Ndërlidhjet

EULEX kërkon kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës


Pjesëtarë të EULEX-it gjatë patrullimit në Mitrovicë të Veriut.
Pjesëtarë të EULEX-it gjatë patrullimit në Mitrovicë të Veriut.

Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë për Sundim të Ligjit (EULEX), tha se pavarësisht se ka rritur patrullimet, nuk mund të mbushë vakumin e krijuar nga dorëheqjet e policëve serbë në katër komunat në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Ky mision tha se kthimi i policëve, gjyqtarëve, prokurorëve dhe personelit tjetër serbë – që paraqitën dorëheqje në muajin nëntor – është “esencial”.

“EULEX-i mund ta plotësojë këtë vakum vetëm pjesërisht përmes pranisë së shtuar në terren, por misioni nuk mund ta zëvendësojë Policinë e Kosovës apo ndonjë autoritet tjetër të sundimit të ligjit. Prandaj, kthimi në marrëveshjet përkatëse të dialogut që e rregullojnë integrimin në Policinë e Kosovës dhe në gjyqësor është esencial”, tha EULEX.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit – në nëntor njoftoi për dorëheqjen e policëve, prokurorëve, gjyqtarëve dhe zyrtarëve të tjerë serbë, në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës lidhur me konvertimin e targave, nga ato ilegale serbe, në RKS- Republika e Kosovës.

Që atëherë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, palët kanë arritur marrëveshje për çështjen e targave.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë kësaj jave po ashtu u ka bërë thirrje serbëve që të aplikojnë për vende pune në institucionet e Kosovës, të cilat kanë mbetur bosh pas dorëheqjeve të paraqitura në nëntor.

EULEX po ashtu tha se mirëpret uljen e tensioneve në veri dhe rivendosjen e lirisë së lëvizjes pas heqjes së barrikadave.

Nga 10 dhjetori deri më 29 dhjetor, disa serbë lokalë bllokuan rrugët në veri për shkak të arrestimit të një ish-polici serb.

Por, Dejan Pantiqit, - që dyshohet për “sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri – iu ndryshua masa e sigurisë nga paraburgim në arrest shtëpiak më 28 dhjetor.

Po atë ditë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kërkuan që të ulen tensionet dhe të hiqen barrikadat. Përfaqësuesit serbë të Kosovës u takuan në Rashkë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe njoftuan për heqjen e barrikadave.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG