Ndërlidhjet

Dhjetëra avionë kinezë fluturojnë mbi Tajvan


Një avion luftarak kinez niset nga një avionmbajtës. Fotografi nga arkivi.
Një avion luftarak kinez niset nga një avionmbajtës. Fotografi nga arkivi.

Shtatëdhjetë e një avionë të forcave ajrore të Kinës, përfshirë avionë luftarakë dhe dronë, hynë në zonën e identifikimit të mbrojtjes ajrore të Tajvanit gjatë 24 orëve të fundit, tha qeveria e Tajvanit të hënën, duke raportuar kështu inkursionin më të madh deri më tani.

Nga avionët, 43 kaluan edhe ngushticën e Tajvanit, që shtrihet brenda zonës së mbrojtjes ajrore, thuhet në raportin e Ministrisë së Mbrojtjes të Tajvanit, ndërsa Pekini zyrtar vazhdon aktivitetet ushtarake pranë ishullit të pretenduar nga Kina.

Agjencia zyrtare e Lajmeve Qendrore e Tajvanit tha se ky është inkursioni më i madh i forcave ajrore të Kinës deri më tani, edhe pse shtoi se kjo gjë nuk e ka alarmuar ishullin, ku Kina e ka shtuar presionin gjatë viteve të fundit.

Kina, që pretendon se Tajvani është pjesë e territorit të saj, ka thënë se ka zhvilluar “stërvitje sulmi” në det dhe në hapësirën ajrore përreth Tajvanit të dielën, në përgjigje të asaj që tha se ishte provokim nga ishulli i qeverisur në mënyrë demokratike dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Tajvani, i cili kundërshton me forcë pretendimet e Kinës për sovranitet, tha se këto stërvitje tregojnë se Pekini po shkatërron paqen rajonale dhe po përpiqet të frikësojë popullin e Tajvanit.

Një zyrtar i lartë i Tajvanit, i njohur me çështjet e sigurisë në rajon, tha për agjencinë e lajmeve Reuters se Tajvani vlerëson se Kina ka organizuar një "provokim" ushtarak për ta shprehur zemërimin ndaj një ligji të ri të SHBA-së që rrit ndihmën ushtarake për Tajvanin.

Zyrtari i Tajvanit, i cili nuk pranoi të identifikohet pasi që informacioni nuk është bërë ende publik, tha se, gjatë këtyre stërvitjeve, forcat ajrore kineze dërguan avionë luftarakë në të gjithë vendin për të simuluar sulme ndaj anijeve luftarake tajvaneze dhe amerikane.

Zyra e Çështjeve të Tajvanit në Kinë nuk iu përgjigj kërkesës për koment lidhur me këtë operacion ushtarak.

Zyra e presidentit të Tajvanit, Tsai Ing-wen, tha se presidenti do të thërrasë një takim të nivelit të lartë të sigurisë kombëtare të martën në mëngjes për të diskutuar forcimin e sistemit të mbrojtjes civile të ishullit dhe pastaj do ta mbajë një konferencë për media lidhur me masat e reja të mbrojtjes civile.

Në këtë deklaratë nuk u dhanë më shumë detaje, por Ministria e Mbrojtjes ka thënë se po shqyrton zgjatjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, që aktualisht është katër muaj, pasi lufta në Ukrainë dhe rritja e tensioneve me Pekinin i kanë shtuar diskutimet se si duhet t'i përgjigjen presionit ushtarak kinez.

"Sa më shumë përgatitje të bëjmë, aq më pak ka gjasa të ketë përpjekje të nxituara për agresion. Sa më të bashkuar të jemi, aq më i fortë dhe më i sigurt do të bëhet Tajvani," tha Tsai në një ceremoni ushtarake të hënën.

Gjatë inkursionit të fundit, disa avionë kinezë, kryesisht avionë luftarakë, kaluan përkohësisht ngushticën e Tajvanit përpara se të ktheheshin në Kinë, sipas një grafike të publikuar nga ministria e mbrojtjes e Tajvanit. Shtatë anije të marinës kineze u panë gjithashtu afër Tajvanit, tha ministria.

Sipas raportit – që tregonte në detaje aktivitetet kineze pranë Tajvanit gjatë 24 orëve të fundit deri në orën 6 të mëngjesit të së dielës sipas kohës lokale – ushtria e Kinës dërgoi edhe aeroplanë të tjerë dhe dronë në zonën jugore të identifikimit të mbrojtjes ajrore të Tajvanit.

Taipei është ankuar disa herë për misione nga forcat ajrore kineze gjatë dy viteve të fundit, më së shumti në zonat jugore të vendit.

Tajvani dërgoi avionë luftarakë të paspecifikuar për të larguar avionët kinezë, ndërsa sistemet raketore monitoruan fluturimin e tyre, tha ministria.

Gjatë viteve të fundit, Kina e ka rritur presionin diplomatik, ushtarak dhe ekonomik në ishullin e vetëqeverisur për ta pranuar sundimin e Pekinit. Qeveria e Tajvanit thotë se dëshiron paqe, por do të mbrohet nëse sulmohet.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG