raportet tregojnë se taktikat e përdorura ishin të ngjashme me ato të Luftës së Parë Botërore, duke përfshirë sulme me këmbësori që rezultuan me numër të madh të viktimave nga ana ruse.
Më 11 janar, Surovikin u degradua nga pozita e tij.
Duke qenë se ndërhyrja ushtarake e paprovokuar ruse në Ukrainë hyn në muajin e njëmbëdhjetë, fundi i së cilës nuk po shihet në horizont, presidenti Vladimir Putin bëri ndryshime në komandën ushtarake duke e zëvendësuar Surovikin me gjeneralin Valery Gerasimov, i cili kishte shërbyer më parë si kryetar i stafit të përgjithshëm dhe është një bashkëpunëtor i ngushtë i ministrit të Mbrojtjes, Sergei Shoigu.
Surovikin ruajti gradën e tij, por u emërua si zëvendësi i Gerasimovit, së bashku me dy oficerë të tjerë të lartë, më pak të njohur.
Ky riorganizim, i katërti i këtij lloji që Putini bën në strukturën e komandës së luftës, ka ngjallur spekulime të reja nga ekspertët rusë dhe ata perëndimorë rreth qëllimeve të Kremlinit në atë që tani njihet si lufta më e madhe në Evropë gjatë 80 vjetëve të fundit.
"A është se Putinit po i rritet zhgënjimi me metodat e Surovikinit dhe mungesën e arritjeve të dukshme që ai mund t'i prezantojë si fitore për publikun rus? Është e mundur", tha Mick Ryan, një gjeneral i lartë i pensionuar australian dhe ekspert në strategjinë ushtarake ruse.
"A ka të bëjë kjo më shumë për luftërat e brendshme të pushtetit, me armiqësinë dhe konkurrencën e hapur midis ushtrisë ruse dhe grupit Vagner që detyron ndërhyrjen e Putinit?", tha ai duke shtuar: "apo sepse Surovikin, me lidhjen e tij të drejtpërdrejtë me Putinin, po bëhej më i fuqishëm në krahasim me Gerasimovin?".
Disa analistë besojnë se të gjithë faktorët e mësipërm mund të kenë kontribuar në këtë riorganizim, përfshirë konkurrencën e fortë midis atyre që janë afër Putinit, si dhe zhgënjimin në rritje brenda Kremlinit për mungesë përparimi në luftë.
"Liderët në qeveri zakonisht zëvendësojnë komandantët ushtarakë kur lufta nuk u ecën siç ata dëshirojnë", tha Mark Cancian, një kolonel i pensionuar i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara dhe ekspert ushtarak në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
"Mund të krahasohet me sa gjeneralë i kaloi [Abraham] Lincolni para se të zgjidhte Ulysses Grant gjatë Luftës Civile Amerikane në vitet 1860", shtoi ai.
Sipas Dara Massicot, eksperte e ushtrisë ruse dhe hulumtuese në RAND Corporation, një institut kërkimor në SHBA, riorganizimi i komandantëve ushtarakë rusë ishte për shkak të faktorëve të ndryshëm.
Komandanti “më i lartë e më i aftë” u zëvendësua me një “të paditur”, duke treguar se kishte shumë faktorë prapa riorganizimit.
“Kjo është një histori që i ka të gjitha: grindje të brendshme, luftë për pushtet, xhelozi”, tha Massicot në një postim në Twitter.
Nga të gjitha anët që shikohet, ndërhyrja ushtarake po i shkon keq Moskës. Zyrtarët perëndimorë thonë se dëmet që ka pësuar Rusia, përfshirë ushtarët e vrarë ose të plagosur, i afrohen numrit 100 mijë. Ukraina ka pësuar dëme të ngjashme, thonë burimet perëndimore.
Në fushëbetejë, forcat ruse nuk arritën objektivat e tyre fillestare, që ishin pushtimi i shpejtë i Kievit, rrëzimi i Qeverisë së presidentit Volodymyr Zelensky dhe detyrimi i ushtrisë ukrainase të dorëzohej. Arritja më e madhe e tyre gjatë muajve të parë ishte kapja e qytetit të Mariupolit në Detin e Azovit, në fund të muajit maj.
Me gjithë riorganizimin e strukturës së tyre të komandës dhe rigrupimit në rajonin e Donbasit gjatë verës, forcat ruse nuk arritën të shënojnë progres të rëndësishëm, me përjashtim të kapjes së qyteteve të Severodonjeckut dhe Lisiçanskut në rajonin e Luhanskut në muajin qershor.
Pastaj erdhi vjeshta… Trupat ukrainase, të përforcuara me armë të reja të fuqishme nga perëndimi, i zunë në befasi forcat ruse duke avancuar shpejt nëpër rajonin e Harkivit, në veri dhe perëndim të Donbasit, dhe duke kapur me sukses qendrën e transportit të hekurudhës së Lymanit në rajonin e Donjeckut.
Në mes të trazirave në fushëbetejë, Kremlini ndërroi disa gjeneralë të lartë, përfshirë kolonelin Aleksandr Lapin, i cili u kritikua ashpër nga nacionalistët, burrështetasi çeçen, Ramzan Kadyrov dhe themeluesi i Vagner-it, Yevgeny Prigozhin, për humbjen e Lymanit.
Në fund të shtatorit, Putini shpalli një mobilizim të dhjetëra mijëra rezervistëve rusë, një veprim i parë si një pranim se ushtria ruse kishte nevojë për më shumë njerëz.
Më 8 tetor, Putini emëroi Surovikin, i cili fitoi një reputacion për brutalitetin josentimental duke komanduar forcat ruse në Siri gjashtë vjet më parë, si komandanti i parë i unifikuar i të gjitha forcave ruse në Ukrainë. Promovimi i tij u përshëndet nga Prigozhini dhe të tjerët.
Dy ditë pas emërimit të tij, Surovikin lëshoi breshëritë e shumta të raketave dhe dronëve që kishin cak të shkatërrojnë infrastrukturën energjetike të Ukrainës -- një fushatë që zyrtarët ukrainas dhe perëndimorë e kanë përshkruar si terrorizëm. Më 9 nëntor, ai urdhëroi trupat ruse të tërhiqeshin në bregun lindor i lumit Dnieper, duke i dhënë Ukrainës rimarrjen triumfuese të qytetit të Hersonit. Edhe pse u kritikua ashpër, tërheqja u pa si një manovër taktike e zgjuar nga Surovikini, megjithëse Rusia do të kishte preferuar që ai ta shmangte.
Kjo manovër simbolike, ka shumë të ngjarë se ishte e aprovuar nga Putini, që do të thotë se deri në atë moment Surovikin kishte besimin e Putinit.
Tani, nuk duket që e gëzon më këtë besim.
Që nga fillimi i pushtimit, më 24 shkurt, Putini ka bërë katër ndryshime në komandë. Dështimet e para gjatë muajve të parë ishin pjesërisht për shkak të mungesës së një komande të unifikuar për operacionin. Në prill, gjenerali Dvornikov u emërua si komandant i përgjithshëm, por u zëvendësua nga gjenerali Zhidko dy muaj më vonë. Surovikin u emërua në tetor, por para tij, sipas analistëve, nuk kishte një komandant të vetëm në krye të operacionit.
"Kjo nuk është e pazakontë për Rusinë", tha Cancian. "Ushtarët që nuk kanë pasur përvojë të fundit luftarake të nivelit të lartë, nuk kanë sens të mirë për cilësinë e udhëheqjes kur përballen me kërkesat e reja të një lufte me intensitet të lartë".
Para luftës, shefi i ri i Surovikinit, Gerasimov – që ishte në krye të Stafit të Përgjithshëm për më shumë se një dekadë – ka pasur reputacion si një strateg i qëndrueshëm dhe i aftë. Më e rëndësishmja, ndoshta, ai është një aleat i Shoigut, cili gjithashtu është shpërfillur nga kritikët e ashpër, por që është një mik i afërt i Putinit.
"Deri në fillimin e kësaj lufte, Gerasimov është menduar të jetë ndër teoricienët më të mirë rusë të kohës moderne", tha Ryan. "Por, reformat e tij nuk kanë rezultuar me sukses në fushëbetejë apo në suksese strategjike. Gjasat janë të vogla që prezenca e tij në fushëbetejë do të ndryshojë gjërat".
Disa vëzhgues thanë se posti i ri i Gerasimovit mund të jetë një "kupë e helmuar" -- duke i dhënë atij komandën në një kohë kur forcat gjithnjë e më të armatosura e të fuqizuara të Ukrainës po kërkojnë kundërsulme të reja, viktimat ruse pritet të rriten dhe lajmet e këqija do t'i duhet komunikuar komandantit të përgjithshëm të Rusisë, pra Putinit.
"Gerasimov ka të ngjarë të kryesojë një strukturë komanduese të çorganizuar e të rrënuar nga dështime endemike, të vazhdueshme dhe vetë-përforcuese që ai kryesisht i vuri në lëvizje në rolin e tij fillestar para pushtimit të Ukrainës", tha Instituti për Studimin e Luftës me qendër në SHBA më 11 janar.
"A ka mundësi që Putini dhe Shoigu kanë vendosur më në fund të gjitha elementet për ta bërë Gerasimovin fajtor për të gjitha dështimet e Rusisë në luftë?”, thotë Ryan.
Sergei Markov, një analist i politikës i afërt me Kremlinin dhe mbështetës i zëshëm i luftës, deklaroi se ndryshimi i komandës do të sjellë pak ndryshime sa u përket operacioneve, dhe se Surovikin do të mbetet komandanti kryesor në terren, ndërsa Gerasimov do të vazhdojë të udhëheqë nga Moska.
Markov, gjithashtu, deklaroi se vendimi u mor për shkak të suksesit të grupit të mercenarëve Vagner që luajti një rol të rëndësishëm në kapjen e Mariupolit dhe Severodonjeckut dhe që vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në Bahmut dhe Soledar.
"Emërimi i Gerasimovit si komandant i forcave [ruse] u bë për shkak të suksesit të Vagner-it", tha Markov në një postim në Twitter. "Efektshmëria e ushtarëve Vagner në këto beteja doli të ishte shumë më e lartë se i ushtarëve të rregullt".
Që nga data 12 janar, Prigozhin, Kadyrov dhe kritikët e tjerë të ashpër të Shoigut ose të progresit të luftës kanë qëndruar për shumicën e kohës të heshtur, me pak kritika të ashpra që çuan në largimin e oficerëve të tjerë si Lapin. Analistët e tjerë vënë në dukje se duket të jetë një luftë për pushtet që po ndodh në sfond midis dy faktorëve politikë, me Shoigun dhe Gerasimovin, në një anë, dhe Surovikin dhe Prigozhinin, në anën tjetër.
“Putini, si një ushtarak joprofesionist dhe që nuk e ka të qartë se si të shpëtojë të gjithë aferën, po lëkundet mes tyre”, tha Tatyana Stanovaya, një eksperte e vjetër politike ruse në një postim në Twitter.
"Ngritja e Gerasimovit ka të ngjarë të jetë pjesërisht një lëvizje politike për të dobësuar ndikimin e kritikëve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe një sinjal për Prigozhin dhe aktorë të tjerë që t’i reduktojnë kritikat e tyre ndaj ministrisë", tha grupi i ekspertëve.
Më 31 dhjetor, ushtria ruse përjetoi një tjetër përmbysje në rajonin e Donjeckut, kur trupat ukrainase goditën një fshat ku ishin stacionuar ushtarët rusë. Sipas një deklarate zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, 89 ushtarë u vranë gjatë sulmit. Megjithatë, zyrtarët ukrainas dhe disa blogerë ushtarakë rusë pretendojnë se numri i viktimave mund të jetë shumë më i lartë.
Roman Svitan, një oficer i rezervës ushtarake ukrainase dhe komentator i mbrojtjes, pajtohet se riorganizimi nuk do të sjellë ndonjë ndryshim të rëndësishëm, përveçse përgjegjësia për çdo humbje, tërheqje ose lajm negativ, tani e tutje do të rëndojë mbi supet e Gerasimovit.
"Surovikin e kanë hequr vetëm nga syri i publikut", tha Svitan, duke shtuar se ky është “vetëm një spektakël publik".
Facebook Forum