Ndërlidhjet

Kurti kërkon forcim të pranisë së NATO-s në Kosovë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Fotografi nga arkivi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Fotografi nga arkivi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i bëri thirrje NATO-s që të rrisë numrin e forcave paqeruajtëse në Kosovë, pas tensioneve të fundit me Serbinë.

“Një rritje substanciale e ushtarëve të NATO-s dhe pajisjeve ushtarake në shtetin tonë do të përmirësonte sigurinë dhe paqen në Kosovë dhe në mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Kurti për gazetën gjermane, Die Welte.

Në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, aktualisht janë mbi 3.700 trupa nga 27 shtete të botës.

Forcat e NATO-s u vendosën në Kosovë pas përfundimit të luftës më 1999 me synim që të garantojnë sigurinë.

Së fundmi, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u rritën, teksa disa banorë lokalë për 20 ditë me radhë vendosën barrikada në veri të Kosovës.

Barrikadat u vendosën në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-polici serb të Kosovës, i cili, sipas Prishtinës, dyshohet për organizimin e një sulmi ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Por, serbët vendosën të heqin barrikadat pasi Dejan Pantiqit iu ndryshua masa e sigurisë nga paraburgim në arrest shtëpiak.

Po ashtu, përfaqësuesit e serbëve në Kosovë, gjatë një takimi në Rashkë të Serbisë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, më 28 dhjetor deklaruan se kanë marrë garanci që kërkesat e serbëve për heqjen e barrikadave do të plotësoheshin.

Qeveria e Kosovës, gjatë kohës kur barrikadat ishin të ngritura, disa herë deklaroi se i kishte dhënë kohë KFOR-it që të hiqte barrikadat ose do t’i hiqte vetë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG